Çështja Çame nuk zgjidhet me hipokrizi, por me sinqeritetin dhe mbështetjen e të gjithë faktorit shqiptar në botë

487
Sigal

PDIU-ja mblodhi Këshillim e tij Kombëtar dhe kryetari  i kësaj partie, Shpëtim Idrizi, nuk i kurseu kritikat e tij – elektorale- kundër së majtës në përgjithësi dhe PS-së në veçanti, duke i adresuar dy akuza. E para, ka të bëjë me Çështjen e Rezolutës Çame të votuar në Kuvend, në 2004-s, për të cilën PD-ja, natyrisht, edhe PDIU-ja dhe Shpëtim Idrizi, pretendojnë se, ajo Rezolutë quhet e miratuar. Mirëpo, PD-ja deri tani, nuk është shprehur për Rezolutën Çame, të cilën Shpëtim Idrizi  e ka depozituar në Kuvend. Ndoshta, pretendimi i zonjës Topalli, se quhet e miratuar Rezoluta Çame e votuar në 2004-n, pikërisht, ka të bëjë me anashkalimin e Rezolutës së tanishme dhe është edhe një truk elektoral, edhe i PD-së edhe i PDIU-së. Sepse, nuk ka mundësi që Shpëtim Idrizi dhe Topalli, të kenë heshtur deri tani, nëse e kanë me të vërtetë që Rezoluta Çame e 2004-s është e miratuar.  Nuk mund të quhet politikan naivë Shpëtim Idrizi, që të bëjë të paditurin dhe të dorëzojë në Kuvend një Rezolutë të re për ta miratuar, kur, ndërkohë, Rezoluta e parë, flë në sirtarët e Kuvendit, si e …miratuar.  Dhe koha që kanë gjetur për t’u marrë me Rezolutën Çame, në finishin e mandatit qeveritar dhe në fushatën elektorale, të bind se Idrizi e Topalli e përdorin Rezolutën Çame, jo si aksion politik, por si një truk elektoral. Vetë fakti që  relatori i kësaj Rezolute, deputeti i PD-së, Fatbardh Kadelli, i është shmangur deri tani takimeve me Shpëtim Idrizin, dëshmon për falsitetin e seriozitetit politik. Madje, Kryetarja e Kuvendit, Topalli, teksa pretendon që Rezoluta Çame është miratuar në Kuvend në 2004-n, ajo vetë, edhe pse e pranishme në sallë, nuk votoi. Kurse,  Kryeministri i sotëm, Berisha, nuk ishte fare i pranishëm në votimin e Rezolutës Çame në Kuvend në 2004. Nga ana tjetër, PS-ja ka paraqitur një Draft-Rezolutë politike për Çështjen Çame, kështu që Shpëtim Idrizi nuk ka asnjë bazë për akuzat ndaj PS-së, lidhur me Rezolutën Çame, por ato i bën për konsum elektoral. Akuza e dytë e Idrizit ndaj Ramës, është përpjekja e tij për të përçarë çamët, meqë PS-ja pranoi në aleancën e saj parazgjedhore Aleancën Popullore, parti e re e Komunitetit Çam, si edhe përse bëri aleancë me PBDNJ-in. Nëse Aleanca Popullore aleaton me PS-në, kjo është një e drejtë ekskluzive e saj, sikurse është edhe e drejta e Idrizit që të aleatojë me PD-në. Nëse Idrizi, do të kritikojë Ramën për përçarje, për arsyen pse zgjodhi aleat PBDNJ-in,  do të ishte një naivitet politik i vetë Idrizit, kur, ndërkohë, Idrizi “harron” që edhe Berisha ka bërë aleancë parazgjedhore me partinë e MEGA, madje, njeriu i kësaj partie, ministri i Punës, Spiro Ksera, është edhe simpatizant i partisë naziste greke “Agimi i Artë”. Jo vetëm pse ministri Ksera dhe këshilltari i tij, Theofan Kalivioti, janë aktivistë të partisë naziste greke, por edhe përse Kryeministri Berisha i dha mandatin e deputetit të Vlorës që la  Kollozi, Kosta  Barkës, duke i bërë grekët me deputetë të futur madje në listat e vetë PD-së. Nëse Idrizi ka kujtesë politike, le të gjykojë më parë nga vetvetja, përpara se të akuzojë të tjerët dhe se minimalisht duhet të jetë i sinqertë me ata që e futën në politikë dhe i veshën kostumin e deputetit, të cilin Idrizi e përvetësoi nga e majta, duke e bashkuar me të djathtën.