Cërrik, Toska: Nëpërmjet planeve konkrete do të ndërhyjmë në infrastrukturë

33
Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për kryetar të Bashkisë së Cërrikut, Altin Toska i shoqëruar dhe nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, prezantoi programin e tij me përfaqësues të grupeve të interesit.
Gjatë bashkëbisedimit me ta, Toska premtoi përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe ndërtimin e rrugës me standarde bashkëkohore Cërrik–Banjë.
Në fjalën e tij, Toska u shpreh se shkolla profesionale do të kthehet në një qendër ekselence, dhe se pjesë e programit do të jetë dhe kinemaja,qendra spitalore.
Kandidati i ASHE për Bashkinë e Cërrikut, z. Altin Toska prezanton programin me grupet e interesit dhe me të rinjtë e sportistët e qytetit“Një ndër plagët më të mëdha në qytetin e Cërrikut është punësimi dhe për këtë do të mundësojmë duke bashkëpunuar me qeverinë të gjenerojmë mundësi të reja. Nëpërmjet planeve konkrete ne do të ndërhyjmë në infrastrukturë dhe në fasadat e pallateve”, tha Toska.
Kandidati Toska u shpreh se ka gati projektin për të thithur sipërmarrësit që të çelin bizneset e tyre në Cërrik duke punësuar banorë të zonës. Lidhur me komuniteti egjiptian dhe rom, Toska tha se, do t’i kushtohet një vëmendje e rëndësishme strehimit dhe punësimit të tyre.
Kandidati i ASHE për Bashkinë e Cërrikut, z. Altin Toska prezanton programin me grupet e interesit dhe me të rinjtë e sportistët e qytetit(2)“Kam marrë përkrahjen nga biznese italiane, sidomos nga zona e Abrucios, e cila quhet zona e zanateve, të cilët kanë shfaqur interes për projekte të ndryshme. Cërrikun do e kthejmë në zonë turistike. Do bëjmë binjakëzim me bashkinë e Breshias që të marrim sa më shumë fonde nga Bashkimi Europian dhe për të hapur sa më shumë vende pune. Do të hapet një zyre e fondacionit ‘Besa’, në mënyrë që të punësohen studentë të kualifikuar”, – theksoi Toska.
Ministri Haxhinasto vlerësoi se kandidati Toska është drejtuesi që i duhet Bashkisë së re të Cërrikut.
Kandidati i ASHE për Bashkinë e Cërrikut, z. Altin Toska prezanton programin me grupet e interesit dhe me të rinjtë e sportistët e qytetit(3)“Më 22 qershor do vijmë dhe do lidhim marrëveshjen e binjakëzimit me investitorët italianë ku secila palë do marrë përfitimet. Cërriku është vendi ku ka rreth 300 analfabetë, duke u klasifikuar si ndër vendet më të varfra. Pasuritë natyrore dhe resurset ujore të Sulovës, Mollasit kanë nevojë për menaxhim më të mirë dhe këtë do ta bëjë Toska, me mbështetjen e qeverisë nëpërmjet reformave dhe këto reforma na bëjnë qytetarë më të mirë”, tha Haxhinasto.
Në ndalesën e radhës, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Altin Toska, parashtroi me të rinjtë dhe sportistët rekordmenë të peshëngritjes së Shtërmenit, platformën e tij për ta bërë sportin një mik të të rinjve dhe terrenet sportive të përshtatshme për përgatitjen e kampionëve.
Në këtë takim, Toska shoqërohej nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto si dhe nga sportistët e njohur Leonard Toska, Endri Haxhihyseni, Briken Calja dhe Ervis Tabaku.
Kandidati i ASHE për Bashkinë e Cërrikut, z. Altin Toska prezanton programin me grupet e interesit dhe me të rinjtë e sportistët e qytetit(4)Në fjalën e tij, Toska garantoi se çdo njësi e bashkisë dhe çdo shkollë do të ketë internet falas. “Falë mbështetjes tuaj të shkojmë drejt realizimit të ëndrrës. E ardhmja e qytetit tonë dhe zhvillimi i tij duhet të mbështetet tek arsimi dhe punësimi për të ecur përpara. Në të kaluarën në shkollën profesionale të Cërrikut studionin rreth 450 studentë, por ne do ta zhvillojmë edhe më shumë”, u shpreh kandidati Altin Toska.
“Së bashku me agro-biznesmenë italianë dhe institucionet shtetërore do të realizojmë kurse specializimi profesionale, diplomat e të cilave do të njihen jashtë shtetit”, vijoi ai. Toska premtoi se bashkia do të mbështesë krijimin e ekipeve zinxhir për zhvillimin e ekipit të futbollit “Turbina”.
Në takimin me të rinjtë e Gostimës, Toska premtoi ngritjen e palestrave sportive, vendosjen e tapetit të ri në stadiumin e ekipit të futbollit Turbina.
Në fjalën e tij, Ministri Haxhinasto u shpreh se “Vlerësojmë besimin që tregoni për kandidatin e ASHE-së, në Cërrik, Altin Toska. Cërriku ka pasur shkolla profesionale dhe në programin e tij, kandidati ynë, z.Altin Toska synon që kjo shkollë të bëhet një nga qendrat e ekselencës profesionale. Punësimi duhet të ecë në drejtimin e duhur dhe arsimi profesional është rruga e duhur për punësimin. Sporti zë një pjesë serioze në programin e tij, duke qenë se edukimi fizik është një faktor në formimin e karakterit të njeriut. Në Cërrik kemi kampionë Europe të cilët duhet t’i zhvillojmë që herët. Çdo shkollë në Bashkinë e re të Cërrikut duhet të ketë ambientet sportive”.