“Celula” shqiptare në Bruksel, si trafikohej kokaina dhe hashashi në vendet e BE-së

564
Sigal

Që prej vitit 2012, Prokuroria e Tiranës hetonte veprimtarinë kriminale të trafikantit Poti, por ende deri sot nuk ka përgjigje

Dhimitër Poti, drejtuesi i dytë shqiptar i rrjetit të narko-trafikut me bazë në Bruksel trafikoi sasi të mëdha kanabisi dhe kokaine në vendet e BE-së, ndërsa ishte nën hetim prej vitit 2012 nga Prokuroria shqiptare. Më 19 prill 2015, një “shofer” grek u ndalua në Britaninë e Madhe, pasi në kamionin e transportit ndërkombëtar të drejtuar prej tij u gjetën 23 kilogramë kokainë. Hetimet për këtë ngarkesë zbuluan se kokaina po trafikohej për llogari të Dhimitër Potit, një 50 vjeçar shqiptar i lindur në Kukës dhe banues në Bruksel, që sipas policisë greke është njëri prej drejtuesve të organizatës së narko-trafikut mes Shqipërisë dhe Greqisë, me shtrirje thuajse në të gjithë Evropën. I shpallur në kërkim nga Greqia, Dhimitër Poti u arrestua të enjten në Bruksel bashkë me vëllanë e tij. Dhimitër Poti, i akuzuar nga policia greke si një nga krerët e narko-trafikut zotëronte dy kompani të tilla fasadë dhe një magazinë në zonën Zaventem të Brukselit-një stacion i rëndësishëm i drogës në rrugëtimin e saj drejt Evropës Perëndimore. Që prej vitit 2012, Dhimitër Poti ka qenë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për “pastrim të produkteve të veprës penale”; hetim i cili dështoi të prodhonte një rezultat për drejtuesin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut të drogës.

“Celula belge” e rrjetit

Kamioni i kapur me 23 kilogram kokainë në Britaninë e Madhe zotërohej nga dy kompani; koka e tij i përkiste shoqërisë greke “Focus International” me pronar Vasilio Thimi, ndërsa rimorkiatori i përshtatur për drogën ishte pronë e “Friends Trans LTD” të Dhimitër Potit. Kjo është e vetmja sasi kokaine që i është kapur kësaj organizate, pavarësisht se hetimi i përbashkët mes policisë greke, DEA-s amerikane dhe Europolit ka pasur të dhëna për trafik në sasi të mëdha të kokainës në vendet e BE. Në dokumentet e policisë greke, Dhimitër Poti akuzohet edhe për dy episode të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike me vlerë në mijëra euro. Sipas tyre, mes datave 2 dhe 7 prill 2015, anëtarët e organizatës tentuan të trafikonin me urdhër të Dhimitër Potit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij grekë, Thoma Aleksaki dhe Ksenofonda Anagnostoupolu një sasi të panjohur lëndësh narkotike nga Belgjika drejt Oslos së Norvegjisë, por ngarkesa u anulua. Emri i Potit del në një rast tjetër trafikimi të datës 8 prill 2016, ku anëtarë të organizatës dorëzuan një kamion transporti të modifikuar me vende të fshehta për drogë në magazinën e Potit, ndërsa ngarkesa iu dorëzua bashkëpunëtorëve “të panjohur” të rrjetit në Berlin të Gjermanisë, në zonën e quajtur Kostandinopoja e vogël. Haralambo Paciavura, njëri prej anëtarëve të rrjetit i tha policisë greke se përmes skemës së mësipërme ka trafikuar sasi të mëdha të kanabisit të papërpunuar në drejtim të Holandës, përmes vendeve të Bashkimit Evropian. “Thuajse 250 kg çdo here, me qëllim lëvizjen e tyre të mëtejshme në vendin e sipërpërmendur të importit,” ka thënë ai. Në njërin prej rasteve, në kthim nga Holanda, Paciavura ka transportuar drejt territorit grek një sasi të panjohur kokaine, të cilën ua dorëzoi disa njerëzve me shtetësi shqiptare.

Tre vitet e hetimit shqiptar

Më 14 mars 2008, Dhimitër Poti regjistroi në Shqipëri kompaninë “Chim Prod”, me aktivitet import-eksporti, tregti me shumicë dhe pakicë të mjeteve motorike dhe barnave farmaceetike. Por të dhënat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe të një hetimi të Prokurorisë shqiptare tregojnë se kjo kompani shërbeu si koperturë për transfertat e dyshimta të parave nga Greqia drejt Shqipërisë, se sa për ndonjë aktivitet real. Në shtator 2015, kur Dhimitër Poti ishte në hetim për trafik droge në Greqi, ministria greke e Drejtësisë i kërkoi autoriteteve shqiptare të dhëna për disa transferta të dyshimta parash që 50-vjeçari i kishte kryer gjatë viteve 2007-2009. Sipas letër-porosisë së autoriteteve greke, Dhimitër Poti kishte transferuar në llogaritë e kompanisë “Chim Prod” në Tiranë 826 mijë euro, të transferuara më 1 shtator 2009. Prokuroria e Tiranës kishte regjistruar një procedim penal kundër Dhimitër Potit në vitin 2012, me numër 5915 për të njëjtën vepër penale, por përfundimi i këtij hetimi ishte i paqartë. Pasi është përdorur për 5 transaksionet financiare me vlerë 826 mijë euro, kompania “Chim Prod” e Dhimitër Potit ka qenë e padobishme. Të dhënat në QKR tregojnë se më 13 prill 2010, administratori Poti ka emëruar një likujdator për kompaninë në Shqipëri dhe e ka mbyllur atë. Letër-porosia i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për të kryer veprimet proceduriale të nevojshme, por fati i procedimit me numër 5915 i nisur prej vitit 2012 kundër Dhimitër Potit mbetet i paqartë. E pyetur nga BIRN për rezultatin e këtij, Prokuroria refuzoi të jepte një përgjigje. Nga Aleksandra Bogdani