Çelja e negociatave, Christian Danielsson – Meta: Dialogu politik, shumë i rëndësishëm

441
Sigal

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka pritur në një takim drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, me të cilin biseduan mbi rekomandimet e progres-raportit të fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Gjatë bisedës, Meta shprehu mirënjohjen për punën e kryer nga Komisioni Evropian dhe vuri në dukje se rekomandimi pozitiv për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE reflekton përpjekjet e Shqipërisë për të avancuar në rrugëtimin e saj evropian.

Meta theksoi se Kuvendi e ka lexuar progres-raportin me kujdes të veçantë dhe të gjithë rekomandimet e Komisionit do të reflektohen në Planin e Veprimit të Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi gjithashtu se dialogu politik është shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e një klime bashkëpunuese në parlament me qëllim shmangien e vonesave të panevojshme për axhendën evropiane të vendit, e cila duhet të qëndrojë mbi axhendat e ngushta politike apo elektorale.

Nga ana e tij, Danielsson e përgëzoi Kryetarin e Kuvendit Meta për progresin e arritur dhe e siguroi atë për mbështetjen e plotë të Komisionit ndaj përpjekjeve të Kuvendit në drejtim të bashkëpunimit politik, garantimit të gjithë-përfshirjes dhe forcimit të bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe institucionet e pavarura.

Në përfundim, u diskutua mbi zhvillimet në rajon dhe u nda bindja se stabiliteti i Ballkanit ka rëndësi jo vetëm për qytetarët në rajon por edhe për sigurinë e të gjithë Bashkimit Evropian.