“Çelësi i Tiranës” për Nexhmije Pagarushën

484
Tirana ka nderuar me “Çelësin e Qytetit” një nga këngëtaret më të dashura për të gjithë shqiptarët, Nexhmije Pagarushën, e cila ka festuar 85-vjetorin e lindjes. E njohur si bilbili i Kosovës dhe mbretëresha e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha u prit në bashkinë e Tiranës në një ceremoni të veçantë, ku kryebashkiaku Erion Veliaj i dha “Çelësin e Qytetit”, në shenjë mirënjohje për gjithçka ajo ka bërë për muzikën dhe artin shqiptar. Veliaj e cilësoi Pagarushën si simbol i pakontestueshëm i artit, kulturës dhe i asaj çka përfaqëson Shqipëria dhe shqiptarët. “Me këtë nderim në emër të qytetit të Tiranës, jo vetëm i japim ‘Çelësin e Qytetit’, por edhe mirënjohjen tonë të thellë për një kohë kur të ishe artiste, ishe në fakt përfaqësuesja më e denjë e të gjitha aspiratave të kombit tonë. Sot i japim ‘Çelësin e shtëpisë’ Nexhmije Pagarushës, sepse mendojmë që kjo shtëpi, është edhe shtëpia e saj”, tha kryebashkiaku Veliaj. Këngëtarja Nexhmije Pagarusha, e emocionuar për pritjen, falënderoi kryebashkiakun për “Çelësin e Qytetit”, duke shtuar: “Edhe juve ju falënderoj shumë, se kurrë s‘më harroni, më çmoni dhe më doni kaq shumë. Gëzohem kaq shumë që e marr këtë çelës, se ndoshta nuk e meritoj. Tash kush do me ardhur në Tiranë, le të vijë tek unë. Eh, ta kishim pasur këtë çelës më përpara dhe i lutem Zotit që të jetoj sa më gjatë që ta shijoj”, tha ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.
Sigal