Cefa kundër pr/ligjit të ri: Qeveria po zvogëlon kompetencat e KLD

449
Sigal

TIRANE – Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka reaguar pas miratimit të projektligjit në Komisionin e Ligjeve “Për organizimin dhe funksionimin e KLD” të propozuar nga deputetëte mazhorancës lidhur me nismën e marrë nga qeveria për reformim të sistemi gjyqësor. Zëvendëskryetari i KLD Elvis Cefa në një letër dërguar Kuvendit, teksa shpreh vullnetin e institucionit të KLD për refomën në sistemin gjyqësor, thekson se projektligji i miratuar nuk sjell asgjë të re në punën e Këshillit, por synon sipas tij të zvogëlojë kompetencat e KLD. Cefa shton se për këtë projektligj nuk është bërë asnjë konsultim paraprak me KLD, ndërsa shton se kjo është e rëndësishme kur bëhet fjalë për reformimin e një organi kushtetues dhe të pavarur.

“Tashmë prej disa javësh nga Ministri i Drejtësisë është hartuar një projektligj i cili synon të ndryshojë disa dispozita në ligjin organik “Për organizimin dhe funksionimin e KLD”. Pothuajse i njëjti projektligj, është hartuar edhe nga një grup deputetësh të Kuvëndit të Shqipërisë. Ky projektligj është diskutuar në një nga mbledhjet e fundit plenare të Këshillit. Sipas shumicës së nëtarëve të KLD përgjithësisht ky projektligj nuk sjell asnjë të re në punën e Këshillit, por synon realisht zvogëlimin e kompetencave të tij. Konsultimi, ka qenë dhe duhej të ishte një ndër standardet e vlerësimit të çdo projektligji, pavaresisht nga nismëtari. Një gjë e tillë është sidomos e domosdoshme kur bëhet fjalë për një projektligj të rëndësishëm që bën rregullimin e një organi kushtetues dhe të pavarur.” thuhet në letrën drejtuar Kuvendit. Zëvendëskryetari i KLD vijon më tej duke nënvizuar se lidhur me projektligjin në fjalë nuk ka pasur mendime as nga të organizmat të cilat monitorojnë prej vitesh sistemin e drejtësisë nga  si Komisioni i Venecias, OSBE apo qoftë edhe partnerët ndërkombëtarë, ndryshe nga sa ishte proklamuar dhe garantuar publikisht nga Ministri i Drejtësisë. “Shqetësim krijon fakti se, nëse i referohemi parashtrimeve në relacionet përkatëse që shoqërojnë dy projektligjet, rezulton se për këto ndërhyrje nuk ka asnjë rekomandim të organizmave të cilat monitorojnë prej vitesh sistemin e drejtësisë. Nuk ka asnjë vlerësim apo mendim as nga Komisioni i Venecias, as nga organizmat e Këshillit të Europës apo të OSBE-së apo partnerët e tjerë ndërkombëtarë që kanë investuar deri më tani për sistemin gjyqësor në vend, ndryshe nga sa ishte proklamuar dhe garantuar publikisht nga Ministri i Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë nuk dha asnjë përgjigje për këtë fakt pas spjegimeve të kërkuara nga nëtarët e KLD, bazuar në deklarimet e vetë atij.” thuhet më tej në letër. Në këtë kuadër, Elvis Cefa shprehet se nuk janë marrë parasysh as rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë sai përket liberalizimit të ekskluzivitetit të Ministrit të Drejtësisë në kërkesat për procedim disiplinor ndaj gjyqtarëve, për krijimin e komisioneve të përhershme në Këshill. Cefa vijon më tej duke shtuar se sipas KLD, ndryshimet që vijnë me projekligjin e ri, janë në kundërshtim me raportin e fundit të GRECO, ku sipas zëvendëskryetarit kërkohet sigurimi në ligj i mbrojtjes kundër ndërhyrjeve arbitrare në administrimin e drejtësisë. “Në mendimin e Këshillit, Këto ndryshime vijnë në kundërshtim edhe me raportin e fundit të GRECO dhe rekomandimet e tij, por jo vetëm. Në këto rekomandime kërkohet sigurimi në ligj i mbrojtjes kundër ndërhyrjeve arbitrare në administrimin e drejtësisë. GRECO ka kërkuar të bëhen ndryshime në këtë ligj konkretisht lidhur me të drejtën e Ministrit të Drejtësisë për të shqyrtuar funksionimin e shërbimeve gjyqësore e administrimit gjyqësor, siç parashikohet në nenin 31 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, duke zgjeruar rrethin e subjekteve që do të kenë të drejtën për të filluar apo për të kërkuar procedura disiplinore ndaj gjyqtarëve.” vijon më tej letra. Cefa argumenton më tej se projektligji për KLD ka shkelje të rënda Kushtetuese mes të cilave heqaj e së drejtës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë të verifikojë mandatin e anëtarit të KLD të zgjedhur rishtas. Ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve u miratua projektligji për disa ndryshime “Në organizimin dhe funksionimin e KLD” vetëm me votat e mazhorancës pasi nga ana e opozitës ishte prezent vetëm Nard Ndoka. Shqiptarja.com ka siguruar projektligjin e firmosur dhe të propozuar nga deputetët e mzhorancës, i cili më pas u miratua. Ky projekligj vjen në kuadër të nismës së qeverisë për të reformuar sistemin e drejtësisë.

Më poshtë letra e plotë e dërguar nga Zv/Kryetari i KLD

L ë n d a:        Mendime mbi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

  Drejtuar :       Z. FATMIR XHAFAJ

KRYETAR I KOMISIONIT PARLAMENTAR PËR ÇËSHTJET LIGJORE, ADMINISTRATËS PUBLIKE DHE TË DREJTAVE TË NJERIUT

                                   T I R A N Ë

 I nderuar Zoti Xhafaj,

 Në përgjigje të kërkesës Tuaj nr.2423, datë 09.07.2014 në të cilën kërkohet opinionet dhe sygjerimet e KLD për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, bashkëlidhur do të gjeni mendimet e anëtarëve të Këshillit lidhur me projektligjin në fjalë të shprehura në mbledhjen plenare të datës 07.07.2014.

 Duke Ju falenderuar paraprakisht,

ZËVENDËSKRYETARI

  ELVIS ÇEFA

L ë n d a:        Mendime mbi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

Drejtuar :       Z. NASIP NAÇO

MINISTËR I DREJTËSISË

                                    T I R A N Ë

  I nderuar Zoti Naço,

 Në përgjigje të kërkesës Tuaj nr.3676, datë 19.05.2014 në të cilën kërkohet opinionet dhe sygjerimet e KLD për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, bashkëlidhur do të gjeni mendimet e anëtarëve të Këshillit lidhur me projektligjin në fjalë të shprehura në mbledhjen plenare të datës 07.07.2014.

  Duke Ju falenderuar paraprakisht,

ZËVENDËSKRYETARI

ELVIS ÇEFA

  

Mendime mbi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

(të miratuara në mbledhjen plenare të datës 07.07.2014)

 Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpreh vullnetin e plotë të për të vijuar reformat që ai vetë ka nisur prej kohësh tashmë në sistemin gjyqësor. Këshilli beson se reformimi cilësor i sistemit të drejtësisë është një proces që duhet të vijojë me ritme edhe më të shpejta, por pa anashkaluar rolin kontribues pozitiv të vetë gjyqësorit në të.

 Tashmë prej disa javësh nga Ministri i Drejtësisë është hartuar një projektligj i cili synon të ndryshojë disa dispozita në ligjin organik “Për organizimin dhe funksionimin e KLD”. Pothuajse i njëjti projektligj, është hartuar edhe nga një grup deputetësh të Kuvëndit të Shqipërisë.

 Ky projektligj është diskutuar në një nga mbledhjet e fundit plenare të Këshillit. Sipas shumicës së nëtarëve të KLD përgjithësisht ky projektligj nuk sjell asnjë të re në punën e Këshillit, por synon realisht zvogëlimin e kompetencave të tij.

 Në këtë projektligj, nuk janë respektuar rregullat dhe parimet bazë që praktika e deritanishme ka sanksionuar në krijimin e një projektligji. Pavarësisht se Kushtetuta i ka dhënë të drejtën e nismës legjislative Qeverisë, një grupi deputetësh, një deputeti të vetëm apo 20 mijë zgjedhësve, tashmë në Shqipëri janë krijuar disa standarde në procesin legjislativ, falë edhe bashkëpunimit me faktorë ndërkombëtarë.

 Konsultimi, ka qenë dhe duhej të ishte një ndër standardet e vlerësimit të çdo projektligji, pavaresisht nga nismëtari. Një gjë e tillë është sidomos e domosdoshme kur bëhet fjalë për një projektligj të rëndësishëm që bën rregullimin e një organi kushtetues dhe të pavarur. Për Këshillin, kjo mënyrë të vepruari është shqetësuese, pasi asnjë konsultim paraprak nuk është bërë me KLD. Gjithashtu ky proces, në dijeninë dhe informacionin tonë, nuk ka patur kohë fizike që të bëhet me asnjë nga palët realisht të interesuara.

 Kjo është hera e parë, në të gjithë iniciativën legjislative shqiptare, që të mos bëhet një grup ndërinstitucional pune. Në dijeninë e Këshillit, për iniciativa të ngjashme parlamentare, që prej vitit 1991, ka patur gjithmonë një metodikë pune ndërinstitucionale, në emër të parimeve që duhet të karakterizojnë një shtet ligjor.

 Shqetësim krijon fakti se, nëse i referohemi parashtrimeve në relacionet përkatëse që shoqërojnë dy projektligjet, rezulton se për këto ndërhyrje nuk ka asnjë rekomandim të organizmave të cilat monitorojnë prej vitesh sistemin e drejtësisë. Nuk ka asnjë vlerësim apo mendim as nga Komisioni i Venecias, as nga organizmat e Këshillit të Europës apo të OSBE-së apo partnerët e tjerë ndërkombëtarë që kanë investuar deri më tani për sistemin gjyqësor në vend, ndryshe nga sa ishte proklamuar dhe garantuar publikisht nga Ministri i Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë nuk dha asnjë përgjigje për këtë fakt pas spjegimeve të kërkuara nga nëtarët e KLD, bazuar në deklarimet e vetë atij.

 Nga praktika e mëparshme legjislative, në të gjitha nismat ku ka patur një lloj prekjeje për ndryshime të aspekteve kushtetuese, mendimi i Komisionit të Venecias ka qenë i padiskutueshëm dha asnjë veprim nuk është bërë as nga Qeveria, as nga Parlamenti, dhe as nga Gjykata Kushtetuese kur janë kërkuar opinionet Amicus Curiae.

 Anëtarët e Këshillit konstatojnë me shqetësim se në këtë projektligj nuk janë marrë parasysh ndërhyrjet dhe rregullimet e rekomanduara prej vitesh nga partnerët ndërkombëtarë. Konkretisht bëhet fjalë për rregullimin me ligj të kompetencave të dy inspektorateve; për liberalizimin e ekskluzivitetit të Ministrit të Drejtësisë në kërkesat për procedim disiplinor ndaj gjyqtarëve, për krijimin e komisioneve të përhershme në Këshill.

 Në mendimin e Këshillit, Këto ndryshime vijnë në kundërshtim edhe me raportin e fundit të GRECO dhe rekomandimet e tij, por jo vetëm. Në këto rekomandime kërkohet sigurimi në ligj i mbrojtjes kundër ndërhyrjeve arbitrare në administrimin e drejtësisë. GRECO ka kërkuar të bëhen ndryshime në këtë ligj konkretisht lidhur me të drejtën e Ministrit të Drejtësisë për të shqyrtuar funksionimin e shërbimeve gjyqësore e administrimit gjyqësor, siç parashikohet në nenin 31 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, duke zgjeruar rrethin e subjekteve që do të kenë të drejtën për të filluar apo për të kërkuar procedura disiplinore ndaj gjyqtarëve. Pra siç shihet qartë asnjë nga rekomandimet e GRECO nuk është përfshirë në ketë projektligj.

 E meta kryesore e këtij projektligji, në vlerësimin e anëtarëve është fakti se ka probleme të rënda kushtetuese. Në këtë kontekst, me këto ndryshime ligjore, cënohet Parimi i ndarjes së pushteteve, konkretisht marrëdhëniet ndërmjet Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Parlamentit apo marrëdhëniet midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ekzekutivit. Sot ka një jurisprudencë shumë të pasur të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka dizenjuar në mënyrë të qartë aspektet dhe ka theksuar fort parimet mbi të cilat ndërtohet shteti, por kjo nuk është marrë aspak në konsideratë. Për Këshillin, përbën shqetësim procedura e ndjekur e cila e vendos KLD në trysni dhe nuk zgjidh problemin, por zhyt sistemin gjyqësor në anarki.

 Me këto ndryshime ligjore i hiqet e drejta Këshillit të Lartë të Drejtësisë të verifikojë mandatin e anëtarit të KLD të zgjedhur rishtas. Verifikimi i mandatit të një anëtari të ri të tij, është një e drejtë substanciale, në kuadër të pavarësisë kushtetuese institucionale që ka çdo organ kushtetues. Heqja e kësaj të drejte krijon konflikt të pastër kompetencash midis Parlamentit me Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo Konferencës Gjyqësore në një rast tjetër.

Ky projektligj perveçse bie ndesh me Kushtetuten, bie në konflikt të hapur edhe me disa ligje të tjera që rregullojnë sistemin gjyqësor, siç është ligji për Konferencën Kombëtare Gjyqësore, apo ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”. Për mendimin tonë, në shkelje të të gjitha parimeve kushtetuese po i hiqet sovraniteti këtij Këshilli, po cënohet në mënyrë siguria juridike dhe po minohet sistemi gjyqësor.

 Realisht shqetësues është fakti se në dy relacionet që shoqërojne përkatësisht dy projektligjet, ka fakte krejtësisht të pavërteta madje abuzive. KLD e ndjen për detyre të sqarojë publikisht të vërtetat. Në ato relacione, pretendohet mosmbajtja e proces-verbaleve të mbledhjeve!!! – E vërteta është se seancat plenare të Këshillit regjistrohen audio prej vitesh, dhe më pas çdo fjalë e thënë nga secili anëtar zbardhet në formën e një procesverbali të shkruar, i cili nënshkruhet sipas ligjit nga Zëvëndëskryetari dhe është në dispozicion të çdo anëtari dhe jovetëm, nëse kërkohet, natyrisht duke respektuar rregullat e përcaktuara në ligje të tjera që rregullojnë kët fushë.

 Në mënyrë krejtësisht abuzive në relacione është pasqyruar një tjetër e pavërtetë e madhe në pretendimin se : “….në praktikë vihet re tendenca e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të dhënë dorëheqjen përpara mbarimit të mandatit, duke u promovuar në sistemin gjyqësor…”. – E vërteta është se asnjë rast i tillë nuk ka ndodhur! Kjo e pavërtetë krijon dyshim të arësyeshëm që kjo nismë ligjore nuk ka qëllim rregullimin e të metave në ligjin aktualisht në fuqi!

 Duke mbetur i hapur për një bashkëpunim në reformën në sistemin gjyqësor, Këshilli I Lartë I Drejtësisë sqaron se në vitin 2012, një grup pune për ndryshimin e ligjit për KLD-në në të cilin ka pasur përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë dhe nga vetë KLD, ka hartuar një draft në lidhje me disa ndryshime në ligjin organik të KLD dhe jo vetëm. Ky draft është çertifikuar edhe nga Minisioni EURALIUS dhe propozimet konkrete janë si më poshtë:

– Parashikimi në ligj i funksionimit të komisioneve të brendshme të përhershme në KLD, me të drejtë propozimi në mbledhje plenare.

– Përcaktimi i rolit të anëtarëve të KLD-së duke rritur pjesëmarrjen dhe detyrat e tyre në veprimtarinë e përditshme të Këshillit.

– Ndryshime në ligjit “Për pushtetin gjyqësor” në lidhje me pozicionin e Ministrit në procedimin disiplinor.

–  Ndryshime në ligjin për buxhetin gjyqësor me qëllim që Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, e krijuar me ligjin e vitit 1998, të atashohet në KLD.

– Ndryshime në ligjin për Gjykatën e Lartë, për ta përfshirë atë në sistemin e drejtësisë duke pasur akses edhe KLD në emërimet si dhe për kontrollin e gjyqtarëve.

– Parashikimi në ligj i rasteve dhe mënrës së shkarkimit nga funksioni i gjyqtarit në rastin e përcaktimit të paaftësisë fizike dhe mendore të tij. Sot nuk ka asnjë dispozitë ligjore që rregullon këtë procedurë.

– Përcaktimi i numrit të gjyqtarëve në gjykata të ndryshme të kalojnë në kompetencën e KLD. Në mënyrën se si janë hartuar sot këto procedura, zvarrisin mirëfunksionim e sistemit të drejtësisë,

– Përcaktimi i organikës së çdo gjykate me staf ndihmës, të jetë kompetencë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

 Për fat të keq, sot asnjë nga këto propozime nuk janë marrë në konsideratë në projektligjin e paraqitur për mendim, pikërisht për shkak të anashkalimit të konsultimeve paraprake me KLD.

 Referuar sa më sipër, në këto ndryshime ligjore Këshilli i Lartë i Drejtësisë konstaton një synim për të marrë kompetencat e një organi kushtetues. Tentativa dhe marrja e kompetencave të organeve kushtetuese është një rrezik serioz ndaj parimeve bazë të shtetit të së drejtës.

 Në respekt të përgjegjësive, për detyrën që kemi, ne duam të sjellim në vëmendjen tuaj pikërisht këto fakte që nënvizuam, në mënyrë që gjërat të shihen në një dimension real, të vërtetë dhe me thellësinë që meritojnë.

 Në mendimin tonë, në mënyrën më emergjente, duhet të stopohet ritmi i këtij procesi, i cili mund të ketë pasoja shumë të rënda dhe të pariparueshme, me qëllim që të vendoset një konsultim institucional dhe i ndershëm.

 Këshilli i Lartë i Drejtësisë