Çdo vendim i qeverisë të jetë i mirëstudiuar

462
Presidenti Meta: Qeveria të jetë më e interesuar për dialog me opozitën.
Në një kohë kur politika ‘zien’ nga tensionet dhe përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës, ku ‘molla e sherrit’ është bërë taksa për Rrugën e Kombit, vjen reagimi i presidentit Ilir Meta.
Meta: Banorët kanë të drejtë të kërkojnë llogari
Presidenti Meta dha mesazhin e qartë se mes palëve duhet të ketë dialog. Presidenti Meta u doli në krah banorëve të Kukësit, ata kanë të drejtë të kërkojnë llogari. “Qeveria të jetë më e interesuar për dialog me opozitën. Taksa, e drejtë e komunitetit të ketë kërkesë llogarie. Protesta forcon ndjenjën e llogaridhënies së qeverisë. Shpresoj në një reflektim dhe në dialog për çështjen. Dialogu ndihmon në përmirësimin e qeverisjes së vendit”, tha Meta. Ndërkohë kreu i shtetit nuk ka mbështetur idenë e mospagimit të taksave, duke shtuar se; “Shteti qëndron në këmbë falë tyre”. Kujtojmë se pas protestave të banorëve të Kukësit dhe jo vetëm, kryeministri u tërhoq nga vendimi për taksën 10 euro (vajtje-ardhje), ndërsa theksoi se rasti në fjalë do të rishikohet.

Shpresoj në dialog
Presidenti Meta: Besoj se jam përpjekur të jap mesazhet e duhura. Megjithatë dua të theksoj se ne nuk e kemi luksin as ‘të këpusim një lule’ meqenëse ato kanë filluar të çelin për shkak të pranverës, dhe për shkak edhe të dëmeve që vendi ka pësuar në të kaluarën nga mungesa e dialogut dhe nga fryma e përjashtimit dhe konfrontimit. Është e domosdoshme që çdo vendim që ka të bëjë me qeverisjen të jetë i mirëstudiuar dhe i mirëkonsultuar dhe është e drejtë e çdo qytetari, e çdo komuniteti të kërkojë dhe të forcojë ndjenjën e llogaridhënies ndaj qeverisjes qendrore edhe vendore për çdo taksë që paguajnë apo për çdo shërbim që duhet të udhëtohet. Besoj se mesazhi im ka qenë dhe mbetet i qartë. Opozita ka të gjitha mundësitë që të shfrytëzojë instrumentet e saj për të rritur kontrollin parlamentar ashtu sikurse maxhoranca duhet të jetë më e interesuar për dialog të qëndrueshëm me opozitën, grupet e interesit, me komunitetet, me qytetarët në mënyrë që të evitohet çdo shkak për tensione të panevojshme dhe për konflikte që nuk i shërbejnë as vendit, as qytetarëve dhe as një qeverisje më të mirë dhe as një demokracie për të cilën të gjithë duhet të kontribuojmë më shumë.
Sigal