Carolina Ramos Da Costa: Bëni sa më shpejt Reformën Zgjedhore

77

Gazeta Telegraf/


Alarmohet OSBE për
zgjedhjet e përgjithshme parlametare në 2017

Dezdemona Porja

Prezenca e
OSBE-së në Shqipëri bëri thirrje dje për fillimin dhe përmbylljen në kohë të
reformës zgjedhore. Duke folur në seminarin për financimin e partive politike
dhe të fushatave zgjedhore, të organizuar nga Këshilli i Evropës dhe
Delegacioni i Bashkimit Evropian, përfaqësuesja e Prezencës së OSBE-së, shefja
e zyrës politike Carolina Ramos Da Costa, tha: “Ka mbetur vetëm një muaj e
gjysmë deri në fillimin zyrtar të përgatitjeve, mandati i komisionit të posaçëm
të reformës zgjedhore skadon më 9 dhjetor dhe procesi i reformës zgjedhore nuk
ka nisur ende. E thënë thjesht, nuk ka më kohë për të humbur”!

Ajo përcolli
mesazhin e Kryetarit të Prezencës, ambasadorit Bernd Borchardt, që komisioni i
posaçëm për reformën zgjedhore të mblidhet dhe të rifillojë punën, me kapacitet
të plotë, sa më shpejt që të jetë e mundur. Lidhur me çështjen e financimit,
Ramos Da Costa tha se, legjislacioni duhet të përpiqet të arrijë një balancë
mes nxitjes së kontributeve të moderuara dhe kufizimit të kontributeve tepër të
mëdha. Ajo tha se, me gjithë përpjekjet për të përmirësuar kornizën ligjore të
financimit të partive politike, mbeten pas zbatimi i legjislacionit si dhe
sanksionet dhe masat parandaluese. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nevojë të
fuqizohet nga ana ligjore për të monitoruar si duhet financat e partive dhe
fushatat zgjedhore, si dhe ka nevojë për kapacitetet financiare e njerëzore për
të bërë verifikime të mëtejshme”, tha ajo.

Ramos Da Costa
bëri edhe disa sugjerime, si ngritja e platformave për raportimin e shpenzimeve
të partive politike dhe rasteve të dyshuara të korrupsionit; vendosja e
përgjegjësive të brendshme të qarta në KQZ për mbikëqyrjen e financave të
partive; pajisjen e partive politike me një program kompjuterik financiar vetëm
për financimet e partive politike; si dhe botimin nga KQZ-ja të çmimeve të
referencës për veprimtaritë zgjedhore.

 

Fjala e plotë e
Carolina Ramos Da Costa

Më vjen mirë që ndodhem
sot këtu për të ndarë me ju perspektivën e OSBE-së për financimin e partive
politike dhe të fushatave zgjedhore në Shqipëri. Por, përpara se ta bëj këtë,
më lejoni të ndaj me ju shqetësimin tonë më të madh: zgjedhjet po vijnë, ka
mbetur vetëm një muaj e gjysmë deri në fillimin zyrtar të përgatitjeve, mandati
i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore skadon më 9 dhjetor dhe procesi i
reformës zgjedhore nuk ka nisur ende. E thënë thjesht, nuk ka më kohë për të
humbur! Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e përkushtuar të ndihmojë Kuvendin
në realizimin e reformës zgjedhore, por nëse duam që ndryshimet në ligj të
zbatohen si duhet, duhet të krijojmë hapësirën e duhur kohore përpara
zgjedhjeve. Vetë ambasadori Borchardt më kërkoi që ta nxit komisionin e posaçëm
të mblidhet dhe të rifillojë punën, me kapacitet të plotë, sa më shpejt që të
jetë e mundur. Është thelbësore që reforma të përfundojë në kohën e duhur
përpara zgjedhjeve. Që kjo të bëhet realitet, komisioni duhet t’u japë
përparësi fushave të tij të punës, në mënyrë që të realizojë një reformë
zgjedhore e cila i trajton të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe që,
gjithashtu, i përfshin të gjithë aktorët në një proces transparent. Tani që ju
shpreha shqetësimin tonë më të thellë, mund të vazhdoj me çështjen e financimit
të partive dhe të zgjedhjeve. Partitë politike kanë nevojë për financimet e
duhura për të kryer funksionet e tyre bazë, si gjatë periudhave zgjedhore,
ashtu edhe mes tyre. Rregullimi i financimit të partive politike është
thelbësor për të garantuar pavarësinë e partive kundrejt ndikimeve të
papërshtatshme të krijuara nga donatorët, për t’u siguruar partive mundësinë
për të konkurruar në përputhje me parimet e mundësive të barabarta, si dhe për
të bërë transparencë në financimin politik. Financimi i partive politike përmes
kontributeve private është, gjithashtu, një formë e pjesëmarrjes politike.
Prandaj, legjislacioni duhet të përpiqet të arrijë një balancë mes nxitjes së
kontributeve të moderuara dhe kufizimit të kontributeve tepër të mëdha. Me gjithë
përpjekjet për të përmirësuar kornizën ligjore të financimit të partive
politike, mbeten pas zbatimi i legjislacionit si dhe sanksionet dhe masat
parandaluese. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nevojë të fuqizohet nga ana
ligjore për të monitoruar si duhet financat e partive dhe fushatat zgjedhore,
si dhe ka nevojë për kapacitetet financiare e njerëzore për të bërë verifikime
të mëtejshme. OSBE/ODIHR-i rekomandoi më 2013 që, për të rritur transparencën e
financimit të fushatave, partitë politike duhet t’i raportojnë rregullisht
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet për
qëllime fushate dhe, më 2015, OSBE/ODIHR-i i përshpejtoi afatet për dorëzimin e
raporteve financiare te auditët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe për botimin
e tyre në kohë. KQZ-ja duhet të marrë në konsideratë vendosjen e përgjegjësive
të brendshme të qarta për mbikëqyrjen e financave të partive dhe të shkojë
përtej kontrollit thjesht formal të deklaratave të partive politike. Së bashku
me vonesat e herëpashershme në botimin e raporteve financiare të partive
politike, këto elemente e kufizojnë ndjeshëm aftësinë e organeve hetuese për të
bashkëpunuar me KQZ-në në çështjet anti-korrupsion dhe, megjithëse
legjislacioni e lejon një bashkëpunim të tillë, nuk është ngritur asnjë
mekanizëm për bashkërendimin ndërinstitucional. Njëkohësisht, organizatat e
shoqërisë civile raportojnë për një mungesë bashkëpunimi dhe përgjigjeje nga
KQZ-ja në marrjen e informacionit financiar për partitë politike. Mund të
merret parasysh ngritja e platformave për raportimin e shpenzimeve të partive
politike si dhe të rasteve të dyshuara të korrupsionit, së bashku me proceset e
konsultimit me organizatat e shoqërisë civile. Një sugjerim tjetër është që
partitë politike të pajisjen me një program kompjuterik financiar vetëm për
financimet e partive politike. Një program i tillë do të thjeshtonte procesin e
regjistrimit dhe raportimit të informacionit financiar. Për më tepër, sisteme
të tilla lehtësojnë bashkëpunimin ndërinstitucional si dhe shkëmbimin e
informacionit mes organeve të ndryshme që veprojnë në parandalimin e
korrupsionit. Procesi që ka filluar për të futur një sistem të tillë në
Shqipëri duhet të vlerësohet më thellë, duke pasur parasysh rritjen e
bashkëpunimit me organet e tjera anti-korrupsion. Një sugjerim i fundit: Ne e
konsiderojmë si tejet të rëndësishëm botimin nga KQZ-ja të çmimeve të
referencës për veprimtaritë zgjedhore. Cili është çmimi i një veprimtarie me
300 apo 3,000 njerëz? Cili është çmimi i një pankarte të vogël ose të madhe?
Cila është kostoja e një zyre zgjedhore në Tiranë, Koplik apo Leskovik? Duke
pasur parasysh rëndësinë dhe urgjencën e këtyre çështjeve, do t’i ftoj të
gjithë të pranishmit në këtë veprimtari që të kontribuojnë me ide dhe propozime
për përballimin e këtyre sfidave në mënyrën e duhur dhe tërësore