Çamët, edhe 3 ditë afat për të dalë nga Qeveria

513
Sigal

Rezoluta për Çamërinë/ Në limitet e fundit që partia e çamëve të bëjë ose jo divorcin me maxhorancën aktuale

Një nga aleatët më të rëndësishëm të qeverisë, Shpëtim Idrizi i PDIU-së, pritet të shkaktojë këto ditë tronditjen e madhe në qeverisjen e vendit. Sipas premtimit që ka bërë publikisht kreu i partisë së çamëve, nëse nuk miratohet brenda këtij viti Rezoluta për Çamërinë, dy deputetët çamë do të shpallin divorcin me qeverinë e Berishës. Vetëm dhjetë ditë më parë, Shpëtim Idrizi ka deklaruar në formë kërcënuese se do të dalë edhe vetë nga politika, nëse nuk miratohet kjo rezolutë. Në fakt, është një moment kritik për këtë parti, pasi një rezolutë e tillë është refuzuar dhe vazhdon të refuzohet nga të dy forcat më të mëdha politike në vend prej dy dekadash. Sidomos tani nuk është momenti I duhur as për maxhorancën dhe as për opozitën, kur vetëm 6 muaj na ndajnë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Asnjë nga partitë e mëdha që lakmojnë dhe pretendojnë pushtetin nuk duan të etiketohen si nacionaliste. Mirëpo, Idrizi ka bërë një deklaratë dhe dihet se ai bëri kompromisin e madh të aleancës me qeverinë aktuale, duke e kushtëzuar këtë me rezolutën për Çamërinë. Pavarësisht nga emfaza atdhetare, rezoluta do t’i hapë punë qeverisë aktuale, e cila sipas të gjitha gjasave do ta shtyjë atë për në kalendat greke. Premtimi i madh i Idrizit se do të dalë nga qeveria nëse nuk miratohet rezoluta aktualisht ka vetëm tri ditë afat, sepse edhe tri ditë parlament ka për këtë vit. Përndryshe, Idrizi ose do të largohet nga qeveria, duke shkaktuar një çarje të konsiderueshme në qeveri, ose do të hajë “turpin me bukë” dhe do të vazhdojë të mbajë ison e kësaj qeverie.

Rezoluta Çame, Idrizi: “Nëse PD nuk e voton, PDIU del nga qeveria, unë nga politika”

 Shpëtim Idrizi, duke folur për emisionin “Tonight” më 15 dhjetor, ka thënë se PDIU do të dalë nga koalicioni nëse PD nuk voton pro rezolutës çame. Madje, ai ka thënë se do të dalë edhe vetë nga politika, nëse nuk miratohet kjo rezolutë. “Një rezolutë e ngjashme u hodh në 2004, u rrëzua, por sot kuptoj që ishte një truk, pasi ajo u fut për votim pa kuorumin në parlament. Sot Shqipëria nuk është ajo e 2004, jemi në NATO, lëvizim lirisht. Ka ndërkombëtarizim të Çështjes Çame, mbi të gjitha edhe partitë politike çështjen çame e kanë në programin e tyre. Donte një kohë paraprake, por pse jo edhe në kuadër të 100- vjetorit është momenti oportun që kjo rezolutë, në nderin e parlamentit të miratohet”, ka thënë ai.  “Në sekondë do dalim nga qeveria nëse PD nuk do e votojë rezolutën. Nuk do të jemi me atë forcë, as në zgjedhje, as në qeveri. Kjo vlen dhe për PS. Ne u kemi lënë të gjithë kohën e duhur, në momentin që vjen me argument, presim ta votojnë të gjithë”, ka thënë Idrizi. “Unë i qëndroj rezolutës dhe deklaratës sime, që nëse nuk miratohet, do të tërhiqem nga politika jo për fajin tim, por si protestë, që kjo çështje të marrë zgjidhje. Por, do të mbështes fort politikisht PDIU në zgjedhjet e 2013, për të marrë ato 5 mandate që ju thashë”, ka përfunduar Idrizi.

 24 korrik 2012

“Një rezolutë për Çështjen Çame do të përmbajë parimet udhëheqëse të diplomacisë shqiptare në lidhje me trajtimin eventual të çështjes çame në përputhje me dokumentet ndërkombëtare, marrëveshjet, aspiratat tona në përputhje me kushtetutën e vendit dhe ligjet në fuqi, pra asgjë të papritur, asgjë problematike”, thotë Shpëtim Idrizi për Javën në një intervistë, dhe merret vesh se e ka fjalën për projekt/rezolutën që ai e ka gati për ta futur gjatë shtatorit në parlament, e cila bën vaki të krijojë një situatë të sikletshme për ca e ca. Por Idrizi e ka lajmëruar këtë aksion, e nuk ka asnjë gjasë që situata të tilla ta shkurajojnë apo frenojnë. Të paktën, ky është mesazhi që ai përcjell. Do të kalojë në Kuvend një rezolutë e tillë? “Ne e dimë se me dëshirë partitë kryesore nuk do ta miratonin një dokument të tillë”, thotë Idrizi duke lënë të nënkuptohet një kompleks varësie e nënshtrimi të PD-së e PS-së ndaj Athinës. Por aty për aty provon të vërë në sedër deputetët një e nga një, duke u ngacmuar nervin patriotik: “Në parlament ka burra dhe gra patriote që do ta kryejnë këtë borxh ndaj popullsisë çame”. “Do ta jepni dorëheqjen, siç keni kërcënuar, në rast se Kuvendi do t’i thotë jo rezolutës?”, pyet Minxhozi. Përgjigjja e Idrizit është: “Ai do të përfaqësonte reagimin tim ndaj dyfaqësisë, apo pafytyrësisë eventuale së politikës së ditës në Shqipëri. Por unë nuk besoj se jemi në rrethanat kur rezoluta, një tekst krejtësisht normal në përputhje me aktet ndërkombëtare, me frymën integruese, do të refuzohej nga partitë kryesore parlamentare.”

 Rezoluta për Çështjen Çame në Kuvend: “Të njihet gjenocidi grek, të rikthehen pronat”

 Dy deputetët e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri dorëzuan zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë, Rezolutën për Zgjidhjen e Çështjes Çame. Pasi depozituan në Kuvend rezolutën që përmban 13 pika, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deklaroi përpara gazetarëve se rezoluta, që u adresohet të gjithë deputetëve të Parlamentit, është amaneti i mijëra shqiptarëve të Çamërisë që u vranë dhe u masakruan.

13 pikat e Rezolutës

1. Rezoluta njeh, mbështet, dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi gjenocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to, si dhe frymën e Traktatit të miqësisë midis dy vendeve.

2. Kërkon rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare.

3. Kërkon shfuqizimin shprehimisht të Ligjit grek të Luftës nr. 2636 dhe 2637/1940 i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare

4.Kërkon shtrirjen  efekteve të ligjit grek 1540/1985 “për rregullimin e refugjatëve”, tek të gjithë shtetasit grekë të larguar si pasojë e konfliktit civil, pa diskriminim kombësinë e tyre, ligj që bie në kundërshtim me shumë akte ndërkombëtare, për mosdiskrimimin mbi bazë kombësie, race, feje, etj;

5.Kërkon nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, që së bashku me Qeverinë e Republikës së Greqisë, të riaktivizojë Komisionet e Posaçme Dypalëshe, të sanksionuara në Traktatin e Miqësisë, të shqyrtojnë çështjen, të njohin përmasat e saj, të përpunojnë zgjidhjet e duhura në këtë drejtim;

6. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, të padëbuar nga trojet e tyre amtare dhe të kërkojë njohjen e statusit të minoritetit etnik për ata;

7. Kërkon ngritjen në Paramithi dhe Filat, të dy lapidarëve, që do të përkujtojnë gratë, pleqtë, e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve kryera nga njësitë paramilitare greke.

8. Kërkon mundësinë e ngritjes apo përkujdesjes për varrezat e çamëve, ish qytetarëve grekë, të vrarë gjatë gjenocidit grek;

9. Ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që të pasqyrojë, në mënyrë të përshtatshme dhe në proporcionalitet, historinë e kësaj pjese të popullsisë shqiptare në tekstet shkollore;

10. Ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe sporteve që, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe me ministrinë homologe të Republikës së Greqisë, të promovojë vlerat kulturore të tyre dhe objektet kulturore që gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe Ministrisë së Arsimit dhe të shkencës t’i kërkojë Ministrisë homologe të nxisë heqjen në tekstet greke të referimeve fyese dhe diskriminuese ndaj popullsisë çame;

11. Ngarkon Qeverinë shqiptare, që në përputhje me këtë Rezolutë, t’i shprehë palës greke në kontaktet diplomatike qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me këtë problem;

12. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare.

13. I rezervon vetes të drejtën që në rast reagimi refuzues të palës greke, për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi, ta paraqesë çështjen në instancat ndërkombëtare adekuate.

 Flet për “Telegraf”

Artan Dojaka, kryetari i “Lëvizja Çame”

Shpëtim Idrizi nuk është bashkuar në qeverisje për të zgjidhur Çështjen Çame dhe qëndrimi i tij, ose jo në maxhorancë nuk ka ndonjë interes për komunitetin tonë çam. Zoti Idrizi, me Rezolutën që thotë se ka dërguar në Kuvend, nuk është konsultuar më asnjë aktor e faktor politik këtu në Shqipëri dhe për më keq, nuk është konsultuar as me Komunitetin Çam. Zoti Idrizi ka tre vjet e gjysmë, që nuk bëri asgjë, por përkundrazi e çoi Çështjen Çame mbrapa dhe tani, në sekondat e fundit, thotë se ka dorëzuar Rezolutën. Zoti Idrizi mashtron me rezolutën, ndaj edhe Komuniteti Çam nuk ka të bëjë fare qenien e Idrizit në maxhorancë, apo në marrëdhëniet e tij me opozitën.