Sigal

Fjala në Kuvend e deputetes së LSI-së, Silva Caka

Meqenëse jemi thuajse në fund të diskutimit dhe pak a shumë i kemi dëgjuar të gjitha diskutimet e maxhorancës, më lejoni që t’iu bëj një evidentim, me të drejtë apo pa të drejtë pak rëndësi ka. Në 3 orë që maxhoranca ka pasur në dispozicionin e saj për të folur për këtë nisëm kushtetuese, më është dukur se kam dëgjuar absolutisht nga të gjithë të njëjtat fjalë, edhe pse kanë pasur secili nga 15 minuta për të folur nga folësit e maxhorancës. Aq sa më kanë kujtuar ato komentet që duheshin bërë meqenëse po flet kryeministri. Konkretisht komenti numër 7 ku thoshte që arsimi në Gjermani është vërtetë falas po shteti të takson 60% të rrogës dhe të të ardhurave.

Pikërisht jeni dukur sot si Freshistët sufllaqexhinj të cilët orientohen nga Fuga me shokë, me makinerinë e tyre të propagandës. Është e thjeshtë në fakt ta kuptosh se pse ndodh kjo. Sepse të flasësh për Vettingun e politikanëve në këtë sallë, me këta deputetë, me këtë kryeministër, me këta ministra dhe me ata kryebashkiakë që kanë vendosur këta, është si të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit. Për aq kohë sa kanë në grupin e tyre parlamentar deputetë e kryetar grupi të lidhur me krimin e fenomene të ndryshme kriminale, kanë në qeveri ministra të cilët falsifikojnë firmën e sekretarëve të shtetit të Delaware-it apo dhe të noterëve të cilët janë fantazëm, dhe nuk ekzistojnë. Dhe me ato firma japin miliona euro nga xhepat e qytetarëve shqiptarë. Kanë ministra dhe kryetarë bashkish emrat e të cilëve qarkullojnë në përgjime mafiozësh, por njëkohësisht kanë edhe një kryeministër i cili është i lidhur pazgjidhmërisht më krimin.

Është e pamundur dhe normalisht e kanë tmerr përmendjen e Vettingut të politikës. E kanë tmerr e jo më të investohen në pastrimin e radhëve të tyre. Propozimi ynë për të ndryshuar Kushtetutën me qëllim që t’i hapnim radhën vlerësimit kalimtar të politikanëve dhe krerëve të institucioneve që zgjidhen pikërisht nga kjo sallë, nga kjo kastë politikanësh. Ju erdhi si një mundësi e artë për të treguar që keni vullnetin dhe dëshirën përpara qytetarëve shqiptarë, njëkohësisht edhe komunitetit ndërkombëtar, që të pastroni radhët tuaja. Por meqenëse dhe vesi del me shpirtin dhe ju e keni të pamundur që të jetoni pa horrat edhe kriminelët në mesin tuaj.

Mungesën e vullnetit dhe dëshirës për t’iu dhënë shqiptarëve një kastë politike dinjitoze e treguat që në fillim të herës, duke e stërgjatur procesin e konsultimit të nismës kushtetuese me javë të tëra, jashtë çdo afati, kriteri dhe limiti kohor normal. Aq sa ishit të gatshëm të bënit edhe një konsultim publik me Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në Universitetin Bujqësor të Tiranës, a thua se po vetoheshin lopët, delet dhe jo politikanët që drejtojnë Shqipërinë sot. Edhe pse e kishit tashmë një opinion nga Komisioni i Venecias lidhur me procesin e rivlerësimit kalimtar, përsëri kërkuat ta investonin ekspertizën e këtij komisioni dhe me paturpërisë më të madhe, nuk pritët as vendimin final të tij, pasi e rrëzuat me votë që në diskutimin në parim. Megjithatë Komisioni i Venecias megjithë seriozitetin që e karakterizon ua dha përgjigjen kristal të qartë. Qëllimi i nismës kushtetuese  për Vettingun e politikanëve është absolutisht legjitim. Madje ky komision shkoi më larg se kaq duke theksuar se ajo çka nuk rezulton legjitime në një shtet mund të rezultojë shumë bukur legjitime në një shtet tjetër.  Vettingu i politikanëve nuk është i nevojshëm në Kanada, në Gjermani dhe nuk është i nevojshëm në Suedi. Por në Shqipëri është, madje është emergjencë kombëtare. Dhe këtë nuk e them unë, as opozita por e konfirmojnë Ddepartamenti Amerikan i Shtetit , Parlamenti Europian, Këshilli i Europës,  Komisioni Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe çdo institucion i cili dërgon raporte, opinione e çdo lloj vlerësimi tjetër lidhur me Shqipërinë, ku lidhjet e politikës me krimin, me trafikun e armëve, me drogërat e rënda dhe me skema koncesionesh PPP, janë rikthyer në vëmendjen e këtyre institucioneve pikërisht në këto 5 vitet e fundit nga ky kryeministër dhe kjo qeveri dhe nga pjesë e këtyre deputetëve. Komisioni i Venecias la të hapur bashkëpunimin dhe sigurisht gjetjes së konsensusit për të përcaktuar teknikalitetet nismës kushtetuese, por ju nuk e lexoni në mënyrë korrekte opinionin e Komisionit. Ju e deformoni atë sepse ashtu ju udhëzojnë ata që ju financuan për fushatën dhe ju sollën në pushtet. Dhe që sigurisht sot diktojnë dhe politikat dhe ligjet dhe financat tuaja. Deri më sot me propagandën dhe median që sigurisht e blini, i keni trajtuar shqiptarët si lopët e Devollit të cilat u vendosnin syze me xhama ngjyrë jeshile, për të ngrënë kashtën për jonxhë. Me këtë ligj në fakt ju keni bërë të kundërtën sepse të vetme fije bari apo të vetmen filiz shprese që ne tentuam ta sillnim ju po tentoni ta trajtoni si kashtë. Megjithatë edhe pse ju rrekeni ta trajtoni këtë nismë si kashtë e thatë dhe e kalbur edhe popullin si lopë, jeni të qartë tashmë se studentët dhe minatorët, biznesi i vogël, biznesi i madh, infermierët, mjekët dhe çdo kategori tjetër qytatarësh në Shqipëri nuk preferojnë më dhe nuk zgjedhin më që të trajtohen si lopë e si dele dhe shumë shpejt do ja u ndjeni erën dhe revoltave të cilat do tu bëjnë që toka tu dridhet nën këmbë. Prandaj ju bëni si të doni. Po të doni mos e votoni fare këtë nismë kushtetuese sepse në mos ua bëftë politika, në mos ua bëftë Kushtetuta, ligjet apo çdo institucion tjetër, Vettingun do t’ua bëjnë qytetarët.