Çahet koalicioni qeveritar

451
Sigal

 PD-ja, duke pretenduar të marrë  edhe Kryeprokurorinë, po e shkel marrëveshjen e saj me LSI-në

Prokurori i Përgjithshëm është organi i fundit jopartiak dhe i pavarur, por që ka mbetur pa u zëvendësuar nga koalicioni PD-LSI, apo sikurse thuhet ndryshe nga çifti  Berisha-Meta.  Lufta kundër kriminalitetit, përfshirja e disa pushtetarëve  në korrupsion dhe lufta për të mbajtur nën tension kundërshtarët brenda dhe jashtë koalicionit, e ka bërë këtë post shumë më të rëndësishëm dhe vendimtar për zgjedhjet e ardhshme.  Mesa duket, LSI-ja dhe vetë kreu i saj, Ilir Meta, ka qenë jashtëzakonisht i kujdesshëm në artikulimin e fjalëve dhe i është ruajtur në maksimumin e mundshëm provokimeve për këtë post  dhe i ka anashkaluar të gjitha ngacmimet e mediave për këtë çështje. Por kjo, nuk do të thotë se, Meta nuk ka pretendime për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Madje, janë përmendur shumë emra  për këtë post dhe padyshim emri më i spikatur dhe më profesional është ai i Nasip Naços, ish-prokuror i Durrësit dhe Prokurorisë Përgjithshme, gjatë kohës që në pushtet ishin socialistët, madje edhe si kundërshtar i kreut aktual të LSI-së, Ilir Metës. Janë përmendur emrat e Spartak Brahos, prokurorit të Beratit e shumë kandidaturave të tjera, të cilat nuk mungojnë tek kjo forcë. Por, mesa duket, PD-ja kërkon ta mbajë, apo ta emërojë vetë Prokurorin e ri të Përgjithshëm, duke e lënë LSI-në me gisht në gojë dhe duke mos i dhënë  të drejtën e propozimit për asnjë nga postet e pavarura. Dikur, socialistët i kishin votat për të zgjedhur  kreun e KLSH-së, por jo vetëm që nuk e bënë një gjë të tillë, por këtë post për 8 vite të qeverisjes socialiste  ia dhanë  opozita së atëhershme (përfaqësuesit republikan).  Krejt ndryshe ndodh në këtë periudhë, ku Meta mori shumë kosto për koalicionin me PD-në dhe nuk përfitoi, sipas rregullave të  transparencës së ndarjes së pushtetit atë që meritonte. Dihet, që LSI-ja mori 84 mijë vota dhe mori 4 mandate, pasi ligji i bërë nga Rama dhe Berisha ishte i tillë që penalizonte partitë e vogla, madje përfitonte padrejtësisht votat e shqiptarëve, të cilët ishin kundër dyshes PD-PS.  Ndaj, pas zgjedhjeve të  2009-s,  Meta ishte “gomonia” që shpëtoi PD-në dhe Berishën nga zgjedhjet e parakohshme dhe nëse do të futeshim në zgjedhje të reja, në atë kohë, do të kishim një qeveri  teknike  dhe se koalicioni PS-LSI  do të jepte një rezultat tmerrësisht të lartë, të tillë për të ndërmarrë edhe reforma  për ndryshimet kushtetuese.  Marrëveshja Berisha –Meta, për koalicionin  qeveritar 2009-2013, kishte veç të tjerave edhe ndarjen e pushtetit, ku LSI-ja iu ofrua 20% e posteve politike dhe administrative. Por ky 20%, si logjik, duhej të shtrihej kudo dhe në të gjitha institucionet. Por, demokratët nuk e mbajtën këtë premtim dhe harruan se me 50% të  votave, që morën, nuk mund të zgjedhin,  jo vetëm ligjërisht, por edhe moralisht,  askënd dhe në çfarëdolloj posti. Demokratët  riemëruan  Guvernatorin e Bankës, Kryetarin e ri të KLSH-së, Presidentin e Republikës, Nën/kryetarin e KLD-së, Drejtorin e ri të Shërbimit Informativ, Gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe shumë kohë më parë edhe Kreun e saj dhe atë të Gjykatës Kushtetuese. Pra, sikurse shihet, kërkesa në heshtje e Metës për të propozuar brenda të gjitha parametrave një personalitet që i plotëson kriteret, është e drejtë dhe pjesë e marrëveshjes së 2009-s. Nëse Berisha nuk do e mbajë premtimin dhe në  postin e Prokurorit të Përgjithshëm do të emërohet një propozim i demokratëve, LSI-ja do të jetë shumë pranë divorcit me PD-në, për të mos thënë se do shënojë ndarjen përfundimtare,  e cila nuk do kompensohet me asnjë lloj marrëveshjeje tjetër midis Berishës dhe Metës. Këtu kemi parasysh edhe qejfmbetjet e Metës dhe loja që u bë me të gjatë gjyqit të famshëm të Priftit, ku ky i fundit ndante paratë me zv/ministrin dhe nuk merrej në pyetje, ndërkohë që, nxitej për lloj-lloj shpifjesh me qëllimin final denigrimin, pse jo dhe si shkak për burgosjen e Metës.  Dhe zgjedhjet e fundit treguan se një koalicion midis Metës dhe Ramës  bëhet shumë i fuqishëm dhe sondazhet, apo përllogaritjet e zgjedhjeve të fundit, i japin këtyre forcave mbi 84 deputetë . Ky numër është i mjaftueshëm për të ndërmarrë reforma të gjithanshme. Burime konfidenciale dhe tejet të sigurta, të verifikuara në të dyja partitë, treguan  se Rama do i ofrojë Metës në 2013-n 40%  të pushtetit dhe në 2 vitet e para postin e kryeministrit . Dhe kjo ka një logjikë, pasi PS-ja sot ka 0% pushtet dhe nëse i humbet edhe në 2013-n, të gjithë duhet të ikin, duke filluar nga Rama, Sekretari i Përgjithshëm Ruçi, e të tjerë me radhë. Ndaj, të marrësh 60 % pushtet, të konsolidosh atë lokal dhe këshillat e qarqeve, që automatikisht, pas 2013-s i rikthehen socialistëve, nuk është pak. Ndaj, sot Kryetari  i LSI-së, Ilir Meta, do të takohet me Presidentin Bujar Nishani për t’i shprehur atij hapur qëndrimin e LSI-së dhe arsyen se përse LSI-ja nuk do e votojë Prokurorin e Përgjithshëm, kur  kreu i shtetit ta dërgojë propozimin e tij në Parlament. Nuk ka dyshim që kërkesa e demokratëve, që prokurori i ri të jetë një figurë  me integritet është shumë pak dhe nuk thotë asnjë gjë se kush do e propozojë një përfaqësues të tillë, kur dihet që vetë ata që do e përfaqësojnë nuk e kanë atributin dhe mandatin popullor ta propozojnë një gjë të tillë. Mesa duket, ky do të jetë edhe fundi i një marrëveshje, të nisur katër vite më parë, midis PD-së dhe LSI-së. Gjatë ditës së djeshme, Ilir Meta dhe Gramoz Ruçi kanë qenë së bashku, në nderim të heronjve të luftës Nacional-Çlirimtare, pranë varrezave të Dëshmorëve të Kombit. Me gjithë  mbylljen e dyerve, nga  pinjollët  e bashkëpunëtorëve të  nazifashistëve dhe trashëgimtarëve të ballistëve dhe legalistëve, LSI-ja dhe PS-ja shpërthyen dyert e kyçura të Varrezave të Dëshmorëve, për të vendosur tufa me lule tek bijtë e tyre. Përveç bisedave për figurat e kombit  dhe ngjarjeve më të fundit, ku nderohen tradhtarët, ndërsa  heronjtë,  si Bab Myslymi, apo Heronjtë e Vigut, zhvarrosen dhe zhvendosen nga piedestali i tyre. Mesa duket, fundi i Nëntorit do të shënojë edhe fillimin e çarjes së madhe të koalicionit PD-LSI dhe paralajmërimin për zgjedhjet e reja, pse jo edhe  të parakohshme dhe shkak është monopoli nga PD-ja dhe shkelja e marrëveshjes prej saj. Ndoshta Presidenti Nishani është shansi i fundit për të shpëtuar qeverisjen e PD-së  dhe kjo varet më shumë se kurrë nga takimi i sotëm i tij me Ilir Metën.