Çahen kundërshtarët e Bashës, Patozi kundër Kullurit e Harxhit

385
Anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri dhe Edit Harxhi, kanë hartuar një listë me propozime për ndryshime në statutin e partisë për ta demokratizuar së brendshmi. Edvin Kulluri u shpreh se bëhet fjalë për 15 propozime që synojnë të kufizojnë fuqinë e kryetarit dhe e bëjnë PD-në kolegjiale. “Bëhet fjalë për rreth 15 propozime në PD, që i përket pjesës organizative dhe strukturore. Ndryshimet kanë të bëjnë me forcimin dhe ngritjen e disa strukturave të reja në parti. Me forcim kemi së pari parasysh forcimin e Këshillit Kombëtar për ta forcuar këtë këshill dhe për ta kufizuar pushtetin e kryetarit. Duhet të ketë një kryetar të këshillit. Propozimi i dytë është mbledhja më frekuente e Kuvendit Kombëtar të partisë dhe ulja e numrit të delegatëve. Herën e fundit janë mbledhur 5-6 mijë delegatë, nuk është efiçente dhe janë fasada demokratike”, tha Kulluri. Sipas tij, duhet të ngrihet një komision, që do të jetë komitet i karrierës, i cili do të filtrojë kandidaturat për t’i çuar pranë selisë qendrore. “Kemi njerëz që nuk kanë lidhje me PD-në dhe Rama bën këtë që bën, sepse nuk kemi opozitë. Kriza nuk është kriza Basha, është e demokratëve. Për këto ndryshime na kanë këshilluar dhe partnerët gjermanë, sepse është diçka shumë serioze. Në Kuvendin e ardhshëm ne synojmë t’i paraqesim këto propozime”, u shpreh anëtari i Këshillit Kombëtar demokrat.
Astrit Patozi, ish-nënkryetar i Partisë Demokratike, u shpreh se as e ka lexuar dhe as ka lidhje fare me tekstin e propozuar nga Kulluri dhe Harxhi. “Natyrisht, nuk e paragjykoj dot atë nismë, sepse mendoj që çdo anëtar apo grup anëtarësh të Partisë Demokratike është në të drejtën e vet që të paraqesë ide apo opinione në shërbim të forcës sonë politike, ashtu siç secili e mendon. Për sa më takon, mund të them se ne jemi në një fazë shumë më të avancuar të aksionit tonë politik, pas shpalljes së platformës politike, e cila prej kohësh është në dispozicion të publikut dhe të forumeve të PD. Unë nuk kam besuar për asnjë sekondë se dështimet e Lulzim Bashës erdhën për shkak të dobësive të statutit, ndaj edhe asgjë nuk mund të riparohet përmes ndryshimeve të tij”, u shpreh Patozi. Sipas tij, është pranuar botërisht, edhe prej vetë kryetarit, që statuti u shkel dhe nuk kuptohet se çfarë garancie mund të kenë demokratët që edhe i riu nuk do të injorohet prapë.
Sigal