Byroja e Kuvendit, vërejtje për 4 deputetët e përfshirë në konflikt

448
Sigal

Byroja e Kuvendit e mbledhur dje nën drejtimin e Kryetarit Ilir Meta, ka vendosur për masën e vërejtjes për 4 deputetët e përfshirë në konfliktin e djeshëm në Komisionin e Ligjeve. Mbledhja ka vendosur për vërejtje për deputetët Xhemal Qefalia, Armando Prenga, Gentian Bejko të PS dhe Gent Strazimirin e PD, të përfshirë në konflikt.

Ndërkaq opozita është larguar nga mbledhja e Byrosë së Kuvendit duke protestuar për masën e marrë ndaj deputetëve të PS. Po dje, opozita ka vendosur për bojkotimin e të gjitha komisioneve, si shenjë proteste ndaj dhunës së ushtruar ndaj deputetit Strazimiri. Po dje, parlamentarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave që veprojnë në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve u angazhuan dje për krijimin e kushteve më të mira në mirërritjen dhe mirëedukimin e fëmijëve në Shqipëri. Me rastin e 1 Qershorit, komisioni parlamentar i Çështjeve Sociale organizoi dje në kryesinë e Kuvendit një seancë dëgjimore me fëmijët. Në hapje të saj, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e konsideroi një sfidë të përbashkët të politikës dhe aktorëve të tjerë mirërritjen dhe mirëedukimin e fëmijëve në Shqipëri. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit, në një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Çështjet Politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Suedisë, Torbjörn Sohlström u shpreh se, Qeveria shqiptare është e vendosur të avancojë në rrugën e nisur të reformave dhe në luftën kundër korrupsionit, për ta afruar vendin me standardet evropiane. Kryetari Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e hapur dhe të pakursyer të Suedisë në kuadër të procesit të integrimit evropian. Në këtë drejtim, Meta vlerësoi angazhimin dhe asistencën suedeze në mbështetje të reformës administrative e territoriale. Gjithashtu Kryetari i Kuvendit Meta bëri një vlerësim të veçantë për projektet e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) në Shqipëri e rajon dhe shprehu gatishmërinë për rritjen e investimeve suedeze në vend, duke vënë në dukje se zhvillimi ekonomik i shërben konsolidimit të axhendës europiane.