Byroja e Hetimit, Basha: Drafti i qeverisë provokim, nuk do të votohet

442
Kryetari i PD-së Lulzim Basha e quan provokim dhe të papranueshëm draftin e qeverisë për ngritjen e Byrosë së Hetimit.
Sipas Bashës varianti që është publikuar nuk është varianti i dakordësuar me ndërmjetësimin e partnerëve amerikanëve dhe Komisionin e Venecias.
Lulzim Basha: “Varianti që është publikuar nuk është varianti i dakordësuar me ndërmjetësimin e partnerëve amerikanëve dhe Komisionin e Venecias. Ky është një variant tjetër, jo ai për të cilin ne kemi dhënë dakordësinë tonë. Se pse Edi Rama 5 ditë më parë nxori Arben Ahmetajn për të komunikuar se nuk do ta kalonte ligjin për Byronë e Hetimit pa ardhur edhe një herë rekomandimet e Venecias dhe katër ditë më vonë ndryshoi mendje, kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni ju.
Unë dua të përsëris këtu se Partia Demokratike ka qenë dhe është e vendosur për Byronë Kombëtare të Hetimit sipas draftit të rakorduar me partnerët tanë amerikanë dhe në përputhje me rekomandimin nr.90 të Venecias në 23 dhjetorit apo 21 dhjetorit të vitit të kaluar. Dhe nëse mazhoranca e ka këtë vullnet ne e votojmë sot.
Sigurisht një variant unilateral, i cili nuk merr parasysh rakordimin me partnerët tanë amerikanë dhe Komisionin e Venecias nuk është gjë tjetër veçse një provokim apo një truk për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve dhe si i tillë është i papranueshëm dhe nuk do të votohet. Nuk do të votohet sepse një draft i tillë në vend që ti hapë rrugë hetimit të korrupsionit dhe krimit, mbyll dosjet e korrupsionit dhe bëhet mburojë për krimin. Sepse një variant i tillë dorëzon hetimin penal tek qeveria, çka është e papranueshme dhe s’është në përputhje me asnjë model europian, as me Kushtetutën e Shqipërisë, as me draftin e rakorduar me partnerët amerikanë dhe as me rekomandimin e Venecias.
Por në qoftë se është i sinqertë, në qoftë se me të vërtetë dëshiron të ketë Byronë Kombëtare të Hetimit një orë e më parë realitet ligjor, ne që sot jemi gati të votojmë draftin e rakorduar me parnterët amerikanë dhe sipas rekomandimit nr. 90 të Venecias.
Nëse jo le ta marrë vesh çdo shqiptar se kush është kampioni i hileve dhe i trukeve në Shqipëri. Por këto hile e truke nuk i ecin as me Partinë Demokratike, as me Lulzim Bashën, as me partnerët amerikanë, as me Komisionin e Venecias.
Pyetje: Çfarë ndryshon nga drafti i dakordësuar me draftin e qeverisë? Konkretisht cila është pika që ju ndan?
Basha: Pika që na ndan është dakordësimi që ky institucion duhet të jetë 100% nën autoritetin e Prokurorisë, siç e parashikon Kushtetuta, siç parashikon Komisioni i Venecias, siç kemi rakorduar me partnerët tanë amerikanë.
Sigal