Bylykbashi letër Metës: Dy nismat e PD të shqyrtohen në komisionin për dekriminalizimin

405
Kreu i Komisionit të posaçëm parlamentar për dekriminalizimin, Oerd Bylykbashi, i kërkon kryetarit të parlamentit Ilir Meta të fusë në axhendën e punimeve të këtij
Komisioni dy projektligjet e propozuara nga PD për pastrimin e parlamentit nga të inkriminuarit.
Sipas Bylykbashit, këto dy nisma nuk duhet të shqyrtohen nga Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit siç është përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve, por nga Komisioni i posaçëm për dekriminalizimin.
Përndryshe, thotë Bylykbashi, ky komision që pasoi marreëveshjen e dhjetorit mes palëve do të shndërrohej në nul.
“Sjellim në vëmendjen tuaj se mosndryshimi i Programit dhe Kalendarit të Punës së Kuvendit, do të pamundësonte mbledhjen e Komisionit të Posacëm Parlamentar dhe de facto do të bënte nul vendimin nr. 32/2015 të Kuvendit, duke shkelur në këtë mënyrë edhe marrëveshjen politike të 24 Dhjetorit 2014. Në këto kushte, kërkojmë miratimin menjëherë të ndryshimit në Programin dhe Kalendarin e Punimeve, me qëllim që t’i hapet rrugë vijimit normal të punës së Komisionit të Posacëm Parlamentar dhe përmbushjes prej tij të veprimtarisë për të cilën është ngarkuar nga Kuvendi”.
Sigal