Buxheti për Vettingun, ish-ministri i Brendshëm Tahiri del kundër Ramës

481
Buxheti për institucionet e Vettingut ka nxjerrë në pah divergjencat brenda radhëve të Partisë Socialiste. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri doli hapur ditën e djeshme kundër vendimit të Kryeministrit Edi Rama për uljen e fondeve dhe stafit për tre institucionet e reja që do të kryejnë reformën në drejtësi. Ishte Tahiri ai që të hënën votoi kundër qëndrimit të PS në Komisionin e Ligjeve. Ndërkohë që dje rezervat e tij i ka shprehur hapur edhe në mbledhjen që Kryeministri Edi Rama zhvilloi me deputetët e Partisë Socialiste. Tahiri tha, se për reformën në drejtësi nuk duhet që PS-ja të kursejë asnjë fond. Ish-ministri parashikoi se këto institucione, në rast të mos përmbushjes së detyrës, do të justifikohen në Kuvend duke thënë se qeveria nuk u dha mbështetje. Sipas Tahirit, dështimi i reformës do t’i faturohej Partisë Socialiste dhe Qeverisë së Edi Ramës. “Ne nuk na shërben qasja e kontabilistit në historinë e vettingut dhe as nuk duhet parë si çështje financiare. Ne nuk mund të jemi të lirë në miell dhe të shtrenjtë në krunde kur vjen puna tek historia e vettingut. Pse, sepse kemi marrë një vendim politik që duhet ta çojmë deri në fund, mbi të gjitha, për të hequr justifikimin e atyre trupave që nesër mund të vijnë në parlament e të na thonë, nuk na mbështetët, prandaj nuk po bëjmë detyrën. E them këtë, se ndoshta, jo pa shkak, s’e di por dy nga institucionet deklaruan, se ne nuk bëjmë dot me këtë buxhet. Unë sigurisht e di që propozimi i tyre duhej futur në një kornizë ligjore dhe kishte nevojë për të paktën për t’u latuar, por kur këto institucione sot thonë nuk bëjmë dot detyrën, nesër çfarë do të na thonë?!”. Fjalës së Tahirit iu përgjigj Ministri i Financave Arben Ahmetaj. “Jam dakord me Saimirin në logjikë. Ftoj Saimirin të ulet me mua të shohë detajet. Ne i kemi dhënë mbështetjen maksimale strukturës nga ana financiare. Kemi ndërtuar së bashku me komisionin e ligjeve, qoftë një strukturë materiale thelbësore, qoftë mbështetëse të plotë. Unë dua të theksoj: Jemi duke thënë, do të kenë 100% rritje rroge që e kanë me ligj apo do të kenë 120, 150, apo 200 %. Jemi duke folur për mbështetje ekstra. Struktura është e plotë, ka logjikë funksionale. Është bërë më e mira e mundshme. Shifra shtesë është 242 milionë lekë. Është shtesë e konsiderueshme. Janë 18 milionë dollarë shtesë në 2019-n. Mos harroni se janë dhe të paktën 3- 4 institucione për t’u informuar që kanë nevojë po për mbështetje financiare me struktura standarde.”, tha Ahmetaj.
Sigal