Buxheti i shtetit do të bëhet “rrush dhe kumbulla”

443
Sot fillon diskutimi i projektbuxhetit të shtetit për 2016, në seancën plenare të Kuvendit. Treguesi kryesor i këtij projektbuxheti është se do të ketë një ulje të shpenzimeve buxhetore për 2016, në krahasim me 2015 në shifrën rekord prej 20 miliardë lekë të reja, ose 160 milionë dollarë, që ndodh për herë të parë në 25 vjetët e fundit. Kështu, në këtë projektbuxhet për 2016, parashikohen të shkurtohen 1 % fondet për Arsimin publik, po kështu edhe fondet për shëndetësinë publike, për investimet publike që krijojnë vende pune dhe zhvillim, për ndihmesat sociale, do shkurtohen mbi 20 mijë vende pune në administratën publike. Njëkohësisht, qeveria po merr kredi nga FMN për të paguar borxhet që krijohen, si edhe i shpenzon këto hua edhe për investime ….për ristrukturime godinash, për pajisje dhe mobilim zyrash të institucioneve shtetërore. 
20 milionë dollarë, për asistencë teknike, rikonstruksione dhe mobilim zyrash
Ndërsa qeveria e “Rilindjes” ka 3 vjet që nuk rrit asnjë qindarkë rrogat dhe pensionet edhe pse çdo vit kemi rritje të dukshme të të gjitha çmimeve në treg, si edhe taksat qeveritare, në të njëjtën kohë, në buxhetin e 2016 parashikohen 20 milionë dollarë për rikonstruksione të fasadave të godinave të ministrive, mobilim zyrash të institucioneve shtetërore , si edhe për asistencë teknike në dhjetëra projekte dhe koncesione. Me fjalë më të shkoqura, qeveria do të shpenzojë 20 milionë dollarë nga taksapaguesit shqiptarë për rrush dhe kumbulla, si edhe 15 milionë euro më shumë nga sivjet për udhëtime zyrtare nëpër botë. 
15 milionë euro më shumë se në 2015, për vizita zyrtare nëpër botë
Të përjavshme ishin deri tani vizitat zyrtare të kryeministrit nëpër vendet e botës, të shtunave dhe të dielave, mirëpo ka 3 javë që kryeministri i shpeshtoi këto vizita zyrtare nëpër botë, aq sa ka 3 javë që mungon edhe nga seancat plenare të parlamentit. Mirëpo, për vitin 2016, qeveria parashikon një axhendë edhe më të ngjeshur për vizitat zyrtare nëpër botë, ndaj edhe në buxhetin e shtetit parashikohet një fond shtesë prej 15 milionë euro. 
Ja ku do të përdoren 20 milionë dollarë për asistencë teknike, rikonstruksione dhe mobilim zyrash
Qeveria do të përdorë rreth 20 milionë dollarë nga fondi i investimeve publike të vitit që vjen për asistencë teknike, rikonstruksione dhe mobilim zyrash për administratën qendrore. Ja edhe disa zëra ku do të shpenzohen këto 20 milionë dollarë nga taksapaguesit shqiptarë. 
Rikonstruksionet 1.1 miliardë lekë
Edhe pse që në fillimin e qeverisjes së “Rilindjes’, godina e Kryeministrisë u rikonstruktua me fonde të donatorëve( kështu deklaroi kryeministri), në buxhetin e 2016 parashikohen 35 milionë lekë të reja për…rikonstruksion. Ndërsa ministri i Transportit, Haxhinasto ka edhe 10 milionë lekë për rikonstruksionin e tualeteve të kësaj ministrie! Për përmirësimin e ambienteve në Presidencë do të përdoren këtë vit 15 milionë lekë nga buxheti i vitit që vjen. Ndërsa rreth 170 milionë lekë do të shkojnë për përmirësimin e ambienteve të gjykatave në disa rrethe. Ministria e Arsimit do të shpenzojë 101 milionë lekë për rikonstruksion ambientesh, Ministria e Jashtme 75 milionë lekë dhe Ministria e Brendshme rreth 120 milionë lekë. Ministria e Financave do të shpenzojë për përmirësimin e ambienteve të saj 91 milionë lekë. Më shumë se 30 milionë lekë do të shkojnë për përmirësimin e ambienteve të vilave qeveritare dhe 100 milionë lekë për ministrinë e Zhvillimit Urban.
Mobilimi i zyrave, 335 milionë lekë
Në buxhetin e vitit 2016 në zërin e shpenzimeve kapitale do të shpenzohen rreth 3 milionë dollarë për mobilimin e zyrave të institucioneve publike në vend. Domethënë, për kolltukë të rinj, sepse shpenzimet për pajisje të tjera janë zëra të tjerë në buxhetin e shtetit. Ministri i Energjetikës do të shpenzojë 10 milionë lekë për blerje pajisje për zyra. Ministria e Financave do të shpenzojë 68 milionë lekë, ministria e Brendshme 80 milionë dhe Shërbimi informativ 30 milionë lekë. Ministria e Mjedisit do të shpenzojë për zyrat 10 milionë lekë. Prokuroria rreth 32 milionë lekë dhe gjykatat rreth 35 milionë lekë.
500 milionë lekë për asistencë teknike
Shpenzimet për asistencë teknike të përfshira në shpenzimet kapitale të vitit 2016 janë rreth 4.8 milionë dollarë ose 0.5% e totalit të investimeve. Janë dy projekte “Asistence stafi për projektin” Rimëkëmbja e sektorit energjetik”, që kushtojnë 45 milionë lekë. 164 milionë lekë të tjera do të kushtojnë projektet për përmirësim i menaxhimit te financave publike dhe përmirësim i kapaciteteve të administratës fiskale. Asistenca teknike nga fondet e IPA, e përllogaritur si shpenzim kapital përfshin një vlerë prej 183 milionë lekësh. Buxheti i detajuar i shpenzimeve kapitale për kryeministrinë ka të parashikuar 102 milionë lekë (rreth 720 mijë euro) për SNRAP. Nga një kërkim i thjeshtë në google rezulton se SNRAP është draft Strategjia Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike (SNRAP) 2015-2020, ku në bazë është depolitizimi i administratës, zbatimi i legjislacionit dhe zbatimi i konkurseve meritokratike. Rreth 6 milionë lekë (42 mijë euro) janë parashikuar në buxhetin e shtetit 2016 për “Studime për potencialet e investimeve në Shqipëri, po në zërin e shpenzimeve kapitale, financim i brendshëm, te Ministria e Ekonomisë. Një tjetër Projektstudimor “Zhvillimi i turizmit të spa-ve në vendburime termale” ka një fond prej 14 milionë lekësh (rreth 100 mijë euro). Edhe Projekti studimor “MICE” (turizmi i konferencave: Meetings, Incentives, Conferences, and Events) ka të parashikuar një buxhet prej 15.4 milionë lekë. Projekti kombëtar E‐Turizmi ‐Krijimi i Portalit të turizmit Shqiptar (prezanimi Shqipërisë turistike online dhe të mënyre të integruar me sistemet e tjerë) kërkon 3 milionë lekë. Zgjerimi i gamës së koncesioneve ka bërë që të akordohen 11 milionë lekë për një “Sistem Online kombëtar për koncesionet, administrimin e tyre, ndjekjen e procedurave online, skeda e të dhënave, historiku, lejet dhe shërbimet në lidhje me koncesionet”. Për zhvillimin e turizmit janë parashikuar 40 milionë lekë për zërin “inovacione teknologjike”. Ndërsa është “lëshuar dora” për fondet e projekteve e studimeve, fondet direkte për sipërmarrjet si për “Biznese të mbështetura me Fondin Start-up”, “Mbështetje biznesit kreativ” dhe Projekt “Për gratë sipërmarrëse” janë nga 10 milionë lekë secili!
Sigal