Buxheti i bashkive, Gaçi: Si merr Bulqiza 50% fonde më shumë se Tirana?

444
Pjesa e buxhetit qe parashikon shpërndarjen e fondeve për Bashkitë shkaktoi debat në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese. Deputetë të shumicës hodhën dyshime se ato ndahen sipas preferencave të Ministrave dhe deputetëve, duke favorizuar zonat e tyre zgjedhore. Deputeti, Artan Gaçi, i PS kërkoi shpjegime pse Bulqiza përfiton më shumë të ardhura se Bashkia e Tiranës, ndërsa deputeti i LSI-së Robert Bitri tha se Qeveria po ndjek shembullin e qeverisë paraardhëse në ndarjen e fondeve për Bashkitë.
Deputetë të shumicës në Komisonin e Veprimtarive Prodhuese kanë ngritur dyshimet se shpërndarja e fondeve për Bashkitë është bërë mbi bazë interesash politike, apo të diktuar nga Ministra të Qeverisë.
Deputeti, Artan Gaçi, veçoi rastin e Tiranës, që ka marrë më pak fonde se Bashkia e Bulqizës, Bashki që përkon me zonën elektorale ku u zgjodh deputet Ministri aktual i Financave, Shkëlqim Cani.
Artan Gaçi: Nuk e kuptoj sesi mund të marrë Bashkia Bulqizë gati 50% më shumë fonde më shumë se Bashkia Tiranë. Bashkia Prrenjas që është një Bashki më shumë se modeste, është sa një 1/10 e një lagje të Tiranës, ta ketë fondin 30% më të madh se fondi i rrugëve për Bashkinë Tiranë.
Përfaqësues të Ministrisë së Financave në Komision, mbrojtën ndarjen e fondeve duke deklaruar se i besuan formulës së përzgjedhur nga USAID dhe në final u vendos nga Qeveria.
Fran Brahimi: USAID-i ka bërë konsultime dhe me pushtetin vendor dhe me qeverinë dhe qeveria e ka pranuar.
Robert Bitri: Të bëhen investime në një vend ku ka 1000 banorë dhe rrinë zona të tëra ku ke dhe turizëm, edhe popullsi dhe dendësi dhe ju vazhdoni me të njëjtën formë ashti siç kanë vazhduar ata që ishin më përpara në qeveri.
Eduart Shalsi:Ka preferenca individuale, dikush është më këmbëngulës më shumë sesa dikush tjetër apo ka një llogjikë ekonomike bazuar mbi disa kritere që bën këtë shpërndarje?
Në Komision opozita kritikoi ashpër nivelin e lartë të borxhit publik, investimeve dhe shpërndarjes së buxhetit, kritika që morën këtë përgjigje të sinqertë të Zëvendës.Ministres së Financave, Irena Beqiraj.
Irena Beqiraj: Plani dhe fakti janë gjithmonë të parealizuara në Shqipëri.Realizimi i planit është ëndrra e një nate vere.
Sigal