Buxheti i 2019-s, në Kuvend/ Mazhoranca e voton, opozita denoncon: Para ka por shpërdorohen për oligarkë dhe luks për qeverinë

525
Sigal

Buxheti i 2019-s: Para ka, por shpërdorohen për oligarkë dhe luks për qeverinë

Deputeti i PD-së qëllon me vezë kryeministrin në Parlament. Rama: Opozitarët e paskan vrarë kohën koteceve duke vjedhur pula e vezë

Opozita u rikthye dje në parlament, pas një ndërkohe të gjatë, të bojkotit të pashpallur, që nga muaji korrik 2018, mirëpo, ende pa filluar mirë punimet, deputeti i PD-së Endri Hasa qëllon me vezë kryeministrin Rama, i cili ishte në foltoren e Parlamentit.

Ndërprerje e seancës

Gjuajtja me vezë e deputetit Hasa ndaj kryeministrit Rama shkaktoi tension në parlament. Kryeministri Rama, nga foltorja kërkoi që deputetin ta nxirrnin jashtë mbledhjes. Kryeparlamentari Ruçi ndërpret seancën, duke thirrur Byronë e Parlamentit, e cila vendos që të përjashtojë 10 ditë deputetin Hasa. Mirëpo deputeti nuk pranon të dalë nga salla e parlamentit. Kryeparlamentari Ruçi e ndërpret përfundimisht seancën, duke lajmëruar vazhdimin në orën 18.00.

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë rrëzon dekretin e Presidentit

Në këtë ndërkohë, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë rrëzon dekretin e Presidentit, i cili në orët e mëngjesit nuk dekretoi ligjin për tatimet.

PD: Të përjashtohet Edi Rama nga Kuvendi, fjalor fyes ndaj nesh

Ndërsa Byroja e Kuvendit është mbledhur për të vendosur për masë ndaj deputetit të PD Endri Hasa që qëlloi kryeministrin Edi Rama me vezë, një tjetër kërkesë ka ardhur nga PD. PD kërkon përjashtimin nga seanca plenare të Kryeministrit Edi Rama. Kërkesa është firmosur nga disa deputetë, të cilët pohojnë se “gjatë seancës Rama përdori fjalor fyes dhe denigrues ndaj grupit parlamentar të PD dhe deputetëve të veçantë të PD”

Reagon Rama pas incidentit në Kuvend: Opozitarët e paskan vrarë kohën koteceve duke vjedhur pula e vezë

Pas incidentit në Parlament ku deputeti i PD-së Endri Hasa qëlloi me vezë kryeministrin Edi Rama, vjen reagimi i këtij të fundit. “Të kthyer pas një qëndrimi të gjatë rrugëve, opozitarët tanë jo vetëm duket e paskan të vështirë të përshtaten me rregullat e sjelljes jorrugore, po si duket e paskan vrarë kohën koteceve duke dhunuar pula e vjedhur vezë, kur kaluan në ilegalitet nga frika e mllefit të studentëve”, u shpreh Rama.

Akuzat për korrupsion

Në seancën e mbasdites, kryeministri mungoi, por opozita ngriti akuza të shumta për korrupsion ndaj qeverisë, duke marrë shkak nga diskutimi i dekretit të Presidentit për mosdekretimin e ligjit për buxhetin 2019. Ish kryeministri Berisha, duke marrë shkak nga studenti ën Vlorë, që i kërkoi kryeministrit të thotë se ku i gjeti paratë që ndërtoi shtëpinë në Surrel, zbardhi edhe një herë deklarimet e të ardhurave të kryeministrit që nga 2004 e deri në 2008, ku nuk ka fare të kursime bankare, ndërkohë që deri në 2012 deklaronte se rrinte me qira.

Basha: Para ka, por i shpenzojnë për orgji dhe lukse

Kreu i opozitës Lulzim Basha deklaron nga foltorja e Parlamentit se e vetmja mënyrë për të zgjidhur ngërçin në arsim, është anulimi i ligjit për arsimin e lartë dhe dyfishimi i buxhetit. Basha: Një familje mesatare shqiptare duhet të kursejë 875 mijë lekë të vjetra në vit, ose 72 mijë lekë të vjetra në muaj, që i bie 35 për qind e pagës mujore, për të çuar fëmijën në Universitet. Të çosh sot një fëmijë në Universitet është një sakrificë shumë e madhe. Ky është skenari i studimeve për 1 student, po për familjet ë aspirojnë të çojnë më shumë se 1 fëmijë në Universitet. Propozimet e PD për zgjidhjen e këtij ligji të korruptuar janë të qarta, dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë. Propozimi ynë është që kjo të përdoret në dy mënyrë. Studentët që vijnë nga familje me të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra të përfitojnë subvencion të plotë. Me dyfishimin e buxhetit për arsimin e lartë 38 milionë dollarë duhet ti kalojnë universiteteve publike për subvencionin e studentëve. Para ka për të dyfishuar buxhetin e arsimit të lartë, por nuk ka vullnet. Vullneti i Edi Ramës dhe bandës së tij të hajdutëve është që këto para ti marri dhe t’i shpenzojnë për luks dhe orgji.

 

Monika Kryemadhi: Kemi vetëm një zgjidhje, plotësimin e tetë kërkesave të studentëve

Sot nga kjo foltore e parlamentit shqiptar i cili për hir të së vërtetës është kapur peng nga një i sëmurë, nga një njeri me probleme të qarta të karakterit dhe të mendjes, të cilat tashmë çdo ditë e më shumë po i nxjerrin në pah. Amendamentet e Lëvizjes Socialiste për Integrim për sa i përket ligjit të buxhetit apo edhe kërkesat për të amenduar ligjin për arsimin e lartë, që në fakt duhet aprovuar, nuk kanë të bëjnë se ne kemi një besim shumë të madh tek këta këtu mbrapa, apo tek ai atje që po bën shfaqje cirku dhe mendon se mund të tallet me studentët, por po e xhirojnë studentët nga mëngjesi deri në darkë. Mua më vjen shumë keq për zyshën time, Lindita Nikolla, e cila është dendur në ilaçe, sepse nuk po e suporton dot më, sepse do të ikë një orë e më përpara, të lëshojë karrigen e ministrit, sepse nuk ka pse të mbajë ajo mbi kurriz 140 mijë studentë shqiptarë, se nuk i do qejfi, apo Edit “Edi”. Kështu që unë mendoj që ne kemi vetëm një zgjidhje, të pranojmë ato tetë kërkesat e studentëve, që edhe ju të jeni të qetë dhe të vazhdoni punën tuaj dhe është shumë pak, shumë shumë pak, 0.54 për qind të buxhetit të oligarkëve që ju duhet t’ju jepni. Pra, nga 46 për qind të buxhetit të shtetit të GDP-së mos jua jepni atyre oligarkëve, se s’po jua përmend edhe njëherë emrat nga fillimi deri në fund, por jepjani studentëve 0.54.

Ministrja Nikolla: Shpifjet e opozitës nuk ma ulin dot kokën

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se nuk ka ndërmend të ulë kokën aspak për baltën që hedh opozita.

Nikolla: Të gjithë e dinë si e latë ju arsimin, për çfarë bërtisni sot? Çfarë do thoni për tekstet gjithëfare dhe kioskat universitare. Kujtoni se do më bëni mua të ul kokën për baltën tuaj. Do shihni rezultatet në arsim. Do flas dhe për vendimmarrjet e mia. Unë kam marrë vendime shumë të vështira, por jam kujdesur që të gjithë aktorët në sistemin arsimor të bëjnë rolin e tyre sipas raportit të përgjegjësive. Koha do ta tregojë. Ju sjell ndër mend dështimin spektakolar për akreditimin e universiteteve. E çfarë ndodhi? U mor vendimi për të mos akredituar asnjë universitet në Shqipëri,” tha Nikolla.