Buxheti 2018/ Komisioni i Ekonomisë i jep “ok”, cilat institucione përfitojnë fonde shtesë nga Kuvendi tek SHISH

623
Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi sot propozimet e bëra nga Komisionet Parlamentare për rishikim të fondeve dhe punonjësve në buxhetin e vitit 2018 duke dhënë aprovimin për disa kërkesa të institucioneve kryesore në vend. Shtesa u miratuan për Kuvendin, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Gjykatën Kushtetuese, Ministrinë e Drejtësisë apo Presidencën.
Por cilat janë disa nga këto shtesa? Për Kuvendin u miratua një shtesë në organikë për 5 punonjës si dhe në zërin ë shpenzimeve një fond prej 141 milionë lekë. Këto të fundit do të shkojnë për paga të punonjësve shtesë, për realizimin e një botimi të posaçëm për reformën në drejtësi si dhe për udhëtime e dieta.
Po kështu 90 milionë lekë do të jenë në dispozicion për blerje autovetura, rikonstruksion bar-restorant, blerje dhe montim ashensori në sallën plenare, aplikacioni Kuvendi i Shqipërisë, si dhe disa shpenzime të tjera.
Kontrolli i Lartë i Shtetit nga ana tjetër kërkoi 5 punonjës më shumë në organikë, si dhe 14 milionë lekë shtesë. Po kështu të rishikohen fondet duke rritur shpenzimet për personelin dhe duke ulur ato për investimet.
Ministria e Drejtësisë kërkoi 25 punonjës shtesë, si dhe 20 milionë lekë më shumë për të përballuar shpenzimet me paga të tyre.
Presidenca kërkoi 30 milionë lekë më shumë dhe pas saj edhe Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor me 32 milionë lekë. Gjykata Kushtetuese, Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkolla e Magjistraturës të gjithë kërkuan më shumë para.
Ashtu sikurse u lakua edhe gjatë diskutimi6t më të hershëm të buxhetit Qendra Kombëtare e Rehabilitimit të të Verbërve merr 40 milionë lekë kurse për Invalidët e punës u miratua indeksimi i pagës një fond që shkon në 200 milionë lekë.
Ministria e Jashtme mori më shumë para për programin e regjistrimit të shqiptarëve jashtë shtetit me 35.5 milionë lekë si dhe rritje për shpenzimet e personelit me 113 milionë lekë.
Edhe Shërbimi i Brendshëm Informativ do të ketë 33 punonjës më shumë si dhe 560 milionë lekë më shumë. Nga kjo 441.7 milionë lekë shkojnë në zërin e investimeve ku peshën më të madhe e zë blerja e sistemit të grumbullimit dhe analizës së informacionit me një vlerë prej 275 milionë lekë apo rreth 2 milionë euro./monitor/
Sigal