Bushati takon homologun në Belgjikë: Të vendosur të përmbyllim reformën në drejtësi

455
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati i ka garantuar homologut të tij në Belgjikë angazhimin e qeverisë shqiptare për të vijuar me vendosmëri përmbylljen e reformës në drejtësi, si një hap thelbësor për konsolidimin e shtetit të së drejtës në vend.
Në kuadër të një vizite dy ditore që Bushati po zhvillon në Bruksel u takua me zv/kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Didier Reynders duke e njohur me eurinë e reformave, duke u ndalur se ajo në drejtësi “si një hap thelbësor për konsolidimin e shtetit të së drejtës në vend. Ai vlerësoi si tepër të rëndësishëm rolin e Mbretërisë së Belgjikës në proceset integruese Euroatlantike, si dhe mbështetjen e vazhdueshme në këtë drejtim.”
Në njoftimin e zyrës së shtypit të ministrisë së Jashtem thuhet se gjatë takimit u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit dypalësh, si dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve. Dëshmi e këtij bashkëpunimi është edhe fillimi i zbatimit reciprok të regjimit pa legalizim të dokumenteve, i njohur si regjimi i Apostille-s. Në këtë kuadër, Ministri Bushati falënderoi homologun Reynders për realizmin e këtij angazhimi të ndërmarrë gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Në takim u diskutua mbi përballjen me krizën e refugjatëve, si dhe mbi efektet anësore të kësaj krize për BE-në dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sigal