Bushati takim me homologun e Luksemburgut: Ja kur duhet të hapen negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë

541
Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ka zhvilluar një takim me homologun e Luksemburgut Jean Asselborn në kuadër të vizitës së këtij të fundit në Shqipëri. Gjatë deklaratës për media në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Bushati tha se Luksemburgu i ka dhënë ndihmë Shqipërisë në kuadër të procesit për integrimin në BE dhe se po punohet për evitimin e taksimit të dyfishtë për t’i hapur rrugë investimeve.
“Jemi mirënjohës ndaj Luksemburgut për mbështetjen në proceset e integrimit, por edhe në reformën në drejtësi. Shqipëria dhe Luksemburgu janë dy vende anëtare të NATO-s dhe së bashkë më Jean Asselborn shkëmbyem diskutime edhe sa i përket sigurisë në rajon. Gjithashtu kemi rënë dakord për evitimin e taksimit të dyfishtë për t’i hapur rrugë investimeve. Ritheksojmë rolin që ka Shqipëria ka sigurinë e rajonit. Sa i përket azilkërkeusve ne po punojmë për të frenuar këtë fenomen”- tha Bushati.

Sa i përket pyetjes së gazetarëve lidhur me perceptimin e ministrit të jashtëm serb, për krahasimet mes Kosovës dhe Katalonjës, Bushati tha se këto diskutime janë të padobishme.
“Krahasimet mes Kosovës dhe Katalonjës janë të padobishme, pasi nuk janë të bazuara në teoritë ndërkombëtare dhe në teorinë kushtetuese. Nuk kam çfarë t’i shtoj zhvillimeve në Spanjë, përveç atyre që shtoi kolegu. Vendimet i merr gjykata e të drejtës ndërkombëtare.”- tha ministri Bushati.
Ndërkohë ministri i jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn tha se negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë ne BE duhet të hapenë në vitin 2018.
“Nuk është hera e parë që vij në Shqipëri dhe është kënaqësi që vi sërish. Duhet të gjendet një dialog mes Madridit dhe Barcelonës dhe t’i jepet fund dhunës. Ne nuk kemi kompetencë për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Spanjës. Në 13 mars 2019 BE mban zgjedhjet dhe Britania nuk është në BE. Duhet të dimë sa anëtarë duhet të ketë BE. Në vitin 2018 ne do propozojmë të hapen negociatat me Shqipërinë, por kjo nuk do varet vetëm nga Luksemburgu , pasi edhe Shqipëria duhet të bëjë më shumë. Ne i kemi ofruar ndihmë teknike Shqipërisë. Në mars ne nënshkruam marrëveshjen për sigurimet sociale dhe duhet të nënshkruhet edhe marrëveshja për heqjen e taksimit të dyfishtë. Fluksi i azilkërkuesve në Luksemburg është një problem si në shumë vende të tjera të BE. Liberalizimi i vizave nuk duhet të promovojë azilkërkuesit. Ne kemi procedura të përshpejtuara për azilkërkuesit. Ne dimë që nga vendet e Ballkanit dërgojnë edhe të mitur në BE. Sa i përket integrimit të Shqipërisë, unë e di që ju po punoni dhe keni ndërmarrë një sërë reformash”-tha ministri i Luksemburgut.
Sigal