Bushati: Shqipëria e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut

58

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati mori pjesë në segmentimin e debatit politik në sesionin e 28-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, që po zhvillon punimet në Gjenevë, në vijim të anëtarësimit për herë të parë të Shqipërisë, për periudhën 2015-2017.

Në fjalën e tij ministri Bushati deklaroi se Shqipëria është e përkushtuar në promovimin universal të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe mbështet integrimin e këtyre të drejtave në të gjitha politikat e Kombeve të Bashkuara. Bushati vlerësoi kontributin dhe vlerat e këshillit në mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e tyre kudo në botë dhe paraqiti angazhimet e vendit tonë.
 
Ministri u ndal në objektivat e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në respektimin e të drejtave të minoriteteve, shtetin ligjor dhe promovimin e mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në përputhje me angazhimet ndërkombëtare.
 
Në fjalën e tij Ministri Bushati u ndal në forcën e harmonisë fetare të Shqipërisë si një model inkurajues, dhe duke ju referuar fenomenit të dhunës në emër të besimit, Ministri Bushati vlerësoj se liria e besimit nuk duhet përdorur kurrë si pretekst për veprime kundër dinjitetit dhe lirive themelore të njeriut.