Bushati: Në prill presim fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE

33
Shqipëria pret që në muajin prill, Komisioni Europian të rekomandojë fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian, bazuar dhe në rekomandimin e vitit 2016.
Duke folur në konferencën përmbyllëse të Akademisë së Integrimit Europian, Bushati tha se viti 2018 është një dritare e artë për vendimmarrje.
Bushati ripërsëriti pritshmërinë që qeveria shqiptare ka për hapjen brenda këtij viti të negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Në këtë proces, tha ai, qeveria e ka të domosdoshme të ndërtojë kanale të qarta komunikimi dhe konsultimi me aktorë të shoqërisë civile.
“Strategjia e zgjerimit është një hap pozitiv edhe sa i përket vlerësimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në mënyrë individuale. Besojmë që në prill, Komisioni Europian do të rekomandojë fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë, bazuar dhe në rekomandimin e 2016”, u shpreh ministri i Jashtëm.
Për kryediplomatin shqiptar “nuk ka vend për vetëkënaqësi”. “Procesi i fillimit për anëtarësim për në BE do të jetë një proces edhe më imponues, edhe më kërkues dhe natyrisht që e konsiderojmë 2018 si një dritare të artë për një vendimmarrjen për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Qeveria e ka të domosdoshme, sidomos në procesin e anëtarësimit të BE për të ndërtuar kanale të qartë komunikimi dhe konsultimi me aktorë të shoqërisë civile. Nuk është se do të negociojmë diçka me BE-në, thjesht do të duhet të negociojmë afatet brenda të cilave marrim përsipër për të zbatuar të drejta dhe detyrime të caktuara. Procesi është i njëkahshëm sa i përket detyrimeve që duhen respektuar në praktikë dhe përmbushjes së këtyre standardeve”, vijoi Bushati.
Sa i takon negociatave me Greqinë, Bushati u shpreh se “është e vërtetë që qeveria është aktori kryesor që negocion, meqenëse kanë lindur spekulime ditët e fundit se kush negocion në emër të Republikës së Shqipërisë”. Si në çdo vend tjetër të botës, tha ai, mund të them se në emër të Republikës së Shqipërisë negocion qeveria.