Bushati në Ohër, takon Ahmetin e informon për marrëveshjen e 2 qershorit

70
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, është takuar sot në Ohër me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati. Ahmeti dhe ministri Bushati kanë bashkëbiseduar për situatën aktuale politike në vend dhe në rajon, dialogun politik, bashkëpunimin midis Tiranës dhe Shkupit, si dhe integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.
Kryetari i BDI-së e njoftoi Bushatin mbi dialogun midis katër partive politike me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-ve, si dhe për takimin e katërshes në Bruksel me Komisionerin Hahn, Sekretarin e Përgjithshëm Alain Le Roy dhe EuroDeputetin Ivo Vajgl. BDI-ja ka luajtur rol konstruktiv dhe të rëndësishëm në vendosjen e dialogut politik me ndërmjetësim ndërkombëtar dhe do të vazhdon me kontributin e njëjtë në bashkëbisedim me të gjitha palët, shkruan “Zhurnal”.
“Marrëveshja e dy qershorit është e mirë jo vetëm se i referohet themeleve të stabilitetit si marrëdhëniet ndëretnike, marrëveshjen e Ohrit, marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe integrimin Euroatlantik, por edhe sepse paracakton reforma të rëndësishme dhe të patjetërsueshme që duhet t’i ndërmarrim në afat sa më të shkurtër, andaj edhe palët nuk duhet që të ngrejënë dorë, por t’i tejkalojnë interesat partiak dhe të mendojnë për vendin dhe qytetarët”, ka thënë Ahmeti. 
Kryetari Ali Ahmeti gjithashtu kërkoi intensifikim të bashkëpunimit bilateral midis Shkupit dhe Tiranës nëpërmjet të mbajtjes së mbledhjeve të përbashkëta qeveritare, por edhe realizimit praktik të marrëveshjeve për bashkëpunim në arsim, kulturë, etj.