Bushati në Marok, vizita e parë e një Ministri të Jashtëm shqiptar

447
Bashkëpunimi në hapësirën mesdhetare, sfidat në fushën e sigurisë dhe potenciali i lartë i bashkëpunimit ekonomik ishin në qendër të bisedimeve gjatë vizitës zyrtare të Ministrit Bushati në Republikën e Marokut, e para vizitë kjo e një Ministri të Jashtëm të Shqipërisë. Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Marokut Mezouar, palët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona, ndërkohë që vizita e Ministrit Bushati, si vizita e parë e një Ministri të Jashtëm të Shqipërisë në Marok, u konsiderua si një hap progresiv dhe mjaft i rëndësishëm në drejtim të eksplorimit të mundësive të bashkëpunimit, dinamizimit dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Të dy Ministrat shprehën angazhimin se si dy vende Mesdhetare që ndajnë vizione dhe sfida të përbashkëta nevojitet të kenë një bashkëpunim më të strukturuar në funksion të intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe në funksion të përballimit të sfidave të sigurisë.

Bushati: “Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s vlerëson bashkëpunimin e Marokut me aleancën dhe rolin dinamik në Mesdhe në përballimin e sfidave të sigurisë që përbëjnë shqetësim për të gjithë ne dhe për arkitekturën e sigurisë evropiane”. Ministrat shprehën nevojën për një bashkëpunim më solid në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Palët vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë në planin shumëpalësh dhe shkëmbimin e mbështetjeve reciproke. Të dy Ministrat shprehën nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën tregtare, bujqësore dhe turizmit. Ministri Bushati kërkoi nga pala marokene që Maroku të rishohë qëndrimin në drejtim të njohjes së shtetit të Kosovës si një realitet i pakthyeshëm dhe tashmë i konsoliduar, si dhe inkurajoi që të mbështetet kërkesa e Kosovës për t’u pranuar në UNESCO, si një mesazh për bashkëjetesën dhe harmoninë në rajon.

Nga ana e tij, Ministri Mezouar vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve tona, duke shprehur besimin se me vullnet të përbashkët, ato duhen zhvilluar më tej, kryesisht nëpërmjet intensifikimit të dialogut politik në nivelet më të larta dhe forcimit të bashkëpunimit dypalësh. Në fund të takimit, palët nënshkruan Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Marokut, për Shmangien e Taksimit të Dyfishtë si dhe Marrëveshjen për Heqjen e Vizave për Mbajtësit e Pasaportave Diplomatike dhe të Shërbimit. Gjatë vizitës në Marok Bushati zhvilloi takime edhe me Kryeministrin Benkirane, Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Marokut, Ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme dhe me Presidenten e Konfederatës të Përgjithshme të Sipërmarrjeve të Marokut, ku u ndanë pikëpamje për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimet më të fundit.
Sigal