Bushati në Beograd: Shqipëria beson se OSBE duhet përforcuar

64
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e Këshillit të 22-të Ministror të OSBE-së, që zhvilloi punimet në Beograd. Ministeriali zhvillohet pas akteve terroriste të 13 nëntorit 2015 në Paris, ngjarje që sollën dhe një herë në vëmendje sprovën që po kalon arkitektura e sigurisë evropiane, duke nxjerrë gjithashtu në pah dhe nevojën për forcimin e sigurisë në hapësirën e OSBE-së. Në fjalën e tij, duke iu referuar zhvillimeve më të fundit, Ministri Bushati u shpreh se: “Harku i paqëndrueshmërisë me në epiqendër Sirinë, ka prodhuar një krizë humanitare me përmasa dramatike, krizë refugjatësh të paprecedentë dhe një krizë të sigurisë me pasoja për të gjithë hapësirën e OSBE-së”.

Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të OSBE-së shërbeu si një mundësi për diskutime thelbësore mbi gjendjen e sigurisë në Evropë, mbi forcimin e dialogut, të rikonfirmimit të parimeve themelore të OSBE-së dhe forcimin e angazhimit në rindërtimin e besimit mes shteteve pjesëmarrëse. Gjatë punimeve u diskutua mbi krizat dhe kërcënimet e sigurisë me të cilat përballet sot lindja dhe jugu i Evropës, uljen e tensioneve në zonën e OSBE-së dhe për kontributin e mëtejshëm në ndalimin e përshkallëzimit të krizës në Ukrainë. Ndër çështjet me rendësi qe u trajtuan në Ministerial ishin flukset e mëdha te migracionit, si dhe kërcënimet terroriste në hapësirën e OSBE-së.

Në diskutimin mbi përballimin e sfidave që vijnë nga jugu dhe lindja e Evropës, Ministri Bushati u shpreh se: “Shqipëria beson se OSBE duhet përforcuar, sidomos në ato fusha të veprimtarisë ku organizata ka një vlerë të shtuar, në frymën e bashkëpunimit, gjithëpërfshirjes dhe përplotësimit me organizata të tjera, si NATO dhe BE”. Duke u ndalur mbi ecurinë e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, Ministri theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, ku Kosova meriton të jetë anëtare.