Bushati në Argjentinë, takon komunitetin shqiptar

480
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare në Argjentinë, ku pati takime të veçanta me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Kulteve, Hector Marcos Timerman, Zv.presidentin e vendit dhe Presidentin e Senatit, Amado Boudou, me kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Argjentines, Guillermo Carmona si dhe me diasporën shqiptare.
Në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Argjentinës, Bushati vlerësoi nivelin e mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve si dhe kërkoi zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën tregtare, energjisë së rinovueshme, bujqësisë dhe turizmit.
Ministri Bushati i kërkoi homologut Timerman që të ndërmarri hapat e nevojshëm që do të mundësonin pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Dy ministrat vlerësuan rolin e çmuar të diasporës shqiptare në këtë vend si pjesëmarrës aktive në jetën demokratike të Argjentinës si një urë e rëndësishme për institucionalizimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në takimin me Zv.presidentin dhe Presidentin e Senatit, Amado Boudou u vlerësuan marrëdhëniet tradicionale dhe miqësore mes dy popujve, ndërsa kjo vizitë u konsiderua nga palët si një hap i rëndësishëm në drejtim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. 
Ministri Bushati theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik në të ardhmen mes dy vendeve, duke evidentuar fushat e bashkëpunimit të interesit reciprok për të ardhmen, si dhe për bashkëpunimin konkret dypalësh. 
Gjatë qëndrimit të tij në Buenos Aires, Bushati zhvilloi një takim me kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Argjentinës, Guillermo Carmona. 
Gjate takimit palët diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh, intensifikimin e dialogut politik dhe rolin e diplomacisë parlamentare si një instrument i rëndësishëm për bashkëpunimin ne te ardhmen. 
Në përmbyllje të vizitës së tij në Argjentinë, Bushati zhvilloi një takim të veçantë me një grup përfaqësuesish të diasporës shqiptare të Argjentinës, si një prej diasporave më të vjetra shqiptare në botë. 
Ai përgëzoi për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare si dhe u dhuroi disa kopje të Abetares shqipe për nevojat e komunitetit për promovimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në brezat e rinj.
Sigal