Bushati-Kotzias- 4 orë takim për të shkrirë akullin shqiptaro-grek

553
Dje pasdite, ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, është takuar në Athinë me homologun e tij, Nikos Kotzias. Siç është bërë e ditur nga burime brenda takimit, njëra pjesë e tij ka qenë kokë më kokë midis dy ministrave. Bashkëbisedimi midis tyre ka qenë pjesa më e gjatë e takimit shqiptaro –grek, që ka zgjatur dy orë. Më pas është vijuar me një takim të dy delegacioneve ku kanë marrë pjesë dhe ekspertë dhe diplomatë të lartë të dy vendeve për të përfunduar me një darkë miqësore.

Nga burimet e Konicës, ky takim i kërkuar nga pala greke, është vlerësuar si pozitiv dhe është konsideruar si kalim në diplomacinë reale pas asaj të megafonit, si për të lënë të kuptohet se tashmë palët diskutojnë në tavolina, pa bërtitur për opinionin publik.
Gjatë bisedimeve që zgjatën 4 orë pati dhe debat, por u prekën të gjitha temat. Sipas burimeve të mirinformuara diplomatike, ato u karakterizuan nga një klimë e relaksuar në bisedime dhe pa kushtëzime. Për t’u shënuar se vizita u favorizua edhe nga zhbllokimi dhe progresi i arritur në disa komisione dypalëshe për çështje të ndryshme. Sipas burimeve, palët kanë treguar vullnet për të patur një kalendar të përbashkët veprimesh reciproke, që do të çonin në zgjidhje të qëndrueshme dhe trajtimin përfundimtar të mosmarrëveshjeve dypalëshe. Me këtë lihet të nënkuptohet se edhe çështja e ligjit të luftës është trajtuar me një lloj intensiteti.

Është krejtësisht e kuptueshme se mes dy ministrave ka patur interes për të trajtuar çështjen maqedonase. Pala greke tregoi interes si asnjëherë më parë për situatën në Maqedoni, nisur dhe nga zhvillimet e fundit, ku faktori shqiptar ka treguar një lloj protagonizmi. Ndërsa dihet pozicioni i palës greke, është interesant të vihet re shqetësimi i palës greke për thellimin e krizës në Shkup dhe vendimin e Presidentit Ivanov për të mos i dhënë mandatin kreut të opozitës Zaev. Kjo ngjan si pikë ku palët kanë patur dakordim, edhe me bashkësinë perëndimore që ka qenë e qartë në këshillat për Ivanovin.

Ky është takimi i parë zyrtar mes dy vendeve në nivel ministrash të jashtëm, pa llogaritur këtu takimet e tyre në raste aktivitetesh shumëpalëshe. 
Sigal