Bushati: BE të kujdeset për çështjet e pazgjidhura në Ballkan

406
Sigal

LONDËR – Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka renditur dy elementë kyçë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropianë, të cilat sipas tij janë të rëndësishme që të konkretizohet marrëveshja mes palëve.
 
Së pari, është shprehur Bushati, BE-ja duhet ta shohë procesin e zgjerimit si një projekt të rëndësishëm strategjik. Interesat evropiane janë aktualisht më të kërcënuara nga zhvillimet në afërsi të saj. “Në këtë kontekst, BE-ja duhet të kujdeset për çështjet ende të pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor.”-ka theksuar Bushati.
 
Së dyti, ka vijuar Bushati “Në Evropën Juglindore, stabiliteti duhet të konsolidohet me përmirësimin e qeverisjes ekonomike  dhe gjithashtu me anë të veprimeve konkrete, duke treguar vullnet të pjekur politik për të zgjidhur çështjet dypalëshe të mbetura pezull.”
 
Deklarata e Bushatit është bërë gjatë një leksioni që ka mbajtur në “London School of Economics”, ku i njohu të pranishmit me politikën e jashtme të Shqipërisë dhe iu përgjigj pyetjevembi zhvillimet më të fundit në rajon.
 
Gjatë fjalës së tij Bushati ka vlerësuar se në rajon shihet qartë një vullnet i mirë për të konsoliduar vrullin pozitiv që kemi parë gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, sipas tij, përtej paqes dhe stabilitetit, narrativa e BE-së për Ballkanin Perëndimor duhet të fokusohet më shumë në zhvillimin dhe lidhjen ekonomike, si dhe të shoqërojë ata me stimuj financiarë përkatës.
 
Bushati takon edhe Grupin e Miqësisë për Shqipërinë në Dhomën e Lordëve.
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, i cili ndodhet në Londër në kuadër të zhvillimit të punimeve të konferencës “UK – Albania Trade & Investment”, zhvilloi një takim me Grupin e Miqësisë për Shqipërinë në Dhomën e Lordëve.

Bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, duke nënvizuar gjithashtu rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik. Në këtë kontekst, Ministri Bushati e cilësoi konferencën si një event të rëndësishëm njohjeje mbi fushat e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve si dhe paraqiti mundësitë dhe lehtësitë që ofron Shqipëria për investitorët britanikë në fusha të tilla si energjia, turizmi, infrastruktura dhe tregtia.

Duke vlerësuar mbështetjen që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka dhënë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, Ministri Bushati vuri në dukje përgatitjet serioze që po bën pala shqiptare për përmbushjen e reformave dhe kritereve që do të mundësojnë çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE.
 
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin për rolin konstruktiv dhe të matur të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit, çka reflektohet dhe në drejtimin e nismave rajonale SEECP dhe A5. Ata nënvizuan nevojën e zbatimit të politikave të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në Ballkan. – See more at: http://www.shqiptarja.com/home/1/bushati-be-t–kujdeset-p-r—shtjet-e-pazgjidhura-n–ballkan-250191.html#sthash.Isn6sMgZ.dpuf