Bushati- Bashkimi Europian të ketë qasje strategjike në Ballkan

451
Sigal

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, tha  se Bashkimi Evropian duhet të ketë një qasje
më strategjike me vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që këto shtete të
mos përfundojnë si dëm kolateral.

Ai nënvizoi se për herë të parë, procesi i zgjerimit vjen në
formën e një deklarimi nga ana e Presidencës së BE-së në rastin e Shqipërisë,
ndërsa i kërkohet vendit tonë që të zbatojë sa më parë reformën në drejtësi.

 

Deklarata
e Bushatit

Bashkimi Evropian duhet të ruajë një qasje më strategjike në
rajon, në mënyrë që integrimi në BE të mos kthehet në një proces teknik dhe pa
shpirt politik. Është e rëndësishme që shoqëritë tona të sigurohen se Ballkani
Perëndimor nuk do të përfundojë si dëm kolateral në procesin e kërkimit të së
ardhmes në BE. Ne besojmë se kemi përgjegjësi të përbashkët sepse ashtu jemi
angazhuar duke bërë reformën në drejtësi të paprecedentë krahasuar me vendet e
rajonit, duke forcuar bashkëpunimit rajonal si dhe duke linjëzuar me politikën
e jashtme të BE-së, ku siç dihet rekordi ynë është 100%.

 Komisioni
Evropian ka vënë në dukje rëndësinë e veçantë të zbatimit të ligjit të
Vettingut si bazë e reformës në drejtësi dhe ndikimin që do të ketë në
përmbushjen e plotë edhe të prioriteteve kyçe që do të na shoqërojnë edhe gjatë
bisedimeve për anëtarësim në BE. Për herë të parë, konkluzionet për procesin e
zgjerimit vijnë në trajtën e një deklarimi të Presidencës së BE-së, jo vetëm
konfirmohet qasja e KE-së për sa i përket rekomandimit të bisedimeve për anëtarësim
me Shqipërinë, por nga ana tjetër i jepet Komisionit edhe një detyrë për të
ndërvepruar me Shqipërinë qoftë në planin teknik për zbatimin e reformës në
drejtësi, por i jepet Shqipërisë një shans për të zbatuar reformën në drejtësi,
në mënyrë që Komisioni Evropian të paraqitet para vendeve anëtare veçmas nga
paketa e zgjerimit për një raport të ndërmjetëm për përmbushjen e kriterit.