Bushati: Arrestimi i Haradinajt ka prekur palcën e Kosovës

503
Sigal

Ministri i Jashtëmi Shqipërisë, Ditmir Bushati, e ka
cilësuar arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, një akt
të padrejtë dhe të dënueshëm.

 Sipas tij, lëshimi i fletarresteve nga Serbia
dhe keqpërdorimi i INTERPOL-it është një veprim i qëllimshëm që synon të
destabilizojë Kosovën.

“Akuzat ndaj Ramushit e kanë zanafillën në 2004, kur
asokohe kryeministër la detyrën për të shkuar në Hagë për t’u ballafaquar me
drejtësinë ndërkombëtare. Dy dhomat e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi e
çliruan nga çdo akuzë. Këto janë fakte të njohura botërisht. Për rrjedhojë,
lëshimi i fletarresteve nga Serbia, keqpërdorimi i Interpolit dhe shpërfillja e
vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, është një veprim i qëllimshëm që synon
të destabilizojë Kosovën, të denigrojë imazhin e një personaliteti dhe përmes
tij të njollosë luftën çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Bushati.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit serb Vuçiç
dhe të presidentit Nikoliç për ndalimin e Haradinajt, Bushati thotë se ata
pretendojnë të nxjerrin kapit politik me Kosovën.

“Deklaratat e tyre dëshmojnë se jetojnë në të
kaluarën e errët, duke bërë pjesë për fat të keq tek ata politikanë që ende
mendjonë se mund të nxirret kapital politik me Kosovën. Përdorimi i
“viktimologjisë”, si metodë politike, kombinuar me ‘teatralitetin’ dhe
‘agresivitetin’, mund të prodhojë efekte befasuese në planin afatshkurtër, por
është tërësisht kundërproduktive në planin afatgjatë”, tha ai.

Kreu i diplomacisë shqiptare është i mendimit se e
gjithë kjo situatë do të ketë impakt në dialogun Kosovë-Serbi.

“Unë nuk mund të them se cilat do të jenë vendimet e
Kosovës. Dialogu është një proces të cilin Shqipëria e ka mbështetur që në krye
të herës. Duke besuar se është në të mirë të Kosovës dhe si pjesë e angazhimeve
të saj me miqtë e partnerët, me Bashkimin Europian. Ky proces nuk bëhet për të
kënaqur Serbinë, por për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy fqinjëve”.

Sipas tij, pas gjashtë vite dialog, ka ardhur koha
për një “rivlerësim të angazhimeve”. “BE-ja duhet të jetë së pari e zëshme dhe
e angazhuar për të parandaluar qëndrime dhe veprime që minojnë procesin e
normalizimit. Duhet po ashtu të jetë më e angazhuar jo vetëm në arritjen e
marrëveshjeve, por edhe për të siguruar zbatimin e tyre. Në të kundërt,
marrëveshjet do të kthehen në letra pa vlerë. Vini re paqartësinë që ekziston
mbi murin që u ngrit në Mitrovicë. Një proces që u nxit e ndërmjetësua nga BE
si proces për ndërtimin e urave po rrezikon të kthehet në ndërtim muresh. Siç
ndodh në të tilla raste, një mur që kërkon veç pak ditë për t’u ngritur, kërkon
vite për t’u kthyer në urë përmes bisedimesh e ndërmjetësimesh diplomatike”.

Bushati thotës e “sa më shumë kalon koha po
kristalizohet pikëpamja se Serbia është i llastuari i perëndimit e që në të
njejtën kohë flirton me lindjen. Që procesin e dialogut me Kosovën po e
koncepton si një mundësi për t’u “rikthyer” në Kosovë, duke vënë në pikëpyetje
funksionalitetin e shtetit më të ri të Europës. Dialogu me Kosovën i ka hapur
Serbisë dyert e BE-së edhe pse Serbia vazhdon të refuzojë kokëfortësisht të
bashkohet me qendrimet e BE-së në politikën e përbashkët të Jashtme dhe të
Sigurisë. Kontrasti nuk mund të jetë më i madh kur Kosovës i kërkohen gjykata
speciale, i refuzohet lëvizja e lirë me kritere sui generis, i sugjerohen
modele strukturash e rregullimesh të cilat, duke qenë të patestuara dhe duke
pasur parasysh implikimin agresiv, të vazhdueshëm e të toleruar të Serbisë nga
ana e BE-së, mund të rezultojnë të padobishme për funksionimin e saj në të
ardhmen”.

“Rasti Haradinaj ka prekur palcën e Kosovës. Ndaj,
nuk do të çuditesha që kjo ngjarje të ndikonte edhe në ecurinë e procesit të
bisedimeve. Kush mund të mendojë se mund të shkohet në Bruksel për të rënë
dakord për çështje shpesh herë delikate, kur ndërmerren veprime të tilla
qëllimshëm destabilizuese? Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë kërkon
mëndjemprehtësi, durim dhe vullnet të vazhduar. Normalizimi nuk do të ndodhë
duke krijuar pengesa apo duke ngritur mure aty ku duhen forcuar urat e
kontaktet”.

I pyetur nëse ky qëndrim i Serbisë zyrtare vërteton
deklaratat e politikanëve kosovarë që çështjet mes Kosovës e Serbisë nuk
zgjidhen nga takimet e kryeministrit Rama me kryeministrin Vuçiç, ai shprehet
se “Jean Jaures, udhëheqësi socialist i fillim shekullit XX sugjeronte të
dallojmë distancën mes “ideales” dhe “reales”. Ne nuk jemi angazhuar për të
normalizuar marrëdhëniet me Serbinë sepse ajo ka ndryshuar qëndrim ndaj
Kosovës, edhe pse ne besojmë se procesi i dialogut do të duhet të çojë në
normalizimin e marrëdhënieve, pajtimin mes tyre dhe në njohjen e ndërsjellë”.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe
Serbisë, varet nga ecuria e normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve mes
Kosovës e Serbisë dhe nga zbatimi i angazhimeve të ndërmarra nga kjo e fundit
në këtë proces. Në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë do të
vijojmë të kërkojmë nga Serbia që të respektojë marrëveshjet e arritura, të mos
pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale dhe të inkurajojë
komunitetin serb në Kosovë që të marrë pjesë në institucionet legjitime të
saj”.

“Nuk besoj se i ka shpëtuar ndokujt fakti që
kryeministri Rama ka thënë për Kosovën në Beograd pikërisht ato që ka thënë në
Tiranë, në Bruksel, në Berlin apo në Washington. Natyrisht që frutet e kësaj
qasje angazhuese duan kohë të materializohen. Ndonëse kam dëgjuar e lexuar me
vëmendje çdo kritikë në këtë drejtim, asnjë prej kritikëve nuk ka paraqitur deri
tani një platformë alternative për të përfocuar bashkëpunimin rajonal dhe për
të promovuar rrugëtimin europian të Ballkanit Përendimor”, tha Bushati.

Ministri i Jashtëm ka komentuar dhe zhvillimet në
politikën e Maqedonisë.

“Partitë parlamentare shqiptare kanë përgjegjësinë e
madhe, por edhe shansin që t’i japin Maqedonisë një shumicë të qëndrueshme dhe
të ndikojnë që vendi të dalë nga kriza, të rifutet në rrugën e reformave e
procesit të integrimit euro-atlantik. Me votën e tyre, zgjedhësit u kanë kërkuar
aktorëve politike, të të dy komponentëve shtetformues të Maqedonisë, një
kontratë të re për vendin”.

“Pikërisht këtë u kemi thënë aktorëve politikë
shqiptarë: të tregohen në lartësinë e momentit, të marrin përgjegjesitë që u
takojnë, të respektojnë kërkesat e elektoratit të tyre, të ngrihen mbi dasitë
ideologjike dhe të bashkohen përmes një programi që shkon në të mirë të
zgjedhjesve të tyre dhe Maqedonisë”.

“Në këtë kontekst, ne mbështesim marrëveshjen e
partive parlamentare shqiptare, e cila përbën një platformë të qartë e
koherente në respekt të frymës se barazisë në Maqedoni. Ne mbështesim
gjithashtu krijimin e Tryezës Ndërpartiake si një mekanizëm koordinimi e
harmonizimin të aksionit politik dhe për komunikimin e brendshëm dhe të
jashtëm. Platforma thekson frymën e Marrëveshjes të Ohrit, një gur themeltar
për stabilitetin dhe zhvillimin e Maqedonisë, dhe nevojën e masave për të
avancuar drejt forcimit të Maqedonisë europiane, demokratike dhe shumëetnike”,
tha Bushati.