Burokratët e Brukselit e kanë kthyer Shqipërinë në “laborator eksperimenti”

573
Sigal

Analizë nga diplomati Spartak Topollaj/ Qëndrimi i ndërkombëtarëve, fyerje për inteligjencën shqiptare. Qeveritë Perëndimore nuk mund të rrinin në këmbë me megaskandalet, krimin korrupsioni, lidhjet me bandat, mungesën edhe për një ditë të vetme të Gjykatës Kushtetuese, të Lartë, Kryeprokurorit, Kryediplomatit, KLSH-së etj. Dorëzimi i mandateve, protestat, dhuna e Gardistëve të Kuq, despotizmit autokratik dhe diplomatët

Nga Jakup Barjam Gjoça

Deklaratat e njëanshme dhe qartas në mbështetje të Qeverisë së disa prej ambasadorëve, vjedhja e votave, OSBE me mentalitet Lindor, mungesa e institucioneve të drejtësisë, kapja e vettingut, protesta e opozitës, dhuna e ‘gardistëve të kuq’ përballë mbështetësve të lirisë dhe demokracisë Amerikane

Qëndrimi i ndërkombëtarëve, fyerje për inteligjencën shqiptare

Situata kaotike nëpër të cilën po kalon Shqipëria, protestat masive antiqeveritare të qytetarëve në Tiranë dhe në të gjitha rrethet e vendit, krimi dhe sondazhet e institucioneve ndërkombëtare mbi korrupsionin janë në fokusin e analizës të diplomatit dhe intelektualit Spartak Topollaj, dhënë për gazetën “Telegraf”. Diplomati Topollaj u përgjigjet pyetjeve të Telegraf.al për rolin me dy standarde të ndërkombëtarëve, qëndrimin verbues të OSBE-së, jehonës botërore për krizën, përdorimin e gazit helmues nga policia, për intervistat e televizioneve të huaja me trafikantë droge dhe blerës së votës etj. Mungesa dhe shpartallimi i sistemit gjyqësor, deputetët e klonuar, dështimi i vettingut, kapja e tij nga partia-shtet, largimi i deputetëve dhe kthimi i tij në një institucion qesharak dhe blerës, tashmë jo më i votave të veçanta, por i deputetëve sipas diplomatit Topollaj, shënojnë fundin e kësaj qeverie dhe rrezikun e madh që i kanoset demokracisë së vendit.

 Zoti Topallaj, ju si diplomat, si i deshifroni deklaratat e disa ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, se “zgjedhjet janë të ligjshme”, kur ata janë njohur dhe kanë parë dokumente të transmetuara edhe nga VOA, se ka materiale të pakundërshtueshme, që votat janë blerë nga subjekte elektorale në bashkëpunim me njerëzit te Botës së krimit?

 -Deklaratat e disa prej ambasadorëve, janë aq të njëanshme dhe qartas në mbështetje të Qeverisë, sa nuk lënë vend për asnjë deshifrim. Do të ishte luks, t’i quaje naive ato, kur minimumi që mund të them është, se ato fyejnë inteligjencën e shqiptarëve, të cilët, dopio standardin e këtyre ndërkombëtarëve, nuk e kanë aspak të vështirë ta kuptojnë! Si mund të quhen të ligjshme ato zgjedhje, në të cilat, 20% e të zgjedhurve në Kuvend, hynë me vota të blera apo me shantazhin e bandave të krimit dhe drogës që mbulonin territorin shqiptar, pjesa më e madhe e të cilave, pati lidhje të afërta me politikanë të kupolës socialiste (besoj, se dalin e teprojnë rastet Tahiri-Xhafaj, si superministrat më të afërt të Ramës)!…

A është i pranueshëm në politikë dhe në gjuhën diplomatike, deklarata e ambasadorit të OSBE, se votat që u blenë, nuk ndikuan në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, prandaj, rezultati i zgjedhjeje është legjitim?

-Ambasadori Borchardt, Kryetar i Prezencës së OSBE në Tiranë, me sa duket, e ka shumë për “zemër” Shqipërinë, teksa rikthehet për herë të dytë këtu! (herën e parë si Ambasador i RFGJ), madje mes dy misioneve në Shqipëri, ai ishte në detyrë ambasador i një organizmi ndërkombëtar në Republikën e Maqedonisë Veriore, pra përsëri mes shqiptarësh, që dihet se janë mbi një e treta e popullsisë së saj .

Shqiptarët e 2019-s, e kanë të vështirë të besojnë se, një diplomat gjerman, mund të flasë me gjuhën e drunjtë të diplomatëve të regjimit komunist enverian, që jo rrallë përzgjidheshin nga partiakë të klasës punëtore apo edhe kryetarë kooperativash bujqësore?! Personalisht mendoj, se ky ambasador ka një ngjashmëri të çuditshme me diplomatët gjermano-lindorë të kohës së dy Erich-ëve, Honecker-it dhe Mielke-s së STASI-t!!!… Në gjithë këto vite, ky s’ka lënë rast pa humbur për të bërë avokatin e së majtës shqiptare, deri sa u bë qesharak, në të vetmen herë, kur lexoi shifrat e vërteta për sipërfaqet dhe sasinë e drogës, nën qeverisjen Rama – Tahiri apo qindra milionët e $ në off shore, të cilat i korrigjoi vetëm disa orë më pas!

A do të pranohej ky qëndrim politik dhe diplomatik i këtyre ambasadorëve, nëse një gjë e tillë do të ndodhte në vendet e tyre?

– Kjo pyetje do të ishte mirë të mos bëhej, se në vendet me demokraci, sa të vjetër, aq edhe të përparuar të Perëndimit, nuk mund të ndodhin kurrë këto “eksperimente”, që po tentohet të implementohen në laboratorin “special” të politikës shqiptare, nga disa diplomatë mediokër e, me sa duket, edhe të bezdisshëm të institucioneve diplomatike të vendeve të tyre respektive. Sipas kësaj logjike , 20%, që i bie të jenë 28 deputetë të Kuvendit , nuk ndryshojnë gjë! Thënë ndryshe, Kuvendi i Shqipërisë, prej vetëm 140 deputetësh, aktualisht i paska tepër këta 28 të mësipërmit!

Ju, si e shpjegoni, që ambasadorët në Tiranë, por edhe disa krerë të Bashkimit Evropian, të Parlamentit Evropian, e cilësuan dorëzimin e mandateve të opozitës si “akt që dëmton rëndë integrimin e Shqipërisë”, duke fajësuar vetëm një palë politike?

Më parë se të “qajnë” precedentin shqiptar të lënies së mandateve parlamentare nga opozita, disa prej fosileve burokratike të Brukselit dhe Strasburgut, duhet të analizojnë ndershmërisht dhe paanshmërisht shkaqet dhe arsyet pse u mbërrit deri këtu nga opozita shqiptare?!!! A do mund të rrinin në këmbë qeveritë e vendeve të tyre me mega-skandalet, krimin korrupsionin galopant, lidhjet me bandat, mungesën e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm (se kjo e përkohshmja u zgjodh me vetëm 69 vota , dhe u betua se do i mbrojë me çdo mënyrë ata që edhe e përzgjodhën), shitblerjen e votës etj.

Pse partnerët ndërkombëtarë, sikurse BE, nuk theksojnë mungesën e rendit kushtetues, derisa nuk ka Gjykatë Kushtetuese?

Në demokraci, nuk mund të mungojë as edhe për një ditë të vetme Gjykata Kushtetuese apo ajo e Lartë, përndryshe ia ke hapur rrugën despotizmit autokratik dhe ia ke shtruar tapetin, një individi të vetëm të ngjitet në fron, si dikur në Francë Luigji i XIV që pati si devizë të tij: Shteti jam unë! (Louis XIV : “L’état c’est moi!” 13 Prill 1655, para Parlamentit në Paris ).

Pse ndërkombëtarët pohojnë se në Shqipëri reforma në drejtësi është në drejtimin e duhur, kur ende nuk ka Gjykatë të Lartë, SPAK dhe pse nuk i shqetëson aspak kriza institucionale, derisa Gjyqësori nuk funksionon?

Ambasadorët dhe Ndërkombëtarët, si edhe po i quajmë rëndom ne, çdo ditë e më tepër po ndihen governatorë nën qeverisjen e majtë me tradicion internacionalist, trashëguar që nga koha e Komandantit. Ata parapëlqejnë të mburren me Reformën në Drejtësi, si vepër të tyre?!!! Po ku është reforma këtu? Në lënien e vendit pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të lartë dhe pa SPAK?

Po vettingu, aq i propaganduar, çfarë po arrin?

Së pari, kush ua bëri vettingun këtyre vettingashëve, që të kenë të drejtën t’iu bëjnë të tjerëve vettingun? (madje, njëri syresh doli që kish një dëshmi shumë të dyshimtë të mbrojtjes së anglishtes dhe ende po heshtet nga monitoruesit gjithashtu ndërkombëtarë)!

Së dyti, selektiviteti i monitoruesve çuditi të madh e të vogël, teksa te dikush shihej qimja në sy, e të të tjerët nuk shihej as trau! Rasti Donika Prela e “ zhvirgjëroi “ , Teo Jakobsin e famshëm, që kish dështuar më parë me sukses të plotë si prokuror i Euleks-it në Kosovë .

Së treti, si mund të jetë i pavarur kreu i KLP -së, i afërt i familjes së një prej drejtueseve të lartë të socialistëve (pa folur se është i biri i një hierarku të rëndësishëm të regjimit, anëtar i KQ të PPSH dhe Kryetar i Pushtetit Ekzekutiv në Kryeqytet)!

Dhe çudia më e madhe në fund: Kreu shumë “aftë “i KLP, u përzgjodh pikërisht nga këta ndërkombëtarët e këtushëm , paçka se disa ndërkombëtarë të tjerë, kësaj here të atjeshëm, e refuzuan tre herë për në Gjykatën e Strasburgut, pavarësisht këmbënguljes së marrë të atyre, që u digjet shpirti për institucione dhe individë të pavarur në Drejtësi!

Pse ndërkombëtarët shqetësohen më shumë për të mos ndodhur incidente dhe dëme materiale në protesta dhe nuk shikojnë dhe nuk shqetësohen aspak dhunën shtetërore të përdorimit të gazit helmues kundër protestuesve?

Këta ndërkombëtarë, që për shumë arsye tepër të diskutueshme, prej vitesh po i bëjnë fresk qeverisjes së majtë, janë shumë të shqetësuar për “dhunën” në protestat e Opozitës (ku u dogjën dy goma dhe u thyen dy xhama, e nuk u prek as edhe një polic), deklarojnë se po prishet imazhi i Shqipërisë, si vend që aspiron BE!!!

Nëse qenka kështu, Parisi dhe gjithë Franca, që prej 18 javësh është nën flakën dhe shkatërrimet e Jelekverdhëve, që protestojnë vetëm për 6 cent rritje çmimi të karburanteve, madje derdhën edhe autobote me fekale në kangjellat e Pallatit Elizé, nuk prishkan imazh?!!!… Çudi se si BE, nuk e ka përjashtuar ende Francën e Shumanit dhe De Golit, nga radhët e veta, edhe pse është bashkëthemeluese e tij! Sa për Ambasadoren e respektuar, Sh.S.Znj. Vasak, nuk do e besoja kurrë të ketë miratuar, atë Deklaratë mbi gjoja dhunën te ne, kur në Paris, flaka dhe tymi janë mbi Harkun e Triumfit dhe po mbërrijnë edhe majën e Kullës Eiffel! Greqia, Sheshi Sintagma e Parlamenti prej vitesh janë nën zjarrin e protestuesve, kështu edhe në Rumani, Serbí e Maqedoni.

Asnjë fjalë për dhunën e Gardistëve të Kuq, apo forcave speciale, që mbytën me gaz helmues, si Sadami dhe Assadi, jo vetëm protestuesit, por edhe fëmijë, gra shtatzëna, pleq e plaka, e qytetarë të tjerë! Apo zyrat e tyre të shtypit, nuk i përkthejnë dot nga shqipja deklaratat dhe intervistat e mjekëve ekspertë, si rasti i Dr. Arben Kreçit që argumenton shkencërisht, se gazi i përdorur, nuk është thjeshtë lotsjellës, por me pasoja neuroasfiksuese dhe neuroparalizuese!

Ju si e shpjegoni antitezën politike, që Departamenti Amerikan i Shtetit thekson në raportet e veta se në Shqipëri ka korrupsion dhe votat u blenë, ndërsa ambasada amerikane thekson se zgjedhjet janë të ligjshme?

Ky vit, përkón me 100-vjetorin e Deklaratës së Presidentit Uillson mbi Mëvetësinë e padiskutueshme të Shtetit Shqiptar, me 75-vjetorin e fitores mbi nazi-fashizmin dhe 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës nga regjimi gjenocidial stalinist i Milosheviçit e shpalljen më pas nga Presidenti Bush në Tiranë, se ajo, Kosova pra, do të jetë e Pavarur dhe se Shqipëria do të hyjë në NATO!

Për të gjitha këto dhe shumë e shumë arsye të tjera, ne shqiptarët si komb unik, duhet dhe do t’i jemi përjetë mirënjohës Amerikës! Të mos harrojmë, se dashurinë e respektin për Kështjellën e Madhe të Lirisë e Demokracisë, SHBA-në, e mbajtën gjallë këtu në Shqipëri demokratët, që jo rrallë, e paguan edhe me jetë, e jo ata që mbajtën Stalinin deri më 1990, kur atë e kishin hedhur poshtë edhe në vetë BRSS, fill pas vdekjes më 1953!

Nga ana tjetër, nuk do shumë mend se, është Departamenti i Shtetit ai që bën politikën e jashtme dhe përgatit Raportin Vjetor për çdo vend, e nëse s’gaboj ky Raport foli për vjedhje votash me shitblerje, apo shantazh të “fortësh”! Foli për skandale e korrupsion, për drogë, e bosë, oligarkë e kriminelë të lidhur me politikën! Kush i futi në Parlament dhe i vuri në krye të disa bashkive një duzinë kriminelësh e trafikantësh?! Sa për Ambasadën amerikane në Tiranë, dihet se brenda saj, nën presidencën Obama, penetruan boll sorosianë.

Me kë janë ambasadorët e akredituar në Tiranë: Me demokracinë, apo me stabilitetin qeveritar?

Pa diskutim, shumica e ambasadorëve në Tiranë përkrahin Demokracinë. Ata nuk bëjnë aspak gabim, teksa kërkojnë stabilitet për vendin, çka nuk është e njëjta gjë me stabilitetin e një qeverie të korruptuar e të kapluar nga skandalet e përditshme, e cila meriton atë fund që ka parashikuar Presidenti i madh Linkoln, për qeveritë që shpërdorojnë besimin dhe votën popullore.

Pse ende kauza e opozitës nuk i ka bindur partnerët tanë ndërkombëtarë?

Duhet pranuar, se të gjitha vendet demokratike perëndimore duan një Ballkan të stabilizuar dhe me qeverisje të drejtë e të ndershme, çka nuk i konvenon Rusisë putiniste, dora e gjatë e së cilës, jo pak herë është futur për të përzier çorbën me mish dhie të prishur , në kazanin prej bakri të pa kallajisur , ku vlojnë lloj lloj idesh shovene, politikash të mbrapshta, e pretendimesh territoriale. Stalini i sofistikuar aktual, Hipur mbi Yllin e Kuq të Kremlinit, shfrytëzon lidhjet ortodokse-sllave -komuniste me popuj e vende të Rajonit tonë, për të minuar futjen e tyre në BE dhe NATO. Ngjarjet në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut apo Serbí, janë tashmë të njohura, madje në këtë të fundit, fare pranë Kosovës, në Nish, rusët kanë një bazë të kamufluar spiunazhi e përgjimesh!

Herë me djallëzi, e herë me “ndihma” ushtarake në armatime, por dhe në ekonomi e financa, me prepotencë e arrogancën e ariut të stepave, ata me një politikë të standardeve të dyfishta, shantazhojnë Serbinë. Precedentët Abkhazi, Oseti, Nagornij Kararabak, që kulmojnë me aneksimin e dhunshëm të Krimesë përdoren sipas koniukturës nga Car Putini edhe për rastin Kosova!!!

Sa për atë shakanë vertikale apo horizontale të nostalgjikëve të Stalinit, e pse jo edhe të Putinit, se gjoja në PD mund të ketë influencë ruse, desha t’iu kujtoj, se pikërisht në PS militon e gjithë armata e përgatitur në shkollat ushtarako – KGB-iste sovjetike, e natyrshëm edhe bijtë e tyre, tek një pjesë e të cilëve, për 1001 arsye, rusët do e kishin më të lehtë e më të mundur të ndikonin!!!…

Opozita shqiptare me PD në krye, lindi me vokacion perëndimor, se për atë, edhe “Dielli lind andej nga perëndon”. Azemi, Prof.Dr. Berisha dhe Z. Basha në krye të tyre e kanë konfirmuar katërçipërisht kahen e tyre gjatë gjithë këtyre 30 viteve dhe kauza e tyre është vetëm një: Ajo e gjithë botës demokratike!

Deri sa larg mund të shkojë qëndrimi i ndërkombëtarëve se “kjo qeveri është e ligjshme, dhe parlamenti është i ligjshëm”, pa opozitën në Parlament?

As emocionojnë dhe as impresionojnë kënd, të tilla deklarata majtistësh të thekur, të tipit Mogherini, Hahn, Flekenshtajn, Koçijançiç, apo si ky i sipërpërmenduri i OSBE-së Berndt Borchardt! Thënien në anglishten e çalë të tyre se: Zgjedhjet mund të bëhen edhe pa opozitën, mund ta përkthejmë në shqip : Gjithë pushtetin sovjetëve ! Po a do mund ta realizojnë dot këtë, se né, nga demokracitë perëndimore e mësuam pluralizmin politik dhe opozitarizmin , se sa për këtë idenë e zgjedhjeve pa opozitë, ne shqiptarëve na doli e na teproi “ demokracia proletare” e sh. Enver , që i fitonte zgjedhjet me mbi 99,99 %!…

Ju besoni, se shqiptarët dhe ndërkombëtarët do të pranojnë zgjedhje vendore, pa marrë pjesë edhe opozita?

Kjo s’mund dhe s’ka për të ndodhur kurrë, edhe po të ngjallet Stalini, Mao Ce Duni, apo Enveri! Do të ishte më e saktë, nëse kjo pyetje do ti bëhej ndonjë diplomati koreanoverior, edhe pse i treti i Dinastisë Kim, po jep shenja ndryshimi, kjo falë Presidentit “ndryshe”, Donald Frederick John Trump!