Burime nga Brukseli: Ja 3 çështjet që kushtëzojnë hapjen e negociatave për Shqipërinë

471
Sigal

Ditën e mërkurë
më 9 nëntor pritet që Komisioni Evropian të publikojë raportin e përvitshëm për
Shqipërinë në lidhje me hapjen e negociatave për në BE. Një nga kushtet kyçe që
të hapen negociatat ka qenë miratimi i reformës në drejtësi, ndërsa burimet nga
eurodeputetë në Bruksel bëjnë me dije, se çelja e negociatave do të kushtëzohet
nga zbatimi i reformës në drejtësi. Gjithashtu, procesi i zgjedhjeve të lira
dhe të ndershme në vitin 2017 do të jetë një tjetër pikë kyçe dhe nën
monitorimin e Brukselit, duke pasur në konsideratë shitblerjet e votave në zgjedhjet
e Dibrës nga mazhoranca. Në shumë raste opozita është ankuar specifikisht për
të patur zgjedhje të lira në 2017 dhe të jenë nën mbikëqyrjen e rreptë të evropianëve,
pasi i frikësohet blerjeve të votave. Fenomeni i kanabisit dhe shtimi i
kultivimit të drogës përgjatë këtij viti është çështja e tretë që pritet të
evidentohet në progres-raport, thonë burimet. Brukseli do të kërkojë më shumë
informacion për t’u njohur me të dhënat e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve
narkotike. Këto tre çështje, pra zbatimi i reformës në drejtësi, procesi i
zgjedhjeve të lira në vitin 2017 dhe fenomeni i kultivimit të kanabisit pritet
të kushtëzojnë çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

PD: Të kushtëzohet data e hapjes së negociatave
Shqipëri-BE

Partia
Demokratike ka depozituar një amendament në kërkesën drejtuar Komisionit dhe
Këshillit Evropian, ku kërkon që të kushtëzohet data e hapjes së negociatave me
zgjedhjet dhe dekriminalizimin. Në amendamentin e dorëzuar nga deputeti i
PD-se, Aldo Bumçi, Partia Demokratike kërkon që dy institucionet e Bashkimit Evropian
të kushtëzojnë datën e çeljes së negociatave me zgjedhjet, zbatimin e ligjit të
dekriminalizimit dhe plotësimin e pesë prioriteteve. Media ka siguruar
faksimilen e amendamentit te Partisë Demokratike drejtuar Komisionit dhe
Këshillit Evropian