Buquicchio: “Venecia” ndërhyn vetëm për çështje të ndjeshme!

483
Sigal

TIRANE – “Komisioni i Venecias është i gatshëm të japë ndihmën e tij, por vetëm për ato çështje që kanë një ndjeshmëri të lartë.” Deklarata është bërë nga Presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio gjatë një dalje për mediat, në përfundim të vizitës së tij në Tiranë.

I pyetur nga gazetarja  lidhur me rrëzimin e dekretit të Presidentit Bujar Nishani në Komisionin e Ligjeve sa i përket ligjit për Gjykatën e Lartë, dhe pretendimit të opozitës se për këtë ligj është i nevojshëm konsultimi me Komisionin e Venecias , kreu i këtij institucioni ka theksuar se nuk mund të ndërhyhet në të gjitha ligjet.

Kjo pasi siç u shpreh ai, mendimi dhe orientimi i Komisionit të Venecias ka të bëjë vetëm për ata ligje që janë delikate dhe që kanë një ndjeshmëri të madhe. Në këtë kontekst, Buquicchio nënvizoi se Komisioni i Venecias, është i hapur për konsultime dhe diskutime me palët shqiptare lidhur me ato çështje delikate, siç është reforma në sistemin e drejtësisë.

“Me zotin Xhafaj kam biseduar që me kërkesë të autoriteteve shqiptare të japë mendimet e tij për ligjet. Dhe natyrisht i kam thënë zotit Xhafaj se Komisioni i Venecias nuk mund të japë mendim për të gjithë ligjet që miratohen në Parlament. Por e kam siguruar se Komisioni i Venecias është i gatshëm të japë mendimet e tij lidhur me çështje ku ai ka kompetenca më të mëdha, me çështyje kushtetuese dhe çështje që kanë një ndjeshmëri më të madhe. Prandaj mendoj se veç asaj që është vendosur, sa i përket reformës në gjyqësor, nëse ka çështje delikate, komisioni është i gatshëm të japë mendimin e tij.” theksoi në fjalën e tij Buquicchio .