Bunkerizimi i politikës së listave të mbyllura

493
Sigal

Mbledhjet e mbyllura të forumeve të Partisë Socialiste kanë zhdukur transparencën politike të forcës më të madhe të opozitës

Ditët e fundit u mblodh Asambleja Kombëtare e PS-së, por edhe mbledhja e forumit më të lartë të PS-së,  sikurse edhe çdo mbledhje e strukturave të tjera politike, kryesia e PS-së, grupi parlamentar , po bëhen tashmë me dyer të mbyllura.  Do të ishte më e kuptueshme, për partinë në qeverisje të organizojë mbledhje të dyerve të mbyllura, pasi pazaret e pushtetit janë më të mëdha.  Opo opozita, kujt i trembet që të ballafaqohet me publikun?  Edhe Ramiz Alia, në fund e kuptoi dhe i hapi dyert e mbledhjeve të PPSH-së, për të dhënë imazhin e demokracisë. Përse ka frikë pas njëzet e ca vjetësh PS-ja dhe kryetari i saj, Edi Rama, që i mbyllin rrugët e drejtpërdrejta të komunikimit me publikun? A mundet që një parti opozitare, e cila pretendon që të vijë në pushtet, e që flet më shumë se kushdo tjetër për transparencë politike, për mungesë të hapësirës demokratike të jetës politiko-shtetërore të vendit,  të mos pranojë debatin në vetë strukturat e saj organizative,  për hir të interesave të një grupi njerëzish të pakët?  Mundesh që të bësh mbledhje me dyer të mbyllura, sikurse Asambleja Kombëtare, kur të pranishmit janë mbi 140 veta? Sa ndikim në elektorat, në vendimmarrje, do të kenë vendimet  e forumeve partiake të dyerve të mbyllura, që dihet, nuk janë produkt i debatit dhe e lirisë së shprehjes së mendimeve, por e diktimit dhe imponimit të interesave të ngushta të një pakice njerëzisht në Kryesinë e PS-së? Këta njerëz e kanë mbajtur peng vetë PS-së, elektoratin socialist në këto 7 vjet, duke qëndruar në opozitë, pikërisht në saj të këtyre praktikave meskine të politikave të dyerve të mbyllura dhe e ideve të mykura.  Natyrisht, do të ishte naivitet politik, që dyert e mbyllura të pengojnë mësimin e sekreteve “politike” nga kundërshtarët, e ca më tepër, kur flitet për PS-në. “Telegraf” ka publikuar thëniet e Servet Pëllumbit dhe Sabit Brokës, të cilët kanë pranuar që njerëzit e Berishës, që janë anëtarë të kryesisë të PS-së, i kanë përcjellë me mikrofona live, gjithë mbledhjet “tepër sekrete” të kryesive të PS-së.  Kryetari i PS-së, pas dyerve të mbyllura, e ka më të lehtë të mbyllë frymën e debatit të lirë, shprehjen e mendimit ndryshe. Me dyert e mbyllura, Kryetari i PS-së e ka më të lehtë që të imponojë, edhe nëpërmjet diktatit çdo qëndrim ndryshe nga politika e tij.  Gati në të gjitha strukturat partiake të PS-së në qarqe e bashki kanë dështuar zgjedhjet, sepse kryesia e PS-së, u ka imponuar anëtarëve socialistë emërime te diktuara. Ka rënë slogani “Një anëtar, një votë”.  Edhe në strukturat partiake të PS-së, në bashki e qarqe, intrigat e prapaskenave politike mbizotërojnë. Në  zgjedhjen e kryetarit të PS-së të qarkut në Vlorë, ndonëse socialistët atje bëjnë zgjedhje në bazë të meritave e kontributeve të gjithsecilit, në fund, intrigat e prapaskenave politike japin zgjidhjen që dëshiron Kryetari Rama, duke shpërfillur kontributet, meritat, anëtarët, normat demokratike të vetë partisë. Imponimet e intrigave të prapaskenave politike, që dikton Kryetari i PS-së, shkaktojnë zhgënjime te anëtarët e PS-së. Edhe në zgjedhjet e rretheve Gjirokastër, Korçë, Kuçovë, Fier, Tiranë, rezultatet kanë qenë të diktuara drejtpërdrejt nga Kryetari i PS-së. Politika e dyerve të mbyllura në PS është tkurrje e demokracisë së brendshme partiake. Sepse anëtarët e mbledhjeve me dyer të mbyllura e kanë të pamundur që të ballafaqohen me publikun, por mendimet e tyre, edhe po të guxojnë, që të shprehin qëndrime të ndryshme nga politika e Kryetarit, do të mbyten në pusin e thellë të errësirës së dyerve të mbyllura. Kësisoj, publikut i përcillen intrigat, thashethemet politike. Kryetari Edi Rama u kundërshtua nga deputeti Ilir Gjoni, ku dialogu midis tyre, u përcoll te publiku i mbuluar me intrigën. Ndërsa e vërteta e  intrigave të prapaskenave politike të dyerve të mbyllura, është se Kryetari i PS-së u kërkon anëtarëve të forumeve partiake të të pranojnë pa kushte, politikën e tij. Në Asamblenë Kombëtare të para disa ditëve, Edi Rama u kërkoi  disa deputetë, të “vetëtërhiqen” nga listat e ardhshme për deputet, pasi nuk përmbushin kriteret e Kryetarit të PS-së.  Këtij ballafaqimi publik i trembet Kryetari i PS-së,  derisa elektorati nuk ka mundësi të përzgjedhë deputetët.  Kryetari i PS-së ka monopolizuar gjithë demokracinë e brendshme partiake, edhe me të drejtën e listës të kandidatëve për deputet. Kodi Zgjedhor, u hartua i tillë, që Kryetari i PS-së, sipas dëshirës, të shkruajë në listat për deputetë ata kandidatë që ai i vlerëson nga shkalla e zellshmërisë, përkushtimin, bindjes ndaj urdhrave të tij. Të tjerët, që guxojnë të kundërshtojnë, të reagojnë, apo të shprehin një mendim ndryshe nga Kryetari i PS-së, fshihen nga listat e mbledhjeve me dyer të mbyllura. Elektorati nuk ka asnjë mundësi që të votojë dhe të jetë kriteri i vetëm i përzgjedhjes të deputetëve.

ARBEN MALAJ_______________________________________________________________________

Disa përfaqësues në Asamble, nën pretendimin se debati do të përgjohej, prenë çdo lloj komunikimi të sallës me ambientet e jashtme. Sipas Malaj, kjo ishte shkelje e të drejtës së njeritu dhe informimit. I pameritueshëm, veprimi i ndërprerë i sinjalit telefonik, u vendos zhurmues, për të mos pasur akses telefoni, jo kjo për mua është i papranueshëm. Po e nis me lidershipin e PS, nëse mendojnë se do vijnë në pushtet që marrin vendime që cenojnë dhe të drejtat e njeriut, elementare, kjo është e pameritueshme”.

DR. LEKË SOKOLI_______________________________________________________________________

Sociologu i njohur, Dr. Lekë Sokoli thotë për “Telegraf” se, mbyllja e partive në vetvete, apo bunkerizimi i forumeve, është një problem mjaft shqetësues i partive të sotme. Përveçse kemi të bëjmë me një mentalitet të trashëguar që gjallon ende, kjo mbyllje flet për mungesën e demokracisë së brendshme të këtyre partive. Dhe këtu fus si PS dhe atë PD. Para disa ditësh kërkoja një statut të Partisë Socialiste, që më duhej për punët e mia studimore, por ishte e pamundur ta gjeja. Dhe kur nuk gjen dot një statut, merre me mend se sa gjera të tjera nuk merren vesh nga forumet e tyre. Prandaj dhe komunikimi i tyre me masat, me mediat dhe me publikun mbetet krejtësisht sipërfaqësor.