Bumçi ambasadorit Hoffman: “Bllokoi në kufi 13 500 shqiptarë”

476
Nënkryetari demokrat i komisionit parlamentar për politikën e jashtme, Aldo Bumçi u shpreh sot se ambasadori gjerman, Helmut Hoffman dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri kanë kthyer në kufi 13 500 shqiptarë, të dyshuar si azilkërkues.
Gjatë seancës dëgjimore me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme për azilkërkuesit, Bumçi tha se kthimi në kufi është shkelje e të drejtave të njeriut, ndërsa akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama se po u mohojnë shqiptarëve lëvizjen e lirë në vendet e “Schengen”.
“Ministri i Brendshëm i shoqëruar nga ambasadori gjerman shkojnë në pikat e kalimit kufitar nga ku kthehen 13 500 shqiptarë. Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. Si mund të ndaloni ju shqiptarët që të ndalin. Europa u ka dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë dhe ju u thoni s’keni për të dalë jashtë. Trajtimi juaj nuk është problemi brenda Shqipërisë, por të mbyllni kufijtë”, u shpreh Bumçi.
Por, reagimi i kryetares së komisionit, Arta Dade ishte i menjëhershëm. Ajo i kërkoi Bumçit që mos spekulojë me emrin e ambasadorit gjerman. 
“Mos spekuloni. Aq më tepër kur përmendi emrin e ambasadorit, i cili paska shkuar në kufi dhe paska kthyer 13 500…dini vetëm të bëni propagandë”, u shpreh Dade.
Nga ana tjetër, zv/ministri i Brendshëm, Ilirjan Mustafaraj raportoi shifra në rritje për azilkërkuesit. Ai tha se në 2014-ën kishte 17 150 kërkesa, ndërsa në 2015-ën, 52 475. Vetëm nga Gjermania janë kthyer mbi 5000 azilkërkues.
Debatet te komisioni i Jashtëm
Zv/ministri i Brendshëm, Ilirjan Mustafaraj
Gjatë 2015 janë rritur shifrat e azilkërkuesve në Gjermani dhe vendet e tjera në BE. Në 2014 kërkesat për azil ishin 17 150, ndërsa në 2015-ën, kemi 52 475 kërkesa për azil. Janë kthyer nga Gjermania mbi 5000 azilkërkues. Ndërsa 4000 të tjerë janë kthyer në mënyrë vullnetare. Kemi në fokus parandalimin dhe marrjen e masave për të kthyerit. 13 mijë shtetas janë refuzuar që të dalin jashtë kufijve, për në vendet e BE. Kemi ndërmarrë fushata sensibilizimi, identifikuar zonat nga ikin, zbulimin e personave që nxisin këtë fenomen dhe forcimin e masave në kufij. Një pjesë e mirë e azilkërkuesve nisen nga aeroporti i Prishtinës.
Aldo Bumçi: Ambasadori gjerman shkon në pikën e kalimit kufitar i shoqëruar nga ministri i Brendshëm dhe kthehen plot 13 mijë e 500 shqiptarë. Kjo qenka arritja?! Është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.
Arta Dade: Mos spekuloni. Aq më tepër kur përmendi emrin e ambasadorit, shkëlqesinë e tij, z.Hoffman, i cili paska shkuar në kufi dhe paska kthyer 13 500…
Aldo Bumçi: Thash që i ka penguar policia shqiptare…
Arta Dade: Kjo është mungesë serioziteti nga ana juaj.
Aldo Bumçi: Ikin se janë varfëruar.
Arta Dade: Shteti shqiptar është përgjegjës që nëse duan të punojnë në Europë, duhet të punojnë si qytetarë me dinjitet. Lexoje edhe njëherë marrëveshjen e liberalizimit të vizave.
Aldo Bumçi: Në vitin 2012 ka patur 250 azilkërkues. Kur ishte “regjimi i famshëm” që kishte rrënuar Shqipërinë. Në 2013, 1000, dhe ju e çoni 17 mijë vitin e parë, 52 mijë në 9 muajt e parë të 2015-ës dhe rritja krahasuar me një vit më parë është 631%.
Aldo Bumçi: Janë edhe 200 mijë aplikime në ambasadën amerikane. A ka më situatë tronditëse?!
Arta Dade: Llotaria i fton njerëzit për të aplikuar, por do shohim sesa do ikin. Opozita e ka mendjen vetëm të bëjë propagandë.
Blendi Klosi: Nuk janë penguar qytetarët e rregullt, të cilët s’kanë shkelur rregullat e qëndrimit në “Schengen”. Raporti me kufirin, është raporti me shtetin.
Sigal