Bulevardi i Ri i Tiranës Veliaj: Kemi hyrë në fazën përfundimtare, Bulevardi po merr formë dita-ditës

521
Bashkia e Tiranës prej pak ditësh po vijon me procesin e mbjelljes së pemëve, çka do ta shndërrojë Bulevardin e Ri të Tiranës në një hapësirë të madhe. Kështu, përveç shtrimit të pllakave dhe mbjelljes së pemëve, po punohet shpejt edhe me parkingun nëntokësor. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i pranishëm gjatë procesit të mbjelljes së pemëve të para nga 1100 pemë të llojeve të ndryshme që do të mbillen në 800 metrat e para të Bulevardit, i cili u shpreh entuziast se puna për pjesën e parë është drejt fundit. “Kemi hyrë në fazën përfundimtare të pjesës së parë të Bulevardit, pra pasi nisëm me vendosjen e pllakave të para, po mbyllim parkingun nëntokësor me 300 vende, i cili do të hapet në pranverë për publikun, dhe më në fund erdhëm në procesin e mbjelljes së pemëve. Janë pisha të buta mesdhetare, shumë të ngjashme me ato të Bulevardit të vjetër, pra për të ruajtur konturin e gjelbër që i lidh dy bulevardet, i cili po merr jetë dita-ditës”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai njoftoi se paralelisht po punohet edhe për ndriçimin e Bulevardit, në mënyrë që pjesa e parë të jetë e sistemuar në pranverë. “Në pranverë qytetarët do të kenë mundësi të shohin përtej perdes së metalit që na ndan nga kryqëzimi i ish Stacionit të Trenit. Ky investim është një vlerë e shtuar jo vetëm qytetarët e Tiranës, por për të gjithë Shqipërinë, sepse qyteti do të ofrojë një lagje të re, moderne, me një hapësirë të theksuar komerciale dhe me transport, i cili respekton si në asnjë projekt tjetër të Tiranës larminë midis transportit publik, atyre që përdorin biçikletat, këmbësorët dhe makinat private. Qytetarët do të kenë pa fund sheshe, po ashtu edhe Parkun Qendror”, u shpreh Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës u bëri thirrje bizneseve që të shfrytëzojnë mundësinë për të investuar në këtë zonë, e cila me Bulevardin e Ri dhe Parkun Qendror do të jetë një nga qendrat e reja të zhvillimit të kryeqytetit, duke i dhënë një vlerë shumë të madhe pronës aty. “Jemi të hapur për të ftuar këdo që dëshiron të zhvillojë në këtë zonë; kjo është një zonë e pazhvilluar, pra më shumë sesa synojmë hapësira publike, që tashmë e kanë ezauruar koeficientin e tyre të ndërtimit, do doja të ftoja të gjithë sipërmarrjet e zhvillimit që të hyjnë në kontakte me banorët e zonës, duke respektuar kushtet, për të zhvilluar e çliruar trysninë nga një pjesë e Tiranës që tashmë është e tejzhvilluar dhe që ka shumë ngarkesë”, theksoi Veliaj. Njëkohësisht me punën për përfundimin e pjesës së parë të Bulevardit, po vijon edhe procesi i shpronësimeve për pjesën vijuese. “Në ditët në vijim do të vazhdojmë me shpronësimet për t’iu afruar Bregut të Lumit. Ndihem i keqardhur që projekti në anën tjetër të lumit, që i takon një bashkie tjetër, nuk është respektuar. Megjithatë, ne angazhohemi që deri sa të vijmë te Bregu i Lumit, ku do të jetë edhe Parku T, pra që krijon një T në bulevard, një park i gjelbër, më shumë për rekreacion sesa për zhvillim, do t’i qëndrojmë punës te koka. Mandej, do të gjejmë një zgjidhje alternative se si do të jetë ura përtej lumit, duke qenë se në anën tjetër është ndërtuar dhe në njëfarë mënyre ka devijuar nga projekti origjinal”, tha Veliaj. 
Sigal