Bujqësia, Rama: Është problem, nuk e gjen shteti tregun por tregtarët të bashkohen

533
Kryeministri Edi Rama tha nga Fieri se rregullatori mes tregtarit dhe fermerit është bashkia. Ai dha sugjerimet e tij në këtë rast
Kryeministri Edi Rama duket se nuk ka dhënë ndonjë zgjidhje problemit të bujqësisë, ndonëse u përpoq që para fermerëve të Fierit të shfajësohej duke ia faturuar përgjegjësinë Bashkisë. Prej vitesh, dy bashkitë, ajo e Fierit dhe Lushnjës, janë drejtuar nga e majta. Në 26 vite, fermerët nuk kanë gjetur zgjidhje. Tregjet janë të pakta në krahasim me prodhimin. Tonelata të tëra me fruta dhe perime gjenden të derdhura në kanale në stinën e verës dhe vjeshtës. Nga ajo çfarë është deklaruar deri tani, kjo situatë ka vetëm një emër dhe ai është mungesa e tregjeve dhe e politikave qeverisëse për të hapur rrugën e eksporteve. Qeveria ka vendosur sanksione lidhur me tregtarët e vendeve të rajonit që futen në vendin tonë. Një tregtar duhet të kalojë doganën me vetëm 30 litra karburant, pra duke e detyruar atë të blejë karburantin më shtrenjtë në vendin tonë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe taksa në doganë i ka sprapsur tregtarët e shumicës. Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Edi Rama u gjend përballe fermerëve të Fierit, të cilët kërkuan mbështetje. Dhe pas çdo kërkese, ai ka dhënë një shpjegim. Por më shumë se sa bujqësia, Rama në të gjitha dëgjesat, më shumë prioritet i ka dhënë reformimit të administratës. Rama u tha fermerëve se problemet e tyre duhet të kontrollohen nga bashkitë përkatëse. Ai u shpreh se qytetarët do të kenë mundësi të mos sorollaten nga një institucion në tjetrin, por do të kenë mundësi të zgjidhin problemet brenda një zyre. “Problemet sot janë nga përgjegjshmëria e administratës. Na është rritur kostoja për shkak të një politike të gabuar. Për çdo qark do të kemi një raport për administratën. Problemet janë të ngjashme në të gjitha qarqet, duke nisur nga gjullurdia me pronat. Shumica e problemeve nuk lidhen me buxhetin, por me shërbimet. Ka probleme me administratën, nuk do të jetë e lehtë, sfida e parë është që t’i gjejmë punës së shtetit njeriun, dhe jo njeriut punën e shtetit. Duhet një administratë më e përgjegjshme. Duhet reformim i të gjithë sistemit. Prandaj do të ndryshojmë sistemin në këtë pjesë duke mos pasur edhe komision pronash , edhe hipotekë por duke pasur vetëm një institucion. Nuk kemi problem me opozitën politike, ne kemi punën tonë. Ne jemi zgjedhur për të luftuar grabitqarët. Nuk është puna jonë të gjejmë se si do të merret opozita me ne. Këto dëgjesa nuk janë për të kaluar radhën. Timoni është përgjegjësi e madhe. Njerëzit na votuan që ne të bëjmë gjëra më të mira. Nuk janë vetëm hipotekat problem, edhe bujqësia është një problem i madh. Ka vetëm një shpëtim për fermerët, është të bashkohen. Të kuptojnë që të bashkuar çmimin e vendosin fermerët. Të ndarë çmimin e vendos tregtari. Nëse jemi të bashkuar i fusim ne në garë tregtarët. Nëse bashkohemi, bashkojmë konceptin, çfarë do të mbjellim apo çfarë do të përdorim. Bashkitë të jenë afër fermerëve që të funksionojnë strukturat e grumbullimit. Por një gjë e tillë kërkon bashkëpunim nga bashkitë si dhe projekte dhe fonde të ndryshme. Nuk e gjen shteti tregun duhet të ketë një ndërmjetës dhe këtë e bën bashkia. Drejtoritë e bujqësisë nuk do të jenë këto që janë, do të ndahen. Qeveria do të përcaktojë politikat, pjesa tjetër ndahet nga agjencitë dhe bashkitë, fermerët kanë nevojë jo vetëm për lekë por edhe për informacion”, deklaroi Rama. Ai foli edhe për projektet të qytetin e Fierit, ristrukturimin e lumit Gjanica dhe ndërtimin e rrugës që të çon në plazhin e Semanit.
Sigal