Bujar Nishani takon Senatorin Chris Murphy dhe dekoron Grupimin për Çështjet Shqiptare nё Kongres

88

Nё fillim tё ditës së dytë tё qëndrimit nё Washington D.C., Presidenti Nishani u takua me Senatorin Chris Murphy, Kryetar i Nёnkomitetit tё Marrёdhёnieve me Jashtë për Çështjet Europiane nё Senatin Amerikan. Nishani vlerësoi lart dhe me mirënjohje ndihmën e vazhdueshme dhe mbështetjen e pakursyer tё Shteteve tё Bashkuara dhe Senatit Amerikan pёr Shqipёrinё në fusha të rëndësishme ku janë drejtuar edhe reformat e vendit, për forcimin e demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së institucioneve, si dhe zhvillimit të ekonomisë, anëtarësimin e vendit tё NATO. Gjithashtu, pavarësimin e Kosovës dhe zgjerimin e hapёsirёs demokratike nё vendet e rajonit ku jetojnё shqiptarёt. Ai dhe shprehu bindjen në vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje. Presidenti vuri nё dukje se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të rëndësisë parësore dhe strategjike për vendin tonë, theksoi, veçanërisht, angazhimin dhe vendosmërinë për t’i çuar përpara, duke përballuar sfida tё pёrbashkёta si vende partnere nё NATO, duke qëndruar përkrah SHBA nё luftёn globale kundёr terrorizmit ndёrkombёtar. Gjithashtu, Presidenti i Republikёs, Bujar Nishani, nё njё ceremoni tё zhvilluar nё mjediset e Kongresit Amerikan, dekoroi Grupimin pёr Çështjet Shqiptare nё Kongres me “Medaljen e Flamurit Kombёtar”, me motivacionin “Në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për inkurajimin e vazhdueshëm të reformave demokratike dhe integrimit euroatlantik të Shqipërisë, për përpjekjet e frytshme në promovimin e të drejtave, lirive dhe prosperitetit të Shqiptarëve në rajonin e Ballkanit, për mbështetjen ndaj pavarësisë dhe forcimit të shtetit të Kosovës dhe për kontributin e shquar në forcimin e lidhjeve dhe partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe shteteve me popullsi shqiptare në Rajon” dhe bashkëkryetarin e kёtij Grupimi Kongresmenin Robert Aderholt me Medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin “Në shenjë vlerësimi të lartë për aktivitetin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të reformave demokratike në Shqipëri, të zgjerimit të hapësirës demokratike për shqiptarët në rajon dhe veçanërisht për pavarësinë e Kosovës”.