Bujar Nishani pret zv/ministrin e Japonisë, Takao Makino, investitorët japonez të pranishëm në Shqipëri

43

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje zëvendësministrin e Jashtëm Parlamentar të Japonisë, Takao Makino, me të cilin zhvilloi një bisedë miqësore për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, për situatën në rajon dhe mundësinë e forcimit të bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh. Presidenti Nishani, pasi vuri në dukje se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë janë shumë të mira. U shpreh se, Shqipëria i kushton vëmendjen e duhur forcimit dhe konkretizimit të tyre në të ardhmen, duke veçuar energjinë, turizmin, bujqësinë dhe infrastrukturën, si fusha, ku investitorët japonezë mund dhe duhet të jenë më të pranishëm. Në këtë frymë, Presidenti theksoi se hapja e Ambasadës së Japonisë në Tiranë do të rriste në një shkallë më të lartë bashkëpunimin dypalësh dhe efektivitetin e të gjitha programeve e projekteve, si dhe do të siguronte kontakte të drejtpërdrejta me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë bashkëpunim. z.Nishani vlerësoi gjithashtu, qasjen aktive të Japonisë në Ballkan dhe njohjen e Kosovës, si respektim për lirinë dhe demokracinë dhe kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon. Zëvendësministri Japonez, Makino e vlerësoi Shqipërinë si një partner të rëndësishëm për rolin e saj konstruktiv në rajon dhe e informoi Presidentin për interesimin e kompanive japoneze për të investuar në projekte konkrete dhe gatishmërinë e Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, për të asistuar nëpërmjet programeve të ndryshme të implementuara në shumë fusha si: energjetikë, bujqësi, infrastrukturë dhe shëndetësi. Ai siguroi se po hidhen hapat e nevojshme për hapjen sa më shpejt të Ambasadës Japoneze në Tiranë. Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Japonisë në kuadër të institucioneve ndërkombëtare dhe, veçanërisht në kuadër të kombeve të Bashkuara u vlerësua në mënyrë të veçantë.