Bujar Nishani pret delegacionin e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan

393
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi dje një takim pune me delegacionin e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), të kryesuar nga Guvernatori i Vermontit, Hovvard Dean. Në takim ishte i pranishëm edhe Drejtori Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin. Pasi uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi, Presidenti Nishani çmoi rolin e rëndësishëm që ka luajtur dhe vazhdon të luajë Instituti Demokratik Kombëtar Amerikan në vendin tonë prej gati dy dekadash, përmes projekteve të ndryshme për zhvillimin e standardeve të demokracisë, forcimin e institucioneve, përgatitjen e liderëve të rinj si dhe rritjen e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave në politikë dhe nëpër institucione. Kreu i Shtetit shqiptar, duke vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara shprehu mirënjohjen për kontributin konkret që ky Institucion i rëndësishëm ka ofruar vazhdimisht nëpërmjet programeve të ndryshme për zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe arritjen e standardeve më të përparuara demokratike. Nga ana e tij Guvernatori i Vermontit, Hovvard Dean pasi e falënderoi Presidentin Nishani për pritjen e përzemërt dhe bashkëpunimin, shprehu konsideratat e larta për arritjet e vendit tonë, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Kreut të Shtetit ndaj nismave të Institutit Demokratik Kombëtar amerikan për demokratizimin e mëtejshëm të institucioneve shqiptare dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Dean e siguroi Kreun e Shtetit shqiptar se, NDI do të vazhdojë të japë kontributin dhe përvojën e vyer institucionale në bashkëpunimin me autoritetet shqiptare, duke shprehur mbështetjen e palëkundur, si dhe besimin në suksesin e integrimit të afërt të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.