Bujar Nishani flet për çështjen e detit: Letra e Bushatit, kërkesë tallëse dhe fyerje për Presidencën

700
Letra e Bushatit, kërkesë tallëse dhe fyerje për Kreun e Shtetit
Pas disa denoncimesh publike se Qeveria Shqiptare nuk ka zbatuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese (Gj.K.) Nr.15, dt. 15.04.2010 mbi “Marrëveshjen e Detit me Greqinë” për marrjen e Autorizimit të Plotfuqishmërisë, kjo e fundit u detyrua të dërgojë një kërkesë formale tek Institucioni i Presidentit të Republikës. Në të dy aspektet, si atë formal procedurial, ashtu dhe atë përmbajtësor, ajo kërkesë përveçse konfirmon shkeljen e vendimit kushtetues, demonstron fyerjen arrogante dhe tentativën për të përdhosur Institucionin e Kreut të Shtetit. Kërkesa tallëse e qeverisë konfirmon faktin, se prej 3 vitesh paskan biseduar dhe negociuar për Marrëveshjen pa denjuar të marrin Autorizimin Presidencial siç detyron Gjykata Kushtetuese. 

Ja çfarë shkruan Qeveria Shqiptare në letrën drejtuar Presidentit, citoj: “Diskutimet e deritanishme për çështjen e delitimimit të hapësirave detare nevojitet të konkretizohen me negociata mes palëve”. Por le të kujtojmë se çfarë ka kërkuar qeveria e sotme kur ishte në opozitë në kërkesën e saj drejtuar Gj. K., citoj: “…..grupi negociator shqiptar, gjatë bisedimeve dhe në momentin e lidhjes së marrëveshjes nuk ka qenë i pajisur me plotfuqi nga Presidenti i Republikës. Si rrjedhojë, grupi negociator nuk ka pasur autorizim nga organi kompetent për të hyrë në bisedime me palën greke dhe aq më pak për të lidhur marrëveshje mbi delimitimin e hapësirave detare. Mungesa e plotfuqisë, sipas kërkuesit, e bën marrëveshjen antikushtetuese”. Këto thoshte qeveria e sotme atëherë në opozitë përpara Gjykatës. Këto dy qëndrime konfirmojnë shkeljen e vendimit të Gj.K. nga ana e Qeverisë Shqiptare gjatë gjithë këtyre kohëve të negocimit me palën greke mbi Marrëveshjen e Detit. Ndaj ajo lloj kërkese nga ana proceduriale është një tentativë për t’u tallur me Institucionin e Presidentit. Por pse ajo kërkesë është skandaloze dhe nga pikëpamja përmbajtësore? Shih se çfarë thotë vendimi i Gj. K., citoj: ”37. Gjykata çmon se qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e plotfuqisë. Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim”. Por kërkesa e dërguar tek Presidenti nuk ka asnjë çështje të renditur shprehimisht për të cilën do vazhdohet bisedimet madje nuk ka se as cilët janë “përfaqësuesit e shtetit” që do të bisedojnë. Qeveria vallë i mban “sekret” nga Kreu i Shtetit këta përfaqësues të shtetit ?!! 

Nga përgjigjja e Presidentit të Republikës kuptohet se në kërkesën e saj drejtuar Presidentit, Qeveria nuk ka respektuar në shumicën e tij vendimin e Gj.K.. Ajo që po fshihet dhe që ende nuk po denoncohet ka të bëjë me faktin e rëndë se Qeveria Shqiptare ka negociuar deri tani ndarjen e Shelfit Kontinental të Shqipërisë. Pra është parashikuar ndarja e territorit shqiptar. Qytetarët duhet ta dinë se Shelfi Kontinental është vijimi i territorit tokësor në tabanin e detit që sipas konventave ndërkombëtare Shqipërisë i takon rreth 13 mijë km2 të cilat i shtohen sipërfaqes 28 mijë km2. Pikërisht në Shelfin Kontinental Shqiptar gjenden burimet e mëdha të naftës dhe gazit që në shkëmbim të neutralitetit të shkëmbinjve të Barketës ato po u jepen Greqisë. Ndarja e Shelfit Kontinental të Shqipërisë përbën një SKANDAL me përmasa të cenimit të integritetit territorial të vendit. Nga letra e Presidentit mësojmë se Qeveria Shqiptare deklaron se nga pala zyrtare greke ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë !!! Ky është një SKANDAL tjetër i paimagjinueshëm deri me sot që tregon se në çfarë derexheje është katandisur niveli i një ministri në Republikën e Shqipërisë. Të njësosh përçartjet halucinante të grupimeve ekstremiste pa identitet me qeverinë apo zyrtarë të shtetit grek është një lajthitje po aq halucinante sa ajo e ekstremistëve neonaziste në vendin fqinj. Në këtë situatë të rrezikshme ku është përfshirë integriteti territorial i Shqipërisë qëndrimi më i fundit i Presidentit të Republikës duhet mbështetur dhe inkurajuar. Qeveria Shqiptare, jo vetëm duhet të përgjigjet për kërkesat korrekte dhe kushtetuese të Kreut të Shtetit, por me çdo kusht duhet ti paraqesë Presidentit hartën e Shelfit Kontinental të Shqipërisë mbi të cilën ka bërë deri tani pazarin politik.
Kosova dhe BE kundërshtojnë idenë e Ramës
Një propozim i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që “Kosova dhe Shqipëria të kenë një president gjithëkombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Këtë deklaratë, kryeministri i Shqipërisë e bëri në seancën e Kuvendit të Kosovës, me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku të pranishëm ishin shumë mysafirë nga mbarë bota. 

Presidenti i përbashkët?
“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, po pse jo një president simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, tha në fjalimin e tij para deputetëve kosovar, kryeministri i Shqipërisë. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “Edi Rama të merret më shumë në zhvillimin e Shqipërisë, sesa të dalë me ide tjera apo të mësojë Kosovën se si duhet ecur përpara”. “Po të ishte Shqipëria sot në Bashkim Evropian, do të ishte shumë mirë, sepse ata do të mund të insistonin në vendosjen e kushteve fqinjit tonë (Serbisë)”, u shpreh kryeministri i Kosovës gjatë një vizite minatorëve të Trepçës. Nga ana tjetër shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, Avdullah Hoti, është kundër idesë se kryeministrit shqiptar, për një president të përbashkët të të dy shteteve. Madje Hoti është shprehur se për “mungesë respekti nga ana e Ramës për aspiratat e kosovarëve”. “Propozimi i Edi Ramës për president mbarëkombëtar është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve për shtet të pavarur, të integruar në Bashkim Evropian dhe NATO”, është shprehur Avdullah Hoti, nga LDK.

Reagimet negative
Për propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, ka reaguar edhe Komisioni Evropian, nëpërmjet zëdhënëses Katherine Ray, e cila ka thënë se “këto deklarata janë të papërshtatshme”. “Deklaratat që mund të interpretohen si një ndërhyrje politike në vendet fqinje nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. BE pret që në të gjithë rajonin të vazhdojë ndërtimi i marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunuese. BE ka vazhduar të mbështesë parimet e pajtimit dhe bashkëpunimit në këtë rajon të Ballkanit”, është shprehur zëdhënësja e Komisionit Evropian, Katherine Ray. Me interpretim ndryshe të deklaratës së Edi Ramës dhe reagim të ashpër është shprehur ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin. Ai ka thënë për mediat serbe se “idetë që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet dhe ta kenë në president, janë dëshmi të synimit për Shqipëri të Madhe dhe ato ide duhet të ndalen”, është shprehur ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

Serbia kundër
“Çdokush duhet ta dijë e ta kuptojë se nëse shqiptarët flasin se do ta kenë një politikë të jashtme e një president, do të jetë shumë vështirë t’iu tregohet, sidomos serbëve, pse ata nuk e kanë një president ose një politikë të jashtme, marrë parasysh se edhe ne jetojmë në disa shtete në hapësirën e Ballkanit”, është shprehur Aleksandar Vulin. Javëve të fundit në mediet në rajon është hapur një debat i nxitur nga disa shkrime në medie britanike se “po përgatitet një skenar për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Por, këto ide janë hedhur poshtë nga SHBA-së, përmes një deklarate të ambasadës në Prishtinë, të transmetuar nga mediet lokale në Kosovë.

Kundër shkëmbimit të territoreve
“Ne nuk e mbështesim shkëmbimin e territorit apo vendosjen e precedentëve që do të shkaktonin më shumë probleme sesa zgjidhje, por të gjitha palët duhet të jenë kreative në gjetjen e një zgjidhjeje. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe inkurajojnë të dyja palët që të përshpejtojnë përpjekjet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane në Prishtinë, të transmetuar nga mediet në Kosovë. Kosova dhe Serbia ka vite që zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve. Me 19 prill të vitit 2013, të dyjave vendet nënshkruan një marrëveshje ku zotohen për përmirësim të marrëdhënieve. E Bashkimi Evropian në strategjinë e zgjerimit të publikuar dy javë më parë, përmend saktësisht se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet nëse synojnë strukturat e BE-së.
Sigal