Bujar Nishani: E megjithatë ne i njohim banditët !

541
Sigal

E megjithatë ne i njohim banditët!

Bujar Nishani, ish-President

Që nga viti i parë i riardhjes në pushtet të majtët me emrin “rilindës”, e deri më sot në vitin e shtatë të qeverisjes së tyre kanë treguar çdo ditë se; janë profanë në shtet-ndërtim, makutër në korrupsion, barbarë në njerzillëk, mashtrues në gjen, tradhtar në origjinë. Një aftësi e kanë demonstruar.

Master në inkriminim!

Inkriminimi si virtyt i rilindësve nuk përfaqësohet vetëm tek bashkëjetesa e tyre me krimin e organizuar dhe atë ordine, por shumë më gjerë se kaq. Inkriminimi i tyre përbën një hapësirë të madhe ku shtrihet filozofia e kapjes ose asgjësimit! A nuk është sot i gjithë shteti i kapur nga pushtetit i një pakice të konfirmuar edhe zyrtarisht? Parlamenti i asgjësuar, qeveria e helmuar, drejtësia e paralizuar, media e transformuar, ekonomia e falimentuar, shoqëria e zbuar, kombi i tradhtuar, përbëjnë sot produktin e filozofisë së kapjes ose asgjësimit prej modelit të politikës së inkriminuar. Në këtë çmontim që koha i bëri kësaj krijese mostër, diskreditimi është i plotë dhe rilindësit nuk kanë më kauzë, madje as maskë. Si posedues me shumicë të parave të pista u duhet t’i shpenzojnë ato pasi ditë të këqija do vijnë për ta. Pas betonit, propaganda është lavatriçja më e nevojshme për ndryrjen e atyre parave. Por edhe propaganda ka humbur shumë terren, sepse rilindësit nuk kanë asnjë punë, asnjë rrugë, asnjë spital, asnjë shkollë, asnjë fabrikë, asnjë buzëqeshje shqiptari, të na tregojnë. Të kapur fort pas bishtit të anijes që fundoset vetëm tentojnë relativizimin e inkriminimit të tyre me përpjekje konspirative të paralelizmit me opozitën, e cila duket gjithmonë e më pranë pushtetit. Nuk u ka mbetur më asgjë me çfarë të paraqiten përpara shqiptarëve, veçse shpresojnë të sajojnë thika ndaj imazhit të opozitës. Depërtimi qesharak për të trafikuar një thriller rilindës kundër opozitës në gazetën “Bild”, tregon edhe njëherë se sovjetët shqiptarë kanë mbetur shumë prapa në teknikat orientale të financuesve të tyre. Çdo përpëlitje mjerane e filozofisë së kapjes ose asgjësimit as e fshin dot e as e mjegullon të vërtetën e madhe, sepse ajo është aq e helmatisur sa kutërbon në çdo cep. Nuk ka më forcë helmuese asnjë përpjekje anti-imazh ndaj opozitës që të harrojmë se kush dhe çfarë na bëri rilindësi.

Ne sot i njohim fare mirë kriminelët që blenë dhe grabitën votat e shqiptarëve që rilindësi të pushtonte qeverinë!

Ne sot i njohim fare mirë vrasësit dhe trafikantët që rilindësi i bëri parlamentarë-pushtetarë, që shqiptarëve t’u vidhet gjithçka!

Ne sot i njohim fare mirë oligarkët e korruptuar me të cilët ndahen paratë e vjedhura shqiptarëve!

Ne sot i njohim fare mirë burgaxhinjtë ordinerë që rilindësi iu dha bashkitë e vendit!

Ne sot e kemi fare të qartë skenarin e tradhtisë, për të cilin rilindësi u injektua në shtet!

Ne sot e kemi provuar fort në lëkurë se si shqiptarët varfërohen e torturohen nëpër zyrat e shtetit të tyre që ndryshket nga injorantët përditë. Ndaj çdo përpjekje mjerane për relativizim të paudhësive dhe inkriminimit është veçse sharlatanizëm.

Ne tashmë i njohim mirë se kush janë e ku janë, banditët!