Bujar Nishani-Burkhalter: Bashkëpunimi me Zvicrën një histori suksesi

557
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim Kryetarin e Radhës së OSBE-së, Didier Burkhalter, President dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Konfederatës Zvicerane. Presidenti Nishani tha se, vlerëson maksimalisht ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për Shqipërinë, që nga fillimi i proceseve demokratike, duke veçuar  kontributet e saj në ekonominë, zhvillimet demokratike dhe shoqërinë shqiptare nëpërmjet investimeve, projekteve e programeve me shumë interes të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Sekretariatit Shtetëror për Çështjet Ekonomike. Ai shtoi se, bashkëpunimi në këtë kuadër konsiderohet një histori suksesi, ndërsa shprehu bindjen se, bashkëpunimi ynë do të thellohet më tej në fusha me interes të përbashkët. Presidenti Burkhalter vuri në dukje interesin e vendit të tij për të zhvilluar më tej bashkëpunimin dypalësh dhe shtoi se, Zvicra ka vullnetin e plotë të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë për arritjen e standardeve të kërkuara evropiane edhe pse nuk është vetë një vend anëtar i Bashkimit Evropian. Më tej, Presidenti Nishani çmoi lart bashkëpunimin me OSBE-në dhe Prezencën e saj në Shqipëri për ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, në fushën e legjislacionit, të drejtave të njeriut, çështjet e sigurisë, në evoluimin pozitiv të ligjit elektoral dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për reformën territoriale, e cila ka një rëndësi shumë të madhe, jo vetëm për efektet politike, por veçanërisht për pasojat ekonomike dhe sociale, që prodhon, dhe për këto arsye, ajo duhet të bazohet në konsensus politik dhe duhet të përthithë mendimin e qytetarit. Pasi nënvizoi përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me orientim nga e ardhmja, edhe falë bashkëpunimit me OSBE-në, Presidenti Nishani u shpreh se Shqipëria ka bërë disa herë thirrje për marrjen e masave që Kosova të afrohet gradualisht me OSBE-në deri në pjesëmarrjen e saj të plotë në Organizatë, hapa këto, të cilat do të ndihmonin demokratizimin e mëtejshëm të shoqërive në rajon, si edhe pajtimin, dialogun, mirëbesimin dhe frymën e bashkëpunimit rajonal.