Bujar Nishani: ‘Babalja’ përgjigja e vërtetë për ‘Rilindjen’

691
Sigal

Nga Bujar Nishani –
Të dashur miq,

Prej disa kohësh paraja e pisët ka nisur të minojë shumë rrezikshëm ekonominë tonë dhe ashtu siç ajo është e dobët dhe e gërryer nga korrupsioni.

Çdo ditë leku po zhvleftësohet dhe po e çon situatën financiare të vendit në një krizë edhe më të rëndë se ajo e skemave piramidale të ‘96-‘97.

Platforma e narkotizimit të vendit ishte krimi shtetëror më i madh që pas diktaturës staliniste në Shqipëri.

Mjeranët që e ideuan dhe implementuan rrugëtimin, nga kanabisi tek kokaina, jo vetëm që do të hyjnë në historinë e Shqipërisë si “narkotrafikantët e Ballkanit”, por edhe do të përgjigjen përpara historisë”.

E nxinë imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në sytë e të gjithë botës siç nuk e meritojmë aspak.

Këtë imazh, që s’ka dënim të kujtëdo e qeli burgu, që ta shlyejë dot.

E minuan rëndë sigurinë tonë kombëtare duke e vënë policinë e shtetit nën komandën e organizatorëve të trafikut, të cilët veshën uniformën e policisë në funksionet më të larta dhe sot janë larguar në drejtim të paditur.

I kurdisnin radarët e Forcave të Armatosura të Republikës si të ishin sahatet e qostekut të timonierëve skafistë.

Tash po derdhin paranë e fituar nga krimi i narkos duke i mbytur dhe ato pesë lek që shqiptarët mezi i fitojnë veç për bukë e ilaçe që po jua heqin çdo ditë nga goja.

Pa dyshim që një platformë e tillë kërkonte që në krye të Ministrisë së Brendshme të ishin vetëm dhe vetëm individë të lidhur me gjak e interesa me trafikantët.

Kjo ishte garancia shtetërore e suksesit të platformës kriminale të narkotizimit.

Kot lodhen gazetarët e ndershëm dhe të vërtetë të kërkojnë një përgjigje nga kryeministri shqiptar.

Përgjigjen e kanë të gjallë tek “babalja”.

Shqiptarë nuk duhet të presin të reagojnë përfituesit e milionave të pista që i kthejnë në pallate, diskoteka, lojra bixhozi e restorante luksoze pa klientë brënda.

Shqiptarët nuk duhet të presin të reagojnë as propagandistët agjitatorë të pushtetarëve dhe pushtetimit të inkriminuar ndër dritë të diellit.

Agjitatorë, që kurrë nuk kanë bërë një punë në jetë të tyre dhe as kanë prodhuar kurrgjë për këtë shoqëri por veç zhgërryer e përlyer lëtyrës së garuzhdës së kanabisit dhe kokainës, asaj lëtyre që çojnë dhe ata në shtëpitë e tyre.

Imagjinoni, të dashur miq sikur ministrat e brendshëm të opozitës së sotme të kishin dalë ligjërisht e publikisht të lidhur me trafikun dhe trafikantët e drogës ?

Imagjinoni sikur kryeministri i opozitës së sotme të kishte marrë në mbrojtje të hapur publike trafikantët dhe garantët e tyre ministra ?

Çfarë batërdie do kishte bërë media (me të drejtë) në Shqipëri ?

Çfarë zjarri dhe flake do kishte ngritur në qiell maxhoranca e sotme (si opozitë) ?

Sot, sharlatanë qeveritarë dhe oborrtarë i janë ndërsyer gazetarit investigativ në vend të skanimit trafikantit qeveritar.

Eksperienca e këtij vendi në të shkuarën ka treguar se gazetarët investigativ me punën e tyre kanë bërë të mundur shkarkimin e dhjetëra zyrtarëve, burgosjen e prokurorëve e gjyqtarëve e deri shkarkimin e ministrave “ për 4 minuta”, siç shprehej vetë media investigative.

Sot është ndryshe. Pikërisht se nuk janë të gjithë njësoj.

Ndaj shqiptarët nuk duhet të presin të reagoj as oborri e as oborrtarët agjitatorë.

Reagimi është i qytetarëve.

Sepse dëmi është mbi ta, pagesa bëhet nga ta.

Ata nuk mund dhe nuk duhet ta pranojnë të keqen që nesër mund të jetë fatale në koston që do të kërkoj.

Prapë nga shqiptarët!