Bujar Nishani ankimim në Kushtetuese: U ndërhy në kompetencat e Presidentit!

534
Sigal

Presidenti i vendit, Bujar Nishani i drejtohet gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e konfliktit të krijuar sa i përket kompetencave të Presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë. Në ankimimin e bërë, sipas Nishanit, Parlamenti ndërhyri në kompetencat e Presidentit me shkarkimin dhe emërimin që kreu në këtë institucion, ndaj i kërkon kësaj gjykate, të shpallë antikushtetues votimin e Shkëlqim Ganaj në detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në vend të Zana Xhukës.

Seancën plenare të 21 shkurtit, pas debatesh dhe ndërprerjesh të shumta të seancës, Kuvendi shkarkoi me votat e maxhorancës kreun e ILDKP, Zana Zhukën, duke zgjedhur në vend të saj me 75 vota pro dhe 2 abstenime dekretin e dytë që propozoi presidenti Nishani vitin e kaluar përballë Xhukës, pikërisht Shkëlqim Ganajn. Emri i kreut të ri të ILDKP u propozua vitin e kaluar si kandidatura e dytë përkrah Xhukës për kreun e institucionit të deklarimit të pasurisë, ndonëse nuk u hodh në votim. Një tjetër konflikt mes kreut të shtetit dhe Kuvendit, është dhe rrëzimi i dy dekreteve të Presidentit për anëtarë të gjykatës së lartë. Pikërisht për këtë gjykatë dhe vakancën e krijuar në të, sot, sërish, Nishani ka thirrur për konsultime krerët e grupeve parlamentare për të përcaktuar kriteret konkrete për emërimin e një anëtari të Gjykatës së Lartë, si pasojë e vakancës së krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të gjyqtarit Ardian Dvorani.