Brukseli: Duam të shohim në qeli ministra dhe deputetë të inkriminuar

486
Sigal

Bashkimi Europian i ka kërkuar
Shqipërisë nisjen e reformës në drejtësi si një çështje kyç që vendi të ecë në
rrugën e integrimit, duke kërkuar që të dënohen “peshq të mëdhenj” të politikës
në vend. “Prioritet është fillimi i reformës në drejtësi. Partitë politike kanë
përgjegjësi. Të nisë procedura e vettingut. Ne jemi të gatshëm të mbështesim
procesin e zbatimit”, ishin në thelb fjalët e zëvendëspresidentes së BE-së
Federica Mogherini gjatë një konference të përbashkët për shtyp me
kryeministrin Edi Rama në Bruksel. Dalja për media erdhi pas përfundimit të
takimit të tetë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë.
Komisioneri për zgjerimin Johanes Hahn tha se reforma në drejtësi ishte hapi i
parë drejt integrimit, ndërsa tani palët politike në Shqipëri duhet të
përqendrohen tek implementimi i saj. Për zotin Hahn “qëllimi i reformës nuk
është të afroheni më shumë me BE-në, por për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve
shqiptarë”. “Dhe kur BE kontribuon në këtë gjë nuk e bën vetëm për të afruar sa
më shumë Shqipërinë me BE, por e bën në interes të shqiptarëve” shtoi zoti
Hahn. Komisioneri Hahn tha se reforma në drejtësi është shumë vendimtare, është
baza dhe nuk bëhet fjalë vetëm për miratimin e saj, por sidomos për zbatimin.

Rezultatet do të shihen me hetimet e politikanëve

Ndaj, shtoi ai, ne presim të
ndërmerren veprime vendimtare për të kryer hetime proaktive. Duke folur për
policinë, Hahn tha se “e dimë se në rajon policia ka qenë gjithnjë e mirë, por
ka pasur probleme në gjyqësor” dhe shtjelloi: “Pas hetimit, do të vijoni me
procedimet dhe pastaj dënimet. Dhe rezultatet do shihen pikërisht këtu. Sepse
ne kemi parë disa gjyqe dhe vendime, por për disa peshq të vegjël ose të mesëm,
por do shpresoja që të shikonim dhe peshq të mëdhenj dhe vetëm atëherë do mund të
themi se ka arritje domethënëse në këtë sektor. Por kjo s’ka të bëjë vetëm me
Shqipërinë dhe rajonin, por haset kudo. Por përsa i përket Shqipërisë, duhet të
shohim se reforma në drejtësi do të vihet në zbatim”. Edhe zonja Mogherini
shprehu të njëjtin merak: “Palët politike kanë përgjegjësi për të vënë në
zbatim reformën”. “Ne do mbështesim Shqipërinë në këtë proces”, shtoi ajo.

Për kryeministrin shqiptar
implementimi i vazhdueshëm i reformave kyçe do të forcojë rrugën e Shqipërisë
drejt integrimit në BE. “Miratimi i ligjit të vetting-ut është një hap i
rëndësishëm për implementimin e reformës në drejtësi” tha zoti Rama. Ai
vlerësoi si me rëndësi që BE të japë një rekomandim pozitiv për hapjen e
negociatave. “Shqipëria do të jetë në lartësinë e duhur”, – premtoi
kryeministri shqiptar.

 

Konferenca e përbashkët e shtypit

Në përfundim të Këshillit të
Stabilizimit dhe Asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe BE, Kryeministri Rama, zv.
Presidentja e BE Mogherini dhe komisioneri Hahn zhvilluan një konferencë të përbashkët
për shtyp.

Një pyetje për Komisionerin. Në fillim të nëntorit pritet të ketë një
rekomandim pa kushte apo me kushte për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe
nëse do të ketë kushte, cilat do të jenë ato? Do kenë të bëjnë me zbatimin e
reformës në drejtësi, me reformën e çështjeve që kanë të bëjnë me financimin e
zgjedhjeve nga ana e partive? Pra, cilat janë këto kushte, nëse do të ketë?

Komisioneri Hahn: Fillimisht kemi mbajtur shënim vendimin
dhe kjo do të reflektohet në Progres Raportin tonë për Shqipërinë. Besoj se
kemi qenë të qartë për faktin sesi e lexojmë këtë vendim, por është pak herët
për të bërë një deklaratë përfundimtare. Kjo është pikërisht detyra e Progres
Raportit dhe ju e kuptoni se ne kemi nevojë për shumë konsultime të brendshme,
për të dhënë një vlerësim të arsyeshëm në interesin e të gjithëve ne. Por besoj
se Përfaqësuesja e Lartë e bëri të qartë se, ashtu sikurse dhe unë, ne jemi
plotësisht të angazhuar për të hedhur hapa pozitivë përpara, por ky ritëm duhet
ruajtur dhe duke pasur parasysh arritjen pozitive me reformën në drejtësi,
duhet të siguroheni që ajo të mos mbetet vetëm në letër, por do të bëhet dhe
realitet.

Një pyetje për zonjën Mogherini. Cila është klima në Këshill? A mund
Shqipëria të shpresojë se negociatat do hapen përpara zgjedhjeve të ardhshme?

Zv. Presidentja e BE-së Mogherini: Nuk dua të
paragjykoj vendime që Këshilli do të marri pas rekomandimit. Këtu ka një
sekuencë që duhet respektuar, jo vetëm në lidhje me detyrimet institucionale,
por edhe për sa i përket urtësisë politike. Por dua të them se vjet, Këshilli
deklaroi, – ndoshta e keni, ose do ta keni pas pak deklaratën tonë të
përbashkët, – se reforma në drejtësi mbetet kyçe për avancimin e Shqipërisë
drejt anëtarësimit në BE. Kjo ishte deklarata e Këshillit vjet dhe duke
theksuar faktin se kjo ishte kyçe për hapjen e negociatave dhe faktin se në
verë, reforma në drejtësi u votua në parlament në mënyrë unanime, është e qartë
se ka një drejtim politik që ne e njohim. Pra, nuk mund të paragjykoj vendime të
Këshillit, por ne e cilësuam reformën në drejtësi kyçe dhe ajo filloi me një
votë impresionuese në verë, duke treguar vendosmëri dhe kurajo politike.

Gjëja e dytë që dua të them është
se në pranverë iu drejtova parlamentit shqiptar, ku diskutimet ishin akoma të
ndezura, jo vetëm sepse kjo ishte kyçe për BE-në, por edhe sepse ishte e
rëndësishme për popullin shqiptar dhe besoj se në fund, të gjitha
institucionet, të gjitha forcat politike në Shqipëri treguan urtësi, vendosmëri
dhe kurajo politike për t’u përfshirë në një proces të vështirë, me votë
unanime. Pak përpara përmenda përgjegjësinë që këto parti dhe këto institucione
kanë për të përmbushur pritshmërinë e popullit shqiptar, në lidhje me faktin se
reforma do të zbatohet. Nëse do të shohim të njëjtin nivel vendosmërie,
kurajoje dhe angazhimi, besoj se do të vazhdojmë më tej në këtë rrugë pozitive.

Për Komisionerin Hahn dhe Përfaqësuesen e Lartë; A jeni të shqetësuar për
nivelin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar në Shqipëri? Sepse Raporti i
Transparency International tregon se sot Shqipëria ka nivelin më të lartë të
korrupsionit në rajon. Përveç kësaj, shqetësuese mbetet dhe situata për drogën
në vend. Ka një raport të inteligjencës italiane dhe gjermane, ku thuhet se në
Shqipëri ka 363 plantacione kanabis, disa prej të cilave mbrohen nga persona të
armatosur dhe se disa kultivues kanë lidhje me policinë.

 

Zv. Presidentja e BE-së Mogherini: Krimi i
organizuar, korrupsioni, përfshirë gjithashtu edhe lufta kundër drogës,
padyshim janë çështje që duhet të zgjidhë jo vetëm Shqipëria, por ajo që unë
shoh është vendosmëria e madhe për t’i zgjidhur këto çështje dhe ashtu siç e
përmendi dhe Kryeministri, puna në këtë drejtim po vazhdon. Mbetet angazhim i
përbashkët për ta përmirësuar këtë situatë. Gjithashtu, kjo çështje nuk është e
rëndësishme vetëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por kryesisht për
vetë Shqipërinë dhe qytetarët e saj, të cilët kanë të drejtën e plotë që të
jetojnë në një vend të çliruar nga një fenomen që ka qenë shumë problematik në
të kaluarën dhe siç e shohim, trendi po shkon në drejtimin e duhur.

Komisioneri Hahn: Mendoj se reforma në drejtësi është
shumë vendimtare, është baza dhe nuk bëhet fjalë vetëm për miratimin e saj, por
sidomos për zbatimin. Ndaj dhe ne presim të ndërmerren veprime vendimtare për
të kryer hetime proaktive. E dimë se në rajon policia ka qenë gjithnjë e mirë,
por ka pasur probleme në gjyqësor. Pas hetimit, do të vijoni me procedimet dhe
pastaj dënimet. Dhe rezultatet do shihen pikërisht këtu. Sepse ne kemi parë
disa gjyqe dhe vendime, por për disa peshq të vegjël ose të mesëm, por do
shpresoja që të shikonim dhe peshq të mëdhenj dhe vetëm atëherë do mund të
themi se ka arritje domethënëse në këtë sektor. Por kjo s’ka të bëjë vetëm me
Shqipërinë dhe rajonin, por haset kudo. Por për sa i përket Shqipërisë, duhet
të shohim se reforma në drejtësi do të vihet në zbatim.