Brenda pak ditësh, një arterie e re i shtohet Tiranës

466
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar dje punimet e nisura në disa rrugë të Tiranës, mes të cilave edhe rrugën “Hasan Sufa”, një aks tejet i rëndësishëm për impaktin që ka në lehtësimin e trafikut në qytetin e Tiranës dhe reduktimin e nivelit të ndotjes. Punimet në këtë segment rrugor që lidh Unazën, bulevardin “Bajram Curri” me rrugën “Ali Demi” kanë hyrë në fazën përfundimtare. Dje, ka nisur mbjellja e pemëve përgjatë gjithë segmentit rrugor. Zonat e gjelbra do të shtrihen dhe në hapësirat midis godinave të banimit, ku do të vendosen edhe stola për banorët. Paralelisht po punohet edhe për heqjen e mureve rrethuese, gardheve apo telave të vendosur përgjatë kateve të para të pallateve. Pas përfundimit të gjelbërimit do të hidhet shtresa e fundit e asfaltit, duke hapur një artilerie të re rrugë në qytetin e Tiranës. Rruga tërësisht e re ka një gjatësi prej 312 metrash dhe një gjerësi prej 15 metrash (2 x 3.5 m në çdo krah dhe brez të gjelbër në mes, 1 m). Në dy anët e rrugës janë parashikuar xhepa parkimi me gjerësi 2 m dhe trotuaret në të dy anët e rrugës do të kenë gjerësi 2,5 m. Përgjatë rrugës do të ketë ndriçim si dhe është ndërtuar i gjithë rrjeti i nevojshëm i ujësjellës – kanalizimeve. Bashkia e Tiranës u ka lënë afat deri të martën kompanive që kanë vendosur kabllot ajrore përgjatë rrugës “Hasan Sufa”, të bëjnë zhvendosjen e tyre, në të kundërt do të jenë punonjësit e Bashkisë që do i zhvendosin ato. Hapja prej dy javësh e qarkullimit, ndonëse i kufizuar në këtë segment rrugor, ka sjellë menjëherë impakt për trafikun në kryeqytet si dhe ka reduktuar koston e qarkullimit për përdoruesit e automjeteve. Investimi në këtë rrugë ka ndikuar edhe në rritjen e të ardhurave të subjekteve të ndryshme tregtare që shtrihen përgjatë saj si dhe nisjen e bizneseve të reja.