Bregu: Si i mësuam listat e deputetëve nga media

97
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, është shprehur për herë të parë se kur ka parë listat e kandidatëve për deputetë në media është ndjerë e turpëruar për faktin se as që është vënë në dije të tyre. E ftuar në “Report Ttv”, Bregu ka deklaruar se është habitur kur në listët “Basha” nuk ka parë emrin e Jozefina Topallit dhe telefonatën që ka patur me të në orët e vona të natës. “Listat nuk ishin elementi i papritur. Sepse kishte kohë që forumet e PD-së nuk ekzistonin. E kam dëgjuar shpesh pse, si i bënte listat Sali Berisha? Unë di të them që nga dita e parë që kam hyrë në politikë, unë mbaj mend që kemi kaluar orë të tëra ku kemi diskutuar për listat”, tha Bregu. Ajo tha se e priste të ishte në listën e kandidatëve. “Me shaka mes miqsh, isha e vetmja që e prisja. Por nuk prisja vendimin e një njeriu me vizion që nuk e sheh partinë si një lopë që do ta mjelë vetë, por si kalorësi që do të ecë përpara”, tha Bregu. Ish-deputetja tha se e kishin habitur shumë gjëra në atë listë. “Kishte shumë nga ata që janë zgjuar të nesërmen dhe e kanë gjetur veten kandidat për deputet i PD. Jam habitur kur nuk kam parë emrin e Jozefina Topallit. Dhe kam folur atë natë në orën 1 të mëngjesit kur dolën listat. Ka qenë e çuditshme që lajmet nga PD i merrnim nga mediat. Sepse edhe kjo është e turpshme. Nuk mund të pres që një vendim të tillë të ma thotë gazetari. Kam folur me shumë kolegë dhe ishte e turpshme që asnjëri nuk u thërrit t’i thuhet faleminderit, unë këtë vendim kam marrë. Kështu ka ndodhur edhe për Ridvan Bode, që doli një natë më parë nga zyra e Bashës. Kështu ndodhi edhe me aleatët”, tha Bregu.